Një mijë zemra t’pa njohura
hedhin valle rreth asaj që të pëlqen;
në ballkon është ftohtë
e hëna pikon bronz mbi liqen.
Ka shumë dritë
e trafik.
Ti ke lëkurë me lule kopshtijesh,
ëndrrën e ariut për mjaltë në buzë
dhe pak shi vere në sy.
E ke edhe një “google map”,
që t’mëson se si hyhet në Trojë,
por, ti e di:
festa merr fund
me plojë.
Ja pse nuk jepesh, rri jashtë
mureve, rrethuar nga ushtarë;
nuk do të hysh me hile,
nuk do të hysh në garë!
Se ti e di:
kush merr drejtimin e erës,
ka fatin e gjetheve të vdekura.
Kush ecën kundër saj,
ndoshta vonë, por
arrin në stinën e frutave të pjekura!

Arbër Ahmetaj
Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.







Be First to Comment