Press "Enter" to skip to content

Epidemia e lirisë te Mehmet Kraja

“Liria ime”, roman, “Onufri”, Tiranë 2021

Mehmet Kraja, në këtë roman të fundit, fillimisht duket sikur po shkruan tregime. Të gjata, disa shumë të gjata.  Një qen i vogël në aeroport, i humbur, i pashpresë dhe një mori personazhesh, që qendër gravitacioni kanë aeroportin, si “no man’s land”, por që tërhiqen nga një fuqi tjetër e errët, po aq e enigmatike sa ajo e gravitacionit, pesha e kujtimeve, e së shkuarës së tyre. Aeroporti shërben si nyje apo si pikë nisjeje drejt së ardhmes, e cila aq pashpirtshëm i ngjan së shkuarës. Ikin deri në Irlandë, Gjermani, Zvicër, veç si te skena e fundit e pjesës së Becket, “Duke pritur Godonë”, ku personazhet duan të nisen, të ikin, ngrejnë një hap e ngrijnë, gozhdohen aty. Presin zotin. Po personazhet e këtij romani çfarë presin? Liria ka ardhur. E shkuara e tyre rikthehet jo veç në të tanishmen e tyre, por përbën edhe horizontin e së nesërmes. Jeta e Halil Demajt, Sabit Ymerit, Hysen Ramës, Nazlijes, Bujar Sylës, Muharrem Marmelushës, Selim Krasniqit, burrit të Sanijes, Afërditës së qenit dhe e vetë atij qenushi vjen në roman me një intensitet e ngjyra të forta, por duke qenë se jeta e tyre ka qenë krejtësisht e pavlefshme, lexuesit i duket herë-herë se jetë të tilla s’meritojnë jo të sillen në letërsi, por as të jetohen. Po, siç kuptohet gjatë leximit, ky është kurthi stilistik, kjo është mjeshtëria e autorit, pasi duke sjellë përbuzjen që ata kanë për jetët e tyre, na kujton se shpesh në jetë bëjmë edhe ne si ato personazhe: u dorëzohemi iluzioneve, ideologjive, ndjesive të trupit e kënaqjes së tyre të pafre. Nganjëherë hedhim në letër ato që jetojmë e na kap deliri se jemi autorë të ndonjëfarë dorëshkrimi me vlera të përbotshme e herë tjetër, ajo që na ndodh ta jetojmë, na duket aq e jashtëzakonshme sa mendojmë se të gjitha enciklopeditë e botuara të nesërmen do ta përmendin me domosdo emrin tonë. E nuk dorëzohemi asnjëherë në udhën e mrekullueshme të budallallëkut e të kotësisë. Ka personazhe që kanë bërë edhe vepra heroike, kanë marrë pjesë në ngjarje të mëdha, për të cilat as që i bie kujt ndërmend. Dëshpërimi i tyre na bën të qeshim, pasi autori s’ka dashur t’i mbështjellë me tragjizëm, madje e ka shmangur me shumë finesë gjykimin për ta. Janë personazhe me të cilët s’do të donim të identifikoheshim si lexues, por që, gjithsesi, na tërheqin e na mësojnë shumëçka nga palumturia e tyre (e jona).
“Liria ime” nuk është roman i rrëfimit të një ngjarjeje që të mahnit, por i një stili që të përpin.
Edhe pse diskrete, prania e autorit futet në rrëfim duke hutuar lexuesin, i cili, deri në ato çaste, mendonte se ka një narrator. Kjo bëhet aq e këndshme, sidomos kur në rrëfim vijnë emra konkretë figurash publike të botës shqiptare, të cilët, ashtu papritmas, përmbysin situatën e trishtë të personazheve e vezullojnë në një çast humori të këndshëm, pasi emri i përmendur, në shumicën e rasteve, as që ka lidhje me ato që rrëfehen. “…thuhej se udhëzimet për demonstratat e vitit 1981, organizatorët i kishin marrë nga një profesor i Tiranës, Androkli Kostallari… …por, nuk e kishte të qartë se çfarë lidhjeje kishte kjo me Aidën, që nuk kishte qenë e virgjër natën e parë të martesës”.
Një personazh është i bindur që Zoti është fashist, ndërsa një tjetri i duket se jeta e tij kishte qenë e shkurtër dhe e komplikuar, si epitaf mbi varrin e një komunisti.
Keqkuptimet e këtyre personazheve janë vërtet të trishta për ta, por lexuesit i mbeten në mend, pasi një lloj humori i lehtë, i paqëllimshëm, krijohet gati në çdo faqe. E kjo është një cilësi shumë e mirë e shkrimit të Mehmet Krajës. Gjithë ajo zymti s’do ishte përballuar dot pa këtë element elegant të shkrimit. Ekonomia e dritës, mungesa e ngjyrave, lëvizja e somnambulët e karaktereve, ritmi i brendshëm i shkrimit, fjalitë e gjata dhe thyerjet e befta e shndërrojnë këtë tekst në një skenar filmik të konceptuar për të shkaktuar drithërima. Kjo mjeshtri shkrimi s’vjen si habi, pasi Kraja ka shkruar katërmbëdhjetë romane, pesë libra me tregime e disa pjesë teatrore. Nganjëherë kam dëshirë ta reduktoj numrin e fjalëve për një libër, në një fjali të thjeshtë: Lexova një libër të bukur!
“Liria ime” është roman që kënaq shijet estetike, që e bën mendjen të reflektojë e zemrën të ndjekë me drithërima rrëfimin: tri përmasa që bashkohen rrallë në tekstet e letërsisë shqipe.

Autori
Arbër Ahmetaj
Kryeredaktor   | [email protected] | Website

Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.