Press "Enter" to skip to content

“Çmendina e Athinës?” e Thanas Medi

Ky është romani i një gruaje për një tjetër, i Valentinës për Anën, autori është ura mes tyre.
Valentina, një mësuese muzike nga Jugu i Shqipërisë, jep mësim në Veri të atdheut. Në fillim të viteve 1990 përfundon emigrante në Athinë. Po aty, e gënjyer nga “i shoqi”, përfundon mes rrugëve edhe Ana, ish-nxënësja e saj. Thellë në vetvete, romani i bën jehonë fjalës së dhënë, besës, pasi Valentina i ka premtuar shoqes së saj se do t’ia gjejë të bijën. E fillon kështu një sagë hetimore, që dështon në faqet e para, pasi s’ka asnjë lajm apo shenjë nga Ana.
Romani fokusohet te jeta e Valentinës, te puna e saj si pastruese në një spital psikiatrik të Athinës. Ajo çmendinë shndërrohet në pikëlidhjen e ngjarjeve. Si në një film të mençur policor, dy-tre detaje jepen që në fillim, sa për të zgjuar kërshërinë e lexuesit, pastaj intriga zbulohet ngadalë e në mënyrë mjeshtërore prej një autori të sprovuar tashmë.
Ana, si Markela te “Valsi i një dasme fantazmë” apo Katerina te “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” është një grua e bukur, e re, pasionante, krenare, e dyzuar, e fortë po aq sa e brishtë, refuzuese dhe e ftohtë, kapriçioze, burim dhe shpërthim pasionesh. Jeta e përplas nëpër skutat më të pista e të vrazhda të jetës, por pavarësisht se sa poshtë bie, po aq me dinjitet ngrihet, të paktën përkohësisht, sa për të dëshmuar thelbin dinjitoz, pasurinë e saj njerëzore dhe gjenetike.
Kriza e thellë e personazheve ka të bëjë me një përmbysje të pashpirt e të pritur të piramidës së vlerave. Ata që me aq sakrifica kishin arritur në vendin e tyre të krijonin një staturë sociale, një vete të qëndrueshme në udhëtimin jetësor, gjenden befas duarzbrazur. Braktisin gjithçka e përballen me gjithçka, sidomos me më të keqen e një shoqërie tjetër, të idealizuar gabimisht apo për mungesë informacioni, me racizëm e dhunë, me fyerje e shpërfillje shtetërore e masive në Greqinë fqinje. Në këtë përmasë, romani është një pasqyrë e dhimbshme e gjendjes nëpër të cilën kaluan emigrantët e parë shqiptarë në Greqi. Përmes personazhesh të një skalitjeje mjeshtërore, si: Manoli, motra e tij, Aretia, Alqi, Jota, “heronjtë” e çmendinës, pastaj llumi i banditëve dhe fundit të shoqërisë shqiptare, që tronditi si dallgë shoqërinë greke, jepet për lexuesin një pamje rrëqethëse e moskuptimit, e përjashtimit të tjetrit, po aq sa gjenden edhe gjeste të larta e prekëse humaniste. Përzierja e dy shoqërive sjell njëkohësisht edhe prirjen e krahasimit: çfarë ka humbur njëra duke u pasuruar dhe tjetra duke u varfëruar? A mund të përfitojë njëra njerëzinë e braktisur e tjetra njëfarë rehatie materiale të ëndërruar? E nëse po, me çfarë çmimi? Është një monolog i gjatë dhe i një bukurie të rrallë të nënës së Dhorit, burrit shkrimtar të Valentinës, që sjell në roman sakrificat e panumërta të një gruaje shqiptare, mrekullinë e shpirtit të mbijetesës e të dinjitetit të një populli, i cili mishërohet pikërisht në ato gjëra të vogla e sakrifica të përditshme, në atë buzëqeshje shprese dhe energjie të pashtershme për të siguruar ecjen përpara drejt një jete më të mirë. Po aq sa edhe ankthin dhe brejtjet e thella të brendshme, pafuqinë e një gjenerate tjetër për të thithur e përvetësuar ato vlera, braktisjen e tyre, të shoqëruar me braktisjen e mbartësve parësorë, të prindërve.
Por le të kthehemi tek Ana apo Diana, ish-nxënësja e Valentinës, bija e shoqes dhe koleges së saj të dikurshme në alpet e Shqipërisë. Ti kthehemi jo për të zbuluar se çfarë i ndodh asaj në roman, por të shohim se si sillemi me bukurinë, se si i vërsulemi asaj, se si duam me çdo kusht ta përvetësojmë ose ta asgjësojmë. Në këtë rrafsh s’ka asnjë ndryshim mes popujve, kombeve, aq më tepër të grekëve e shqiptarëve, këtyre fëmijëve grindavecë të pellazgëve. Po, se është një personazh që ngul këmbë se shqiptarët janë pasardhësit e vetëm të pellazgëve. E kjo përkatësi e shqiptarëve i përjashton domosdo grekët (!)
Tri akset e rrëfimit, për tri linjat e romanit, kryqëzohen në çmendinë, aty ku zhvillohet një luftë e ashpër për pak humanizëm, për pak dashuri, aty ku personazhet kanë përfunduar për shkak të mungesës së dashurisë, të njerëzisë. Drita e shpresës që sjell Valentina shuhet përballë harbutërisë së ndërmarrjes private të pastrimit, përballë një realiteti që nuk e ndryshon dot një qenie e vetme. Personazhet përsosen e ngrihen së bashku, bien prapë e s’ngrihen më, njëri pas tjetrit, dhe lexuesit i jepet shansi të jetojë e të gëzohet, të trishtohet e revoltohet bashkë me ta, përmes një shkrimi inteligjent e të kultivuar, duke pritur me padurim për të mësuar se çfarë ka ndodhur me Anën e do të mësojë në fund të librit, i ngazëllyer besoj, se ka lexuar një roman tjetër të bukur të autorit Thanas Medi.

Autori
Arbër Ahmetaj
Kryeredaktor   | [email protected] | Website

Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.