Press "Enter" to skip to content

“Banketi i hijeve” dhe hija e rëndë e shkrimtarit Zija Çela

Zija Çela, ndër shkrimtarët më të afirmuar bashkëkohorë shqiptarë, në romanin “Banketi i hijeve” ka sjellë me plotni si personazh kryesor një të vdekur. Vdekja dhe subjektet e saj kanë përbërë prej në krye të herës lëndë për letërsinë e madhe. Romani ka në qendër të shqetësimit të tij jetën në një lagje të planetit, banorët e së cilës kanë krijuar hierarkinë e tyre zyrtare, zakonore, morale, pasurore. Jetojnë në ankthin e së nesërmes dhe në paqartësinë e së shkuarës së tyre, si kudo. Ajo që shënjon këtë sipërfaqe të dheut dhe e bën të veçantë është intensiteti i përjetimit të legjendës, të vdekjes, të ikjes dhe kthimit te rrënjët, por, mbi të gjitha, është shpirtëzimi i kompleksit të Edipit. Në qytetthin e Mamacit është rikthyer Redoni i vdekur. Dardana, e ëma, shfaqet kudo, veç jo para syve të tij. Ajo ka frikë nga i biri. Qytetasit e këshillojnë djalin të martohet me të ëmën. “O Zot, mamacianët po më martojnë vetë me time më!”. Kjo, gjithsesi, do ta reduktonte romanin në një rrëfim të mërzitshëm, me përfundim të njohur edhe prej shkollarëve, sikur Zija Çela të mos e zotëronte deri në perfeksion mjeshtërinë e rrëfimit, të skalitjes së personazheve, të mbajtjes peshë të tensionit dhe intrigës, sikur të mos kishte aftësinë e mrekullueshme që jetën e përmbledhur mes burgut dhe kasaphanës, mes bibliotekës dhe dashurisë, mes marramendjes së legjendave dhe historive të panumërta të banorëve të Mamacit të na e përshkruante jo veç me një gjuhë fort të pasur, por kryesisht me një stil të rrallë në letrat shqipe. Romani, siç thashë, bazohet mbi dashurinë e nënës për të birin, dashuri që e ka ringjallur këtë të fundit, e ka kthyer nga përtej jeta! Kjo është fort pështjelluese për qytetin, i cili edhe mallkimet i ka të rënda, të papërballueshme: “Të pafsha te Gurët e Përçudnimit!”, formë e monumenteve të turpit, diku në periferi të qytetit: “Është bir i tim biri dhe vëllai i tim shoqi!”. Dalëngadalë drama zbulohet me përmasat e saj të plota, pasi shumica e personazheve kanë pengje, amanete, dëshira që nuk arrijnë kurrë t’i plotësojnë. Kjo impotencë, siç duket, nxit tek ata kënaqësinë perverse, shqetësimin e tyre themelor: shkatërrimin e tjetrit. Në këtë avullamë, ata nuk kursejnë as pemët (u ndal tek arra dhe ia nguli thonjtë, si të shtrëngonte dikë për fyti), por kjo gjë diktohet nga paranoja parake se fati apo fataliteti i njeriut mund të përcaktohet edhe nga një bimë, nga një trung arre. Absurdi dhe përmasat e groteskut e kapërcejnë kufirin logjik kur gjithë Mamaci përfshihet nga ethet e kungullit, kur biblioteka e qytetit mbushet me botime nga e gjithë bota për këtë bimë. Kjo përjetohet si dramë edhe nga një zyrtar i rëndomtë, çka tregon se përmasat e tmerrit janë të besueshme dhe të frikshme edhe për qenie të imta njerëzore.
Mamaci i Çelës është plot e përplot me jetë, me kurvëri e me hasmëri, me tregti e me festa, me idiotësi e me burg, me të marrë e me të mençur, me emigrantë të ikur e të rikthyer, me të vdekur e të gjallë, që enden herë me krye e herë pa krye, me armiq përballë, me armiqësi të vjetër sa jeta. Autori mban nën kontroll jo vetëm linjat, personazhet, por edhe detaje e gdhendje nga më të imtat, të cilat i sjell e risjell në mënyrë të befasishme për kënaqësinë më të madhe të lexuesit. Ajo që e shndërron leximin e këtij libri në një kënaqësi të vërtetë është aftësia e shkrimtarit që të përziejë në të njëjtën materie letrare hiperbolizime fantastike me mite e rrëfenja të vjetra, që i japin shkrimit një natyrë eterike e mistike, njëherësh e këndshme për t’u lexuar dhe marramendëse si përfytyrim. Nëse vërtet nuk arrijmë “të dëgjojmë zhurmën që bën rruzulli i tokës duke u sjellë në boshtin e vet”, siç i ndodh një personazhi të Çelës, e sigurt që ndiejmë gurgullimën e pastër gjuhësore dhe mjeshtërinë e një shkrimtari të madh bashkëkohor.
“Banketi i hijeve” është botuar nga “Dukagjini”, Pejë, 1997.

Autori
Arbër Ahmetaj
Kryeredaktor   | [email protected] | Website

Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.