Librin “Roja i dritës” të Flutura Açkës e lexova sapo doli nga shtypi. E dija për kë është shkruar, e dija se do kishte monumente të dhimbjes dhe të sfidës ndaj saj. Përmendja e dritës që në titull është sfida e parë. Ai lexim më dhuroi emocione të forta, pasi e lexoja si poezi personazhesh, e njihja udhëtimin e tyre, sidomos dramën. Së voni e rilexova librin prapë dhe sfida e dytë, që ka përballuar poetja, është cilësia e shkrimit, vlera e poezisë si gjendje dhe si tekst. Origjina e poezive si fakt apo shtysë jetësore për autoren shndërrohet në realitet dhe fakt letrar.
Ky libër e provokon vetvetiu idenë për biografinë e poezisë së kësaj autoreje, por le të kufizohemi vetëm me titullin e përmbledhjes “Rënkimi i shiut” dhe “Roja i dritës” e do vërejmë se bëhet fjalë për një shtegtim metafizik, për një shqiptim të shenjave, që dëshmojnë dobësitë e natyrës njerëzore, shpesh mungesën e njeriut në atë lartësi që e pretendojmë. Ky shqetësim humanist i shkon për shtat një autoreje si Flutura Açka, por, në librin për të cilin po flas, ajo e ka shndërruar dhimbjen individuale në një përmasë universale për humbjen, jo vetëm fizike të njerëzve të dashur, por, kryesisht, të humbjes së pandjeshme të njerëzisë, njerëzores, asaj që do të duhej të hijeshonte planetin.
Poezia e parë dhe e dytë e librit vendosin aksin e artikulimit të ideve e kuptimeve që përmban libri. Poezia e parë përfundon me këto vargje:
E vetmja krenari e jotja/ arsyeja/ nuk të ndihmoi dot, njeri/ të jesh i gjithi njeri/Ku ku, sa ulët, fluturon shpesh ti!
Kjo është dhimbja e parë, më e madhja, ajo që paralajmëron edhe të tjerat që e ndjekin. Dhimbja për njeriun, që, siç thamë, nuk arrin piedestalin e ëndërruar. Në poezinë e dytë, “Aksi i sigurisë”, vjen në të vërtetë pasiguria, hutimi, në formën e keqardhjes:
Kam kohë që jam qenie e zhvendosur nga aksi i sigurisë…
Lajmëron poetja, duke vazhduar pothuajse me kërkim ndjese:
Unë/ që mund të tërboj/ një botë, me gëzimin tim/ ankoroj pasiguri /në një liman pa emër/ buzë dritës/ tani.
I gjithë libri është ndërtuar mbi poezi që shkëlqejnë në errëtinë e tyre, në fuqinë metaforike të sjelljes së një rrezeje drite edhe aty ku ajo duket e huaj. Libri është i mbushur me kontraste të fuqishme ndjesish, nga ato që na bëjnë të ndjehemi krejtësisht siç jemi, të brishtë e të fortë, të marrë në vogëlsinë tonë e të epërm në fuqinë e shpirtit e të dashurisë. Është një libër dashurie i mëmës së bukur për birin e bukur, libër malli e dhimbjeje për humbjen, libër i ringritjes dhe dritës, si dukuri e pashmangshme kozmike: pas natës vjen dita dhe e kundërta. Flutura Açka na shoqëron me fisnikëri në udhën e daljes nga dhimbja, me një përpjekje gati mbinjerëzore na nxjerr në brigjet e një planeti ngjyrë uji
…të flasim sy më sy/me ty. Po, me ty!
Ky është misioni i epërm i poezisë: me ty duhet folur sy më sy. Misioni i dashurisë dhe dritës, roje e së cilës bëhet mëma, poetja. “Roja i dritës” është një perlë në kurorën e poezisë më të ndjerë shqipe.

Arbër Ahmetaj
Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.
Be First to Comment