“Katërdhetë e pak”, poezi, Vlora Ademi, “Onufri”, Tiranë 2023
Librin me poezi të Vlora Ademit besova se mund ta lexoja me një frymë, por disa poezi ma morën frymën, më bënë të ndalesha, të reflektoja. Në fillim e kisha të vështirë të besoja se përmasat e pakapshme të një drame mund të ngërtheheshin brenda një poezie e se dhimbja e një gruaje të përdhunuar mund të gjente shprehje në një tekst poetik. Në disa poezi të ciklit “Kronikë”, përqendrimi i tragjedisë është aq i lartë saqë poezia shndërrohet në klithmë, në një klithmë tronditëse, që të kujton pikturën e Munk ose përmbysjen e tokës e të qiejve në kohët e vjetra parabiblike. Në qendër të shqetësimit poetik është gruaja, poshtërimi i së cilës përdoret si armë e shfarosjes masive, si rrënim i njerëzisë brenda një etnie. Poezitë “Kronikë”, “Boshi birit”, “Unë-ajo”, “Atë ditë m’u çor drita e syve” do t’i kishin mjaftuar një përmbledhjeje me një mijë poezi apo një poeme me mijëra vargje si element dramaciteti, si britmë kozmike për të çjerrë heshtjen ndaj dramës e dhimbjes së tjetrit. Njeriu, poetja, vajza duhet “me i trusë qysh t’muj çantën me shtatëmdhjetë vjetët jetë” e të bëhet “e askurrkundshme”. E nëna që humb të birin e i drejtohet Zotit: “Zot!/ Po qysh mujte aq gjakftohtë me e pa atë dramë?/ Qysh mujte me ma shtrenjtue kaq shumë biletën e lirisë?”. Shpresat e saj për jetë apo gëzim të lirisë zvogëlohen e zvogëlohen deri në atë pikë sa ajo ka frikë se edhe s’do mund dot të vdesë, pasi pret dorën e të birit. “Ah!/ Veç ajo dorë mundet me mi mshelë sytë/ e me m’përcjellë në tjetrën anë”. Pastaj vjen poezia “Unë-ajo”, ku poetja identifikohet me gratë, krimi ndaj të cilave, siç thashë, përdoret si armë e shfarosjes masive. Si do i dalin dritës prap përpara, ato gra të reja me flokë të thinjura brenda natës, si e përpin dhimbën me zor e vendosë me marrë ma të vështirën udhë: zgjodha me rrnue.
Ky cikël poetik i një fuqie të rrallë metaforike e imazhesh goditëse, mbyllet me poezinë “Atë ditë m’u çor drita e syve”, “kur trupit tem shfryhej epsh kazermash” e zemërimi i autores shpërthen ndaj të gjithë atyre që do duhej të bënin diçka për ta shpëtuar: “Asnjeni nuk e qiti hapin me m’i dalë para fatit/ As burri/ as vllaznit/ as baba, as Ai. As Ai, vetë Zoti. Por, siç e përmend me delikatesë Primo Shllaku në parathënien e librit, “kjo temë kaq delikate (…) gjen në formulën poetike të Vlora Ademit një trajtim të denjë, të përkorë, jo skandalizues. Poetja (…) edhe i sugjeron gjanat, edhe e shmang brutalitetin e thelbit të asaj që po serviret në pikun e tragjizmit të vet.
Një libër me poezi është e duhet të jetë në vetvete edhe një përpjekje ekulibruese me sjellë në përmbajtje një tërësi emocionesh, e duket se autorja me përkujdesje ndërron tonet e shpërfaq një lirizëm të thellë, të mençur e të vetvetshëm e sjell këto vargje befasuese:
“Sa i ngratë ndihet një shpirt
kur braktiset nga dëshira për me e pas një dëshirë”
Apo kur konfirmon me dinjitet se është e pangjashme me askënd, se:
“E mas kohën me çaste të lumtuna
dhe vetja gjithherë m’bie tamam”
E do doja të sugjeroja poezin “(Nuk)mundem”, vargjet e saj të fundit:
Mundem me t’u ba qiell, që ta kupton etjen për një pikë shi,
por jo shi, që t’i shuan tana etjet
si përpjekje për të nxitur leximin e kësaj autoreje, vargu dhe gjuha poetike e së cilës “ia ban poezinë, – e s’mund ta them assesi ma mirë se Primo Shllaku – të ngjyrshme dhe lozonjare, sugjestive dhe jetësore, tekanjoze dhe kureshtare”.

Arbër Ahmetaj
Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.