Press "Enter" to skip to content

Mbi romanin “Valsi i një dasme fantazmë”

Arbër AHMETAJ

Valsi marramendës i shkrimit

“Valsi i një dasme fantazmë”, Thanas Medi, roman botuar nga “Onufri”, Tiranë 2019

Është roman dashurie. Në qendër të tij gjendet një grua e bukur. Hijeshia vetë. Ka pikuar nga qielli (e kanë zbritur me dhunë) si meteor, në një tokë të thatë me pluhur të kuq internimesh. Ka zbritur mes shëmtimit të një bote të ngrirë, të paralizuar nga frika, nga skllavërimi i banorëve, uzurpuar nga e keqja. Dhe ja ku si sythi i një luleje Markela Gajtani, si filiz sfidues, kërcell i brishtë femëror që shkakton shtjella të fuqishme emocionesh nga urrejtja deri te dashuria me të njëjta pasoja: fatale.

Personazhi i hijshëm është si hije në pjesën e parë të romanit. Prania e saj ndjehet tek ethet e të tjerëve. Me personazhet e tjera, Thanas Medi merret me seriozitet kirurgjikal. U shkon deri në prerjet më të holla psikologjike, duke nxjerrë në dritë vuajtjet e tyre të imta, dobësitë e ndjeshmëritë më të përvjedhura nga drita. Dhe shkëlqejnë në errtësinë e tyre. Mjeshtëria e autorit përqendrohet te gjuha, me të cilën sjell këto krisje të personalitetit të tyre, aq afër perceptimit të lexuesit, aq të prekshme sa ndodh të identifikojmë vetveten.

“Valsi i një dasme fantazmë” është një roman me temperaturë të lartë, shpesh përvëluese. Autori përdor “hile” stilistike, bën sikur e qetëson zjarrin që na shkakton leximi. Kthesat janë të befasishme, siç është psikika njerëzore, siç është e paparashikueshme fuqia e ndjenjës së dashurisë. Se ka dashuri në këtë libër, ka dashuri për një grua, për bukurinë. Ka burra të bukur në shpirt. Pikërisht ky është thelbi i librit. Përpjekja për ta ngritur bukurinë në vendin e vet, për t’i ngritur asaj një piedestal, për ta nxjerrë nga balta. Edhe në romane të tjera të letërsisë shqipe vërehet kjo përpjekje, si tek “Këpucët e Kaltrinës”, i Petrit Palushit, (Ombra GVG-Tiranë 2013) në një frakturë pak më tragjike edhe te romani i Mehmet Elezit, “ADN-ja e korbave” (botimet Fishta 2009).

Shumë autorë shqiptarë, të llahtarisur nga shëmtia në të cilën e kaluan jetën nën diktaturë, përpiqen me letërsinë e tyre të sotshme të tregojnë fijet e barit në të cilat janë mbajtur për të mos u mbytur. Bukuria i ngjante “një luleje të flakur në plehra”, shënon autori diku. Ndaj saj bëhej një luftë e plotë, e pashpirt.

Ata që i dalin zot hijeshisë, pak nga dehja dhe jermi i saj e pak se pavarësisht se kanë pamje “prej gorille” (të kujtohet pak Hygoi këtu), kanë ruajtur shpirt trimi e janë të dinjitetshëm, e paguajnë shtrenjtë. E paguan Leko Zavalla, sepse braktiset nga të gjithë, nga i ati së pari, i cili do më shumë partinë se të birin, e paguan edhe Andon Çerepi, komunisti i dashuruar dhe i copëtuar nga dilemat e frika, i cili merr pjesë në një funeral, nga fundi i këtij romani, shumë më i vdekur se personazhi që po varrosej.

Në këtë roman, autori nuk i përmbahet më asnjë lloj sofistikimi sipërfaqësor; e vendos haptas ngjarjen në një shoqëri të egër enveriste, të asaj që kanë jetuar qytetarët shqiptarë. Personazhet identifikohen me postet e tyre: drejtori i fermës “Jeta e re”, operativi i sigurimit, sekretari i partisë, brigadieri etj., por, pa as më të voglën anësi, përshkruan dramën individuale të gjithsecilit, që përbën shumatoren e shëmtimit të jetës, rrënimit të saj nga frika, nga gafurrët e sigurimit.

“Unë dhe gjithë të tjerët si unë, të paprekur, pa njollë, presim orën e njollosjes. Të internimit, burgut, vrasjes, jetojmë kështu tmerrin e pafund. Ne kujtojmë se jemi të lirë, por, në të vërtetë, nuk jemi!”.

Faqe lirike, poezi e gjallë emocionuese janë pasazhet ku përshkruhen emocionet e personazheve ndaj asaj hijeshie që ka “mallkuar” atë vend të shëmtuar, Rovinën. Rovina gjendet në hartë kudo në planet, sidomos në ato vende ku strukturat shtetërore vendosin për emocionet, ndjenjat, shijet dhe jetën personale të shtetasve. Kjo i jep librit peshë universale, sepse, nëse në një vend nuk ka pasur polici politike kundër individit, të paktën haptas si në vendet diktatoriale ka pasur kisha, që deri vonë u bënte gjëmën qytetarëve duke i ekskomunikuar, ka infrastruktura e shtete islamike që shkëlqejnë sot me obskurantizmin e tyre. Ja sepse Rovina dhe lufta pa kompromis ndaj së bukurës, ndaj lirisë së individit, nuk është thjesht zeje e rovinasve, por ka qenë edhe e francezëve, zviceranëve, irlandezëve e popujve sllavë të robëruar nga komunizmi, është edhe e marokenëve, izraelitëve, arabëve, iranianëve, kinezëve, indianëve etj.

Dashuria e pamundur, për shkak të ndasive klasore, të armiqësive mes familjeve, shteteve, në fund të fundit është përdorur si subjekt edhe nga Shekspiri, për dashnorët e Veronës. Thanas Medi sjell dashnorët e Rovinës në letërsinë shqipe me një elegancë, dhembshuri e dinjitet, që s’mund t’i lerë lexuesit shqiptarë indiferentë; ma merr mendja, as të huajt.

Libri këndohet. Nganjëherë si këngë vaji. Nganjëherë si himn i ndjeshëm për gruan, dashurinë, të bukurën. Teksti e merr me vete lexuesin siç merr një lumë i rrëmbyer gjethet e vjeshtës. Thanas Medi ka shkruar edhe romanin: “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, padyshim një roman me peshë misionare e shkrim mjeshtëror – i njëjti autor shkruan Valsin…, një roman pasionant, një vals marramendës i shkrimit në gjuhën shqipe.

 

Ervin NEZHA

Raporti i individit me shoqëritë totalitare

“Valsi i një dasme fantazmë”

Dashuritë e mëdha zotërojnë forcën për ta tjetërsuar njeriun, ndërsa, kur ato qëllon të jenë të ndaluara, shpërfytyrimi i individit është i pashmangshëm. Kjo është deviza më e dallueshme që tejçon Thanas Medi përmes romanit të tij të fundit “Valsi i një dasme fantazmë”. I shkruar në formën e një romani agregat, ku tri personazhet kryesore: Leko Zavalli, Markela Gajtani dhe Andon Çerepi gërshetojnë dramën e jetës së tyre, ky roman, në mënyrë indirekte, trajton një filozofi kontradiktore që Medi ngre që në kapitullin e parë: “Nëse bashkimi i fateve të individëve në një shoqëri është bërë nga forca dhe jo nga dëshira, atëherë kjo shoqëri është e ngjizur nga pasinqeriteti.” Dhe në fakt, ngjarjet e rrëfyera janë ngjarjet e një kohe të pasinqertë, kur përpjekja groteske për të ndërtuar “njeriun e ri”, proletarin, prodhon qenie të zbrazëta si Paskal Içi, imoralë si Xhevo Kumria, monstra si Gafur Bisha, viktima si Markela Gajtani, qenie irracionale pa botëkuptim si Leko Zavalli dhe njerëz pa qëndrueshmëri individuale si Andon Çerepi. Përmes rrëfimit të brendshëm zbërthehet i gjithë botëkuptimi i një province të vogël, “Rovinës”, ndërsa përmes vëzhgimit të jashtëm skanohet një mikrobotë e mjerueshme, ku varfëria, vuajtja dhe frika janë ulur këmbëkryq. Kështu, provinca e vogël në rrëfimin e autorit kthehet në një simbol të çdo province, të çdo qyteti dhe fshati të Shqipërisë komuniste, ku vigjilon diktatura e proletariatit, ku kryhen krimet më monstruoze për hir të ruajtjes së unitetit dhe ku gënjeshtra e hipokrizia kanë veshur qyrkun e së vërtetës. Thanas Medi është një shkrimtar i rrallë, sepse jo vetëm kujdeset si rrallëkush për elegancën e frazës, cilësinë e kompozimit të romanit, por edhe për subjektin e bukur, tërheqës, me intrigë të fortë, çka edhe pse i jep veprës doza lustracioni i fal nga ana tjetër një raport më gjithëpërfshirës me lexuesin, duke mos e kategorizuar për asnjë moment atë. E gjithë ngjarja merr hov kur Markela Gajtani, një studente nga Tirana, internohet nga regjimi komunist drejt një province të largët, vetëm e vetëm se ishte e bukur dhe me dukjen e saj “kërcënon” moralin e një shoqërie, që në qelizat e saj më të thella është e denatyralizuar, sepse i shpall luftë së bukurës. Mirëpo ky regjim i fortë, i cili trembet nga bukuria e një vajze, harron se edhe në provincë ekzistojnë njerëz prej mishi dhe gjaku. Përmes një subjekti plot intriga, Markela Gajtani, padashur, shndërrohet në “tehun” e një gijotine, që u qëndron dy djemve të rinj mbi krye. Ata janë dy natyra të ndryshme. Andon Çerepi, një komunist i ri, i zellshëm, me aspirata për jetën, por nga ana tjetër një qenie e dyzuar dhe Leko Zavallit, i cili është pikërisht gjithçka tjetër që nuk është Andon Çerepi. Është shumë interesante analiza psikologjike që u bën Medi personazheve të tij. Duke rrëfyer në të tri vetat, diçka e rrallë kjo për romanin, përfitohet një trill artistik i veçantë, ku herë rrëfen personazhi për të familjarizuar dhe përgatitur identitetin e vet për ndryshimin e sjelljes që do ndodhë e herë kalohet në koment psikologjik, i cili ka për qëllim të veprojë mbi identitete të tjera të kësaj bote të trilluar. Ajo që më së miri mësojmë nga ky roman është fakti tragjik se në shoqëritë tradicionale, individi dhe shoqëria ekzistojnë në të njëjtën kohë dhe çdo veprim i individit, jo vetëm është në ndikimin e shoqërisë, por, në regjimet totalitariste, ky veprim është edhe i vëzhgueshëm krejtësisht. Në përfundim, përderisa “Valsi i një dasme fantazmë” e quajtëm një roman agregat, dimë se romani i Leko Zavallit përfundoi atje në birucat e errëta të komunizmit; çka edhe nëse ai hipotetikisht të ketë mundur të dalë që andej gjallë, romani i tij është i mbyllur, ai është romani i qindra të burgosurve politikë, që edhe pasi fituan lirinë, ishin qenie tragjike dhe të huaja për shoqërinë dhe nuk u adaptuan kurrë, sepse humbën gjithçka. Romani i Markela Gajtinit u mbyll atje në Rovinë. I vetmi roman i hapur mbetet ai i Andon Çerepit, komunistit, frikacakut, proletarit, të dashuruarit dhe… Të gjitha këto epitete, përtej moralit dhe hipokrizisë, frikës dhe egoizmit, e bëjnë atë hero, heroin e vërtetë të romanit, sepse ai është në përpjekje të vazhdueshme për të njohur vetveten. Por edhe pse ai nuk e realizon dot njohjen e vetvetes, mbërritja e kësaj njohje absolute realizohet nga ne si lexues. Ne e mëshirojmë sërish këtë hero të përfshirë brenda keqardhjes për mosmbërritjen e synimit të tij…

Autori
Arbër Ahmetaj
Kryeredaktor   | [email protected] | Website

Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.

Autori
Ervin Nezha