Zemra në re,
noton në ngjyrën e syve të tu,
si shishja e marinarit të mbytur.
Fryn erë brigjeve
e hëna rrjedh në gjethe.
Deti i dashur e i druajtur bëhet kokërr kripe,
në një lot malli.
Më kalli!
Ketri s’i brejti dy lajthitë,
i ktheu, t’i vuri mbi gji.
Kolliten më kot pemët,
t’i dridhin degët;
gjethet s’duan të bien në bar,
nga frika e kalbjes nga shiu i parë.
Zogjtë, prej hutimi,
një prag dimri,
do rrëzojnë,
si në lojë,
nga dega pak dëborë,
e një farë
të tharë.
Shkojnë ujërat nën urë,
muajt e stinët pa bujë.
Do plakem më vonë, e dashur;
tash jemi bashkë!
Kam humbur trena,
se arrija vonë,
të tjerë s’erdhën kurrë.
Orët s’kallëzojnë kohën e dashurisë,
që shpirtit ia ka ënda.
Rrahin sekonda të thata
vetmie,
që s’është e imja këtë herë.
Në derë
troket ti;
populli i qiellit turret
të hyjë brenda.

Arbër Ahmetaj
Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.
Be First to Comment