Mamit
Prill 1987
Gjelat e parë e kishin çjerrë errësirën prej orësh, por ajo, në dritën e abazhurit, për të mos u prishur gjumin tri vajzave, që flinin veç pak metra larg, vazhdonte të qepte. E nguli dhe nxori gjilpërën edhe një herë të fundit, lidhi fillin rozë disa herë nyje rrëzë qepjes, e preu veç disa milimetra sipër saj, e ktheu parsh fustanin, shtriu krahët dhe e ngriti përpara vetes. E kundroi me aq dashuri, sa sytë gati i shkreptinë xixa. E imagjinoi të voglën e saj brenda atij fustani tek vallëzonte para qindrave spektatorëve në kinemanë e qytetit: ja ku po bën ca pirueta dhe e vrundullon ajrin me lëvizjet e hijshme dhe elegante prej balerine të vogël. Flokët gështenjë e të gjatë i ka kapur topuz sipër kokës, stolisur me një fjongo mëndafshi rozë e lehtë, gati-gati në të bardhë, që ajo vetë ia ka stiluar me shumë kujdes, getat e bardha ia theksojnë edhe më tepër këmbët e holla, puantet në shputat e vogla dhe ja fustani, që derdhet bukur në trupin e lules së saj të brishtë.
Frika se nuk do ta bënte dot gati fustanin për të bijën, tashmë ia kish lënë vendin lumturisë. Ishte e sigurt që kishte bërë një punë të mirë. Imagjinonte lumturinë e Orlës kur të hapte syçkat larushe pas ndo një ore e në karrigen pranë shtratit të gjente fustanin.
“Oh, e vogla ime”, mendoi, “fjeti me trishtimin se në shfaqje nuk do mundet të veshë fustanin që e ëndërroi aq shumë”.
Pak ditë më parë
Pranvera kishte trokitur prej javësh e dielli piqte si në korrik. Lulja, me tri bijat – Borën, dymbëdhjetë vjeç, Orlën nëntë dhe Andën dy vjeç e gjysmë – shkuan në mapon e qytetit. Do t’u blinte sandale. Sa merak e kishte pasur gjithmonë t’i vishte bukur e me shije vajzat. Flokëve nuk u mungonin kurrë karficat apo kordelet, çorapet e bardha ishin “detyrim”, ndërsa zgjidhte copat më të bukura, që, prej duarve të mikes së saj rrobaqepëse, Dianës, dilnin fustane elegante e tepër të hijshme.
Atë ditë, mapoja e lagjes “Çelepias” ishte dyndur nga njerëzit. Në fakt, gati të gjithë shtyheshin te dyqani i sandaleve. Shitëset e tjera, ulur në stola druri, dukeshin të përgjumura pas banakëve të tyre të heshtur. Pas gati një ore në radhë, mes njerëzve që kishin krijuar një miting të vogël, që provonin sandale, i kthenin e provonin të tjera, më në fund arriti t’u blinte vajzave çka pëlqyen. Veç më të voglës ia zgjodhi vetë.
Orla, pasi i shtrëngoi të vetat në gjoks, e tërhoqi të ëmën në dyqanin e fundit të asaj salle të madhe, shtruar me pllaka të zeza me lara. Shitësja, një grua e bëshme, mbi të dyzetepestat, me flokë të dredhura në korrent, në një ngjyrë ndryshku, që më shumë të jepnin idenë e kashtës së përvëluar nën diell, sikur u gjallërua kur pa klientet përpara vetes.
Orla ia nguli sytë një fustani rozë, me një copë të derdhur si mëndafsh, me ca dantella të holla si erashkë e vogël, që zbukuronin zhaponetë (i kish ngelur në mendje erashka e Madamë Baterflait në pjesën e baletit që kish parë në televizor ca ditë më parë). Edhe rreth e qark jakës rrumbullake ish qepur e njëjta dantellë, por pa frudha, që vinte në një rozë më të thellë se ajo e fustanit, njëjtë me ngjyrën e rripit të mëndafshtë, që shtrëngonte mesin. Poshtë hapej në një veref të shkurtër, qemeri i së cilës ish qëndisur me ca rruaza tepër të vogla e gati-gati të tejdukshme, pikërisht si ato të shamisë së qëndisur të gjyshes, që mami mbante në sirtarin e parë të komosë, kujtim nga nëna e saj.
“Si fustan princeshe”, mendoi Orla dhe me mend e hoqi nga varësja kapur në një nga raftet e drunjta dhe e hodhi mbi shtat. Sa bukur dukej!
Pa i hequr sytë prej andej, filloi të ndukte të ëmën nga rrobat.
– Do t’u martokan larg vajzat, – hyri drejt e në bisedë shitësja me flokët si kashtë e përdredhur.
Lulja i fali një buzëqeshje të lehtë, sa për t’i dhënë pak atmosferë të ngrohtë bisedës, ndonëse nuk kuptoi asgjë. Por shitësja nuk e la të mendohej gjatë:
– Do të martohen larg, po them. Të tria, – ia priti dhe, sikur ta kish pickuar diçka nga këmbët, brofi, i dha trupit përpara e gati u shtri mbi banak duke i vështruar vajzat drejt e në sy. – A i ke të tuat? – u kujtua të pyeste.
– Po, – u përgjigj si e hutuar Lulja.
– Eh, se thashë mos ndoshta… ku i dihet. Se këto dy të mëdhatë ngjakan shumë me njëra-tjetrën, një fytyrë paskan, por kjo e vogla… hëëëmmm hiç, po hiç fare… Le që kjo qenka kopja jote, ç’them edhe unë… – dhe pa pritur as konfirmim, as kundërshtim, vazhdoi në qejf të vet: – E që po të thosha, do të martohen ehuuu sa larg. E di pse? Se i kanë vetullat larg njëra-tjetrës. Ja këtu… e sheh? – dhe vuri gishtin mbi kanalin mes vetullave të saj, që formonin gati një të vetme. – E kanë goxha largësinë… Dorë me një është… Ja unë…ngjitur i kam e te dera përballë u martova…
Lulen e kapi e qeshura, por u mundua ta mbante. Hutimi ia la vendin një lloj ngazëllimi të pashpjegueshëm që i falnin tipa si ajo që kish përballë. E në klinikën dentare ku punonte, kishte hasur shumë të tillë.
Ndërkohë, Orla vazhdonte t’ia tërhiqte lehtë teshat, për t’i fituar vëmendjen. Kur e pa që shitësja as që kish ndërmend t’ia lëshonte të ëmën, i tha:
– Ti teta, që i dikërke të gjitha, pa më thuaj, a do më rrijë mirë mua ai fustani rozë?
Teta-shitësja shpërtheu në ca të qeshura të forta, që kumbuan e lëvizën edhe raftet e dyqanit.
– Po ti qenke dreqi vetë moj… thashë unë, do të rrëmbejnë larg ty…!
Pastaj kapi fustanin, i pa edhe njëherë masën, si për të vërtetuar që nuk kishte ndryshuar nga hera e fundit, dhe vetullat iu bënë gati kaçurrel si flokët:
– Ti je sa një mizë për këtë fustan. Është masë e madhe, – dhe e vari përsëri si me urdhër.
Sytë e trishtuar të Orlës vështruan dyshemenë. Sa e kish pikasur që larg atë fustan, kish filluar të ëndërronte sikur vallëzonte me të. Shfaqjen e baletit e kishte vetëm pas një jave e si balerinë e parë kishte të drejtën e një fustani ndryshe nga vajzat e tjera të grupit, që zakonisht vishnin çka u jepnin nga gardëroba e pallatit të pionierit, por, herë-herë, fëmijët i siguronin vetë veshjet.
– A mund ta gjejmë në masë më të vogël? – pyeti Lulja, që lexoi mendimet e së bijës. Trishtimi i saj sikur ia mori frymën.
– Aaa… vetëm këtë kam. Të shoh mos gjej tjetër pas një muaji, kur të marr furnizimin.
– Po mua më duhet brenda javës…! – u ankua me gjysmë zëri e vogla.
Koha u zvarrit ngadalë për Orlën, ndërkohë që shfaqja afrohej. Kështu i ndodhte sa herë vihej në pritje të diçkaje. E torturonin pritjet, por edhe më shumë refuzimet. Ditët i ndante mes shkollës dhe provave të baletit, ndërsa mbrëmjeve, kur e lodhur dhe e përgjumur vinte kokën në prehrin e së ëmës, jo rrallë shfrynte një duf mërzie:
– Sa e doja atë fustan! – dhe syçkat i errësoheshin prej trishtimit. – Ma, a mund të ma qepë teta Diana një fiks si ai?
– Po teta Diana ka shkuar në Vlorë te prindërit, zemra ime.
– A nuk ka rrobaqepëse tjetër?
– Ka, por vështirë se mund ta gjejmë atë lloj cope dhe ta qepim në kaq pak kohë.
Orla trishtohej sërish. Netëve, ëndërrimet e çonin në atë sallë të mbushur plot e ajo e veshur si princeshë i mahniste të gjithë me kërcimin. Zyshë Dorina e baletit i thoshte që dukej një yll i vërtetë e shoqet e kundronin të mahnitura. Por ajo do t’ua jepte të gjithave nga një ditë ta vishnin fustanin e saj. Veç ditën e shfaqjes e donte për vete.
Ja me këto mendime e zinte gjumi gati çdo mbrëmje. Lulja nuk kishte lënë vend pa kërkuar për copën, por pa rezultat. Kështu, ditën e fundit para shfaqjes i shkrepi një mendim: vërtet fustani ishte tri masa më i madh, por me pak fat mund ta përshtaste mirë për shtatin e imët të së voglës. Shansi apo dëshira e ethshme e së bijës e kishte ndihmuar: fustani nuk ishte shitur. Priti sa fjeti balerina e saj dhe iu fut punës: mat, pri, ngjit e qep e ndonjëherë e kapte e qeshura kur kujtonte shitësen e mapos dhe zemërimin e së bijës: “Le të martohem larg, veç vetullat si të asaj që i merr fustanet sa për veten nuk i dua!”, kish thënë, duke u përpjekur të mbante lotët.
…
Gjithë natën u qërua për t’i falur dritë e shkëlqim syve larushë të së bijës. E vështroi edhe njëherë e kënaqur, e vari fustanin në karrigen e drurit, që e afroi pranë shtratit të Orlës, dhe vetë u kruspullos te këmbët e saj, derisa dielli të shkelte syrin mbi kodrën e kalasë e të shkëlqente grilat…
21 janar 2021
(Shkëputur nga libri me tregime “Trëndafila dhe qiparisa”, botim i “RL Books”, Bruksel. E gjeni në të gjitha libraritë online të botës, si dhe në Bruksel, Tiranë, Pogradec, Berat…)
Ornela Musabelliu
Ornela Musabelliu është shkrimtare dhe botuese e Revistës Letrare.









