Press "Enter" to skip to content

Penelatat e piktoreve prishtinase në Sion

Në maj të këtij viti u hapën në Zvicër ekspozitat personale të piktoreve nga Prishtina, Mjellma Goranci-Firzi e Vlora Kosumi-Ismaili, nën kujdesin e Departamentit për Kulturë të kantonit të Valisit dhe qytetit të Sionit.

Pikturë e Mjellma Goranci-Firzi

Mjellma Goranci-Firzi solli nga Prishtina dhjetëra portrete grash, me sy të mëdhenj, me “sy që shohin gjithçka – siç tha autorja – me dëshirën për ta përmirësuar botën aty ku nuk është mirë e për ta nxitur më tej mirësinë e saj, drejt përsosjes”.
Sensualiteti, hijeshia, inteligjenca dhe forca e gruas tipizohen në portretet e saj përmes një koloriti të kursyer në fytyrë, ngjyrës së zezë të syve dhe përmasave të tyre dominuese në portrete, hundës së bukur dhe një dekoracioni ngazëllues. Kjo gamë e ngrohtë ngjyrash në linja të sigurta të portreteve, u jep shikuesve ndjesinë se ndodhen në prani të grave të prajta, të vendosura e të bukura.
Përkujdesja e penelatave përqendrohet në fytyrë dhe në shprehjen emocionale të portreteve, ndërsa rreth kokës u përhapet një ngjyrë, e ngrirë e monokrome, thuajse si një lloj kontrolli i jashtëm mbi to. Kjo masë kolori, në mënyrë jo koshiente, të transmeton ngurtësimin e kufizimit shoqëror.
Në një grup tjetër pikturash, artistja solli për artdashësit disa punime të një teknike tjetër, në kolazh, si për të dëshmuar kompleksitetin e interesimeve të saj në artin e penelatave.

Pikturë e Vlora Kosumi-Ismaili

Në pikturat e Vlorës binte në sy, aty-këtu, përdorimi i ngjyrës së kuqe të ndezur, e ngjashme me atë të Onufrit. Në pikturat e formatit të madh, edhe interesimi i kësaj piktoreje qe sërish gruaja. Vlora pikturon gruan e dashuruar, që shpërthen në mijëra stërkala drite e ngjyrash, gruan e qetë e meditative, gruan e penguar si brenda rrathëve apo breroreve te portretet e ikonave në artin bizantin. Piktorja pranon se mund të jetë ndikim i studimeve të thelluara që ka bërë pikërisht mbi këtë art. Gra të tejdukshme, plot me dritë e realiste në konceptim, gra të tjera si gjendje, si fusha manjetike, si lëbyrje prej dritës.
Edhe Vlora solli disa miniatura si ilustrim i përpjekjeve për të rrokur një hapësirë më të gjerë teknikash shprehjeje, gjithmonë përmes ngjyrave.
Këto janë përshtypjet e para, të krijuara mbi disa punë të ekspozuara në Sion, në galerinë “De la Treille”, por jam i bindur se artdashësit, që kanë mundësi të vizitojnë galeritë apo studiot e tyre në Prishtinë, do të mund të përfitojnë nga një numër shumë më i madh ngacmimesh e përshtypjesh nga fuqia e artit, ngjyrës dhe shpirtit të tyre artistik.
Dashamirësit e artit, shqiptarë dhe zviceranë, kaluan një mbrëmje plot ngjyra në prani të artisteve. Për një njohje më të afërt me punët e tyre, ju mund të shkoni në faqet e internetit: www.mjellmagoranci.com, https://vlorakosumiismaili.com si dhe në profilet e tyre në mediat sociale.
Përgjatë gjithë javës që u ekspozuan punimet e tyre, dhjetëra e dhjetëra artdashës dhe pronarë galerish patën mundësinë të shijonin pikturat dhe të flisnin për to nga afër me dy artistet. Vizitorët u pritën me shumë dashamirësi edhe nga piktori i njohur Jetullah Halitit-Eti, i cili, përmes Akademisë Europiane të Artit që drejton, po kontribuon në njohjen e artit shqiptar përtej kufijve.

Autori

Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.

You cannot copy content of this page