Press "Enter" to skip to content

Portret vrasësish në grup

“Portret vrasësish në grup”, roman, Dashnor Kokonozi, “Uegen”, Tiranë 2020

Më në fund gjendet një zgjidhje. Shtrenjtimi i jetës, korrupsioni, vrasja e shpresës, kufizimi i lirive, dhuna, deri edhe vdekja nëpër komisariate policie, do të marrin fund së shpejti, pasi një grup studentësh, të frymëzuar nga një teori e mësuar në bankat e shkollës, do të sjellin riekuilibrimin e shoqërisë, paqen dhe drejtësinë sociale.
Ngjarjet e romanit zhvillohen në një qytet që i ngjet fort Tiranës e në një shoqëri që shëmbëllen me tonën. Pastaj kemi edhe mjaft elemente të tjera identifikuese të kohës dhe vendit. Emrat e personazheve janë si emrat e fëmijëve tanë, shqetësimet e tyre të moshës, raportet e vështira, frikërat dhe pikëpyetjet i kanë të ngjashme me krejt të rinjtë e botës. Cila do jetë e ardhmja e tyre? A mundet gjithkush të jetë nip i presidentit, që të emërohet sapo të diplomohet në Drejtorinë e Aviacionit apo të Doganave? Ja kështu hyjnë në libër, të revoltuar, me një solidaritet e miqësi të bukur, personazhet, si: Alma, Drini, Erta, Grisha, Ilena, Pavli etj. Pastaj edhe profesori i tyre enigmatik, shqiptaro-amerikani i ‘Shoqërisë së Hapur’, Matish Vogli, që u mëson studentëve antropologjinë politike. Në krye të shtetit, si simbol, por edhe si tabelë qitjeje, është Adrian Dombrovski, i divorcuar nga e bukura Noemi, për arsye të një tërheqjeje homoseksuale. Kjo nuk dihet publikisht.
Studentët protestojnë për të drejtat e tyre. Askush nuk i dëgjon. “Vetmia kolektive”, siç e quan njëri prej tyre, apo indiferenca shkon deri aty sa ata ëndërrojnë që policia t’u thyejë ndonjë kockë, veç që dikush, ndonjë media apo ekran t’u zgjasë një mikrofon për të bërë publike kërkesat e tyre. Kjo jo vetëm që s’ndodh, por, nga një valë arrestimesh, në rajonin e policisë vdes Erta, shoqja e tyre. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë pasojnë deklarata kontradiktore, por, në fund të fundit, asgjë nuk ndodh. Vdekja e Ertës, e cila nuk pranonte parfum tjetër në trupin e Almës veç atij që i kishte dhuruar vetë, përbën nyjën dramatike të motivimit të aksionit që do vijojë. Në krye të tij, natyrshëm, vihet Alma, e cila prej kohësh dëshmon interes për zhvillimet dhe teoritë politike, por një leksion i Matish Voglit i tërheq vëmendjen. “Sipas një profesori të shquar, që vëzhgonte një grup primatësh babuinë në Afrikë, meshkujt alfa, shefat e tribusë, jetonin mirë, pasi ushqeheshin mirë e përfitonin nga femrat më të mira të grupit. Matjet e hormoneve të stresit tek ata tregonin rezultate të ula. Tek kopeja, niveli i stresit tregonte shifra shkatërruese. Mrekullia ndodhi ditën kur iu afruan një qendre banimi: meshkujt alfa u rrëmbyen anëtarëve të kopesë një ushqim të kontaminuar me mikrobin e tuberkulozit. Ata vdiqën dhe jeta në koloni filloi të përmirësohej. Niveli i stresit në kope ra, ushqimi ndahet më mirë, empatia fiton. Rezultati?
Alma përfundon me bursë në Hungari, për të ndjekur në Universitetin e Hapur Europian kurset e një profesori shumë të njohur në fushën e antropologjisë politike. Sillet i njëjti shembull, veç kësaj here, meshkujt alfa, dhunuesit, zullumqarët e kopesë, vriten nga vetë kopeja, jo aksidentalisht nga ushqimi i helmuar. Ky është rregull i vjetër në shoqërinë e primatëve…
Alma, sapo kthehet në Shqipëri, u flet miqve se zgjidhja e problemeve të shoqërisë nuk kalon as përmes revolucioneve, as përmes modeleve të demokracisë athinase, me zgjedhje e rotacione, por përmes dhënies së një mësimi të mirë, pikërisht atij që mishëron pikën kulmore të pushtetit. E “logjikisht”, pas debatesh e dyshimesh të natyrshme, vendosin të vrasin Presidentin!
Sa qesharake, aq edhe tensionuese për organet e ruajtjes së rendit; mediat fillojnë të flasin, shoqëria nuk është më ajo e para. Një klimë frike dhe pasigurie mbizotëron. Grupi i studentëve miq, tashmë është një grup vrasësish potencialë nën vëzhgim të përhershëm. Po çfarë ndodh?
Libri është shumë tërheqës, një triller politiko-kriminalistik, me gjetje të bukura, të mençura, me disa të tjera më pak, por fiks si ato të filmave me aksion. Ajo që e bën të veçantë e të pa pritshëm fundin e librit, është një ndërthurje gjaku mes personazheve, e panjohur deri në ato momente dramatike.
Romani lexohet me endje, ka pasazhe të mrekullueshme të marrëdhënieve mes të rinjve, por jo vetëm. Mbi të gjitha është i pazakontë, pasi, siç jemi mësuar prej filmave policorë, robotët përpiqen të bëjnë portretin e një vrasësi, ndërsa Dashnor Kokonozi, si romancier, ka arritur të bëjë një portret vrasësish në grup.

Autori

Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.