“Kujtimet e një çifuti”, roman nga Ardian Haxhaj, “Faik Konica”, Prishtinë 2010
Ardian Haxhaj, duke “shfletuar” kujtimet e një çifuti, i sjell lexuesit Kosovën e tmerruar të Luftës së Dytë Botërore. Me sytë e një të huaji, po aq të tmerruar prej ligështive, vihen në dukje ankthet e dy kombeve e dy prej popujve të vjetër të globit, çifutëve e shqiptarëve, të vënë para sfidës së zhdukjes përfundimtare: shqiptarët prej serbëve, hebrenjtë prej nazistëve! Historia e dy popujve është e mbushur me net të përgjakshme; ajo e jona edhe me ditë të tilla, pasi në shumicën e rasteve serbëve nuk u është dashur terri për të vrarë e shkuar në thika në mes të ditës, në prani të gazetarëve e më vonë edhe të kamerave. Po ashtu, netët e pogromeve, të shpërfytyrimeve më të zeza njerëzore kanë rënë edhe mbi çifutët. Në vetvete, fakti që një ose dy familje hebreje fshihen fshatrave të Kosovës, nuk do të përbënte kurrfarë habie, madje as subjekt për rrëfim, sikur Haxhaj të mos ua dorëzonte atyre rrëfimin. Kjo e ka bërë romanin. Mendimet dhe rrëfimi i një autori shqiptar mbi Luftën e Dytë Botërore dhe ndikimin e tyre mbi shqiptarët e Kosovës, sado të sofistikuara të ishin, nuk do arrinin të ngjallnin atë interes, që ngjallin në vetën e tretë.
Mjeshtëria e tekstit duket te piramida e personazheve, ku kryesori është miku i Giladit, që ka ardhur në emër të miqësisë, ka ardhur si amanet, si n’dorë. Kjo ndërshtresë etnopsikologjike mobilizon te shqiptarët krejt infrastrukturën e tyre shpirtërore me atë lartësi humanizmi, që ua kanë lakmi miqtë dhe armiqtë e tyre. Çdo kënaqësi e sakrificë pastaj bëhet e natyrshme, ani pse vihen në rrezik jetë njerëzore, pasuri e mundim shekullor. Shqiptarët e librit nuk kanë infrastrukturë të zhvilluar, dyqane mbi bulevard, kinema apo restorante me shkëlqim qytetesh, “si në Beograd”, në kryeqytetin e mbretërisë, por kanë diçka më të thjeshtë, që nuk duket nga larg, por që shkëlqen mbi krejt arin e botës: besnikërinë dhe sakrificën për t’i dalë zot mikut në ditë të vështira.
Personazhi kryesor nuk i kupton ose nuk mund t’ia pranojë mendja se ka akoma njerëz të tillë. Por, gjatë gjithë romanit, gjestet e vogla, përpjekjet e mëdha, sjelljet, mënyra se si komunikojnë e ndërthuren personazhet – e shoqja e tij Sara, Zohari, Bajrami, axha Selman, ushtarakët italianë e më vonë ata të Hitlerit, por sidomos kaçakët vendas e partizanët e tyre – e përgatisin lexuesin për të ndjekur një dramë rrëqethëse, e cila, edhe pse nuk sillet në këtë roman, paralajmëron si prolog atë që do t’u ndodhë atyre njerëzve pas fitores së partizanëve në Luftën e Dytë Botërore. E një bukurie të rrallë e tragjizmi pa skaj është edhe historia e dashurisë së pamundshme që fekton nga fundi i romanit, e cila edhe e vetme do ishte e aftë ta mbante gjallë strukturën e një romani voluminoz.
Kështu, në këtë botë të ankthshme, ani pse plot me dritë e me njerëzi, “Kujtimet e një çifuti” sjell në fokus një copë të atdheut tonë, të ADN-së së mbijetesës, që, siç del prej këtij romani, mbështetet më shumë te vlerat morale sesa te ndonjë kod i fshehtë gjenetik, aq më pak te fuqia ushtarake. Romani është shkruar bukur, ritmi e gjuha (i redaktuar nga Nazmi Rrahmani, ky duhet të jetë informacion i dobishëm për sqimatarët e gjuhës), ngjyrimi i personazheve dhe atmosfera, të kujtojnë disa filmime të vjetra, ku kuadri filmik herë është i gjatë e i ngadalshëm, dhe herë i përshpejtuar; fort ngjashëm me jetën. Autori Haxhaj nuk duhet lënë mënjanë në asnjë mënyrë. Po ta lexoni këtë roman, e them gati me siguri të plotë se do e mbani mend e do prisni prej tij libra të tjerë, lartësi të tjera!

Arbër Ahmetaj
Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.