Po, “në dashuri”, sepse janë vajza të mrekullueshme. Kjo do të ishte e pafalshme për një eksplorator tekstesh, pasi do të vinte në pikëpyetje paanshmërinë e tij. Por bëhet fjalë për personazhe letrare, bëhet fjalë për një roman: “Bijat e gjeneralit”, nga Mimoza Hysa. Subjekti është i ndërtuar mbi jetën e dy vajzave binjake, mbi dramën e tyre e të një shoqërie uniforme, ku veç uniforma përcakton klasën shoqërore, hierarkinë. Të tjerat rrafshohen. Ky i ngjan një denoncimi për një sistem shoqëror, domethënë, një marrje ane për një tjetër sistem. Vajzat e gjeneralit janë aq njerëzore, sa në pjesën më të madhe të leximit të largojnë prej kuadrit të përgjithshëm shoqëror e të zhvendosin krejt njerëzisht brenda vatrave shqiptare (apo çdo vatre familjare e dënuar të mbijetojë në sisteme totalitare), në kuzhinën e familjes, në atë që një frazë e bukur shqipe e përmbledh: “E di luga çfarë ka vegshi brenda”.
Pamja e jashtme, si shumë të tilla, është e gënjeshtërt. Një oficer i lartë i ushtrisë shqiptare, “që nuk bën luftë”, por që është “i zoti ta fitojë një luftë”, ka dy vajza binjake: Marsina e Martina. Vini re, edhe emrat i kanë gati të njëjtë; u ndryshon veç një shkronjë. Ato rriten, ushtaraku i lartë, që ato e thërrasin me ëmbëlsi “gjeneral”, kujdeset për mbrojtjen e familjes së tij, por atdheu është i pari. “Unë jam ushtar i atdheut”, shqipton “gjenerali”, emri i përveçëm i të cilit anonimizohet pothuajse krejt. Dekada më vonë, binjaket i shkruajnë njëra-tjetrës apo romancierja ndërton një dialog fiktiv mes tyre – përmes kësaj teknike ndërtohet romani. Herë njëra, herë tjetra. Titujt e kapitujve kanë këtë alternim: Marsina versus Martina. Ato flasin për të njëjtat ngjarje, për të njëjtat personazhe, rrëfejnë emocionet dhe ndjesitë, mendimet dhe reflektimet e tyre mbi të njëjtin subjekt. Binjake të një veze, vajzat ngjajnë. Drama fshihet pikërisht te ndryshimi mes tyre. Sepse ato s’janë njëlloj. Madje gjatë shkrimit, autorja është kujdesur të na i paraqesë krejt të kundërta, me ato lëkundje që i nisin herë-herë drejt njëra-tjetrës, drejt një përngjasimi, por që ngjarjet e romanit i rivendosin në kundërshti. A bëhet fjalë për dy gra të reja shqiptare të fund viteve 1980, apo bëhet fjalë për atë shqyerje të pashpirt personaliteti, për atë çarje të thellë që u krijua në individualitetin e çdo qenieje në atdheun e poshtëruar? Autorja s’ka përgjigje. Ajo ka rrëfimin, ka cilësinë e shkrimit. Hamendjet e lexuesit veç ia rritin interesin dhe tensionin rrëfimit.
Por çfarë ndodh në të vërtetë? Mar(s/t)ina bien në dashuri; dashuria e tyre duhet të jetë në lartësinë e monumentit të gjeneralit. Për këtë kujdeset një kushëri nga fshati. Se ironia nis pikërisht këtu. Krijimi i një kaste false, me njerëz të zellshëm, sado të ndershëm e patriotë, është një farsë e destinuar të dështojë. Kushëriri, oficer i një tjetër ministrie, më të pistë, kujdeset “shumë mirë” për vajzat e idolit të tij. Ngjarjet rrjedhin e romani është aq tërheqës, aq me tension, aq me dramaticitet, sa është e pamundur ta ndalësh leximin. Në këtë tekst do ta kursej dhënien e subjektit me pak fjalë.
Leximi i këtij romani më ka krijuar një ndjenjë respekti të thellë për autoren e romanit, për autoret shqiptare dhe shkrimin shqip. Pas një periudhe të gjatë, ndoshta krejtësisht të domosdoshme, autorët shqiptarë, e Mimoza Hysa veçanërisht me këtë roman, dëshmojnë pjekurinë e një proze, e cila jo veç nuk pajtohet me të keqen, me të shkuarën poshtëruese, pa hedhur asnjë lule në shkëlqimin e së tashmes, por edhe po krijojnë letërsinë e pashmangshme të reflektimit, letërsinë e pyetjeve të thella: Pse vepruam ashtu, pse u degraduam në asgjë, pse nuk arritëm t’i ruanim farat e humanizmit e të sjelljes së natyrshme të kombeve që rezistojnë ndaj së keqes?
Bijat e Gjeneralit është një roman i shkruar me elegancë, me një gjuhë tingëlluese, aty-këtu me metafora e thyerje të befta të mendimit, me mençuri, me dikotominë e personazheve kryesore, (në fakt të turbullojnë, një apo dy vajza ka gjenerali?) që të bëjnë të qeshësh, por, mbi të gjitha, të bëjnë të reflektosh. E andej nga fundi i tekstit, romancierja nxjerr artilerinë e rëndë të talentit: e mbyll romanin me një epilog marramendës.
Po! Rashë edhe unë në dashuri me bijat e gjeneralit.
Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.