“Lindur së prapthi”, i botuar nga Onufri si roman, në fakt është një koleksion emocionesh, i strukturuar si një gjëegjëzë me personazhe e kujtime nga jeta e një gruaje. Padurimi për të kaluar nga njëra histori tek tjetra, ndoshta vjen edhe nga strukturimi si narrativa e përrallave të “Një mijë e një netëve”. E nëse kjo duket si kritikë, në fakt kjo është merita themelore e librit: kontrolli i plotë i vëmendjes së lexuesit, i cili merret përdore me nanurisje e me ëndrra përmes rrëfimit të çasteve më ekzaltuese të jetës së një fëmije, vajze, gruaje të re e më vonë edhe një zonje, që jep e krijon jetë rreth vetes.
Trekëndëshi themelor ku zhvillohen ngjarjet, mes një kishe katolike, një ortodokse dhe një xhamie, zhvendoset brenda familjeve, gëzimeve, halleve dhe dramave të tyre, pastaj edhe në mes të kofshëve, gjinjve dhe zemrës së një adoleshenteje. Në këtë topografi lëviz krejt një qytet, një jetë, një epokë, ngrihen e rrëzohen ëndrra, farkëtohen armiq e ndodhin krime, lexohen poezi e ngjizen bebe të pafata.
Rita Petro, si autore, luan rolin e vajzës së shkujdesur, të asaj që ka lindur së prapthi: naiviteti i kësaj zgjedhjeje i ka dhënë romanit një këndvështrim aq pingul e të thellë, sa që nga thellësi të paimagjinueshme të kujtesës dhe ndërgjegjes, ajo si personazh i parë apo si autore, nxjerr në dritë atë që të gjithë përpiqemi ta fshehim në errësirë, atë që s’duam ta ndajmë me askënd. Pyetje, dyshime, dhimbje, prekje, lëndime, poshtërime gojëlidhura, që duam, s’duam e helmojnë jetën tonë, por që kur vërejmë se dikush i ka shkruar dhe, për më tepër, kaq bukur, themi me vete: s’qenkam i vetmi në këtë botë, që kam kaluar përmes tyre. Një prehje shpirtërore dhe një mirënjohje për autoren na kalon nëpër mend. E ky është një prej misioneve me thelbësore të letërsisë: të na dëshmojë se nuk jemi vetëm, nuk jemi veç ne që po pyesim, po habitemi, po vuajmë e që po na e zënë frymën.
Në këtë rrafsh, libri i Ritës është unik, pasi i nuk i mungon asnjë aspekt i tronditjeve që të rriturit i quajnë minore ose periferike, nuk i mungon asnjë ngjyrë aventure dhe dëshire për të njohur botën përtej shtratit e tavolinës prindërore. E gjuha është ajo që kemi në majë të gjuhës, ajo që kujtojmë që s’ka vend në letërsi. Kështu që, nëse është mirë të shkruajmë për gjakun e heronjve dhe dëshmorëve, mirë do ishte të shkruhej edhe për gjakun e menstruacioneve, pasi edhe ai ngjiz jetë.
Siç e përmenda më lart, rrëfimi si në përrallë i lejon autores të alternojë sipas qejfit edhe sekuenca të së sotmes, që kanë njëfarë ekoje edhe në të shkuarën. E atje, në të shkuarën, ajo kërkon e gjen një galeri të pafundme djemsh e vajzash, grash e burrash, të moshuarish, prototipe shoqërore, sportistë e artistë, njerëz të rrëzuar nga vakti e njerëz që i rrëzojnë brenda sekonde, gjen frikëra e vezullime tragjike dramash, siç gjen edhe një shi të artë shkëndijues emocionesh e ndjesish pozitive, ëndrra dhe shpresa të vogla, por që, në shumësinë e tyre, përbëjnë një rrjedhë të argjendtë jete e dëshire për të jetuar.
Libri mund të shihet edhe si një “herbarium” kujtimesh, disa prej të cilave shkëlqejnë prej pafajësisë dhe humorit. Janë të një hijeshie të rrallë e të një ndjesie shumë prekëse kujtimet e saj nga fëmijëria e hershme, që nga pikëpyetjet dhe pakuptueshmëritë e natyrshme të një çupëline, pastaj vitet e para shkollore dhe njerëzia e thellë e marrëdhënieve që krijon me shoqet dhe shokët, zymtësia e jetës që shfaqet me arrogancë aty-këtu kur ia shkulin shokët nga jeta e ia nisin internimeve, kujdesi dhe prindërimi i jashtëzakonshëm i personazheve të rritur, kompleksiteti i marrëdhënieve njerëzore të të rriturve, deri te kodi i të folurit dhe komunikimit, si përpjekje për t’iu shmangur zemërimit të shtetit.
Një pjesë e mirë e tekstit i kushtohet njohjes dhe kuptimit të anatomisë së trupit njerëzor, me të cilin rritemi e nuk dimë si të komunikojmë. Ndihma që na vjen nga jashtë është e gjymtë, e mbi të gjitha e mistifikuar, e fshehur, pasi nga ana etike nuk flitet, nuk është e moralshme. Atëherë, pa pikë kompleksi, personazhi kryesor flet e sjell për lexuesin çaste prekëse e delikate. Po, pikërisht ajo thellësi ndjeshmërie, ajo gjuhë e kuptueshmëri i shndërron ato faqe të librit në degëzime plot humanizëm e keqardhje për personazhet që jetuan në shoqëri të tilla puriste e njëkohësisht të frustruara seksualisht.
Romane si ky bëjnë vend në letërsi thjesht me ardhjen e tyre; pa bujë e pa zhurmë dëshmojnë se një letërsi, që nuk ka tekste të tilla, e ka një hall. I ngjashëm nga procedimi romanor me librin e Lea Ypit, ky roman të kënaq me spontanitetin dhe sportivitetin me të cilin është shkruar.
Rita është e njohur për poezinë e saj, por, pa druajtje, e afirmon veten edhe në prozë. Një roman ngazëllues!

Arbër Ahmetaj
Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.