Press "Enter" to skip to content

I dashur, Aleksandros

Përkthimi i një letre të Aleksandros Kunduriotis, fëmijë në nevojë, nr. 26, 511, në arkivin e “Hope, Incorporated”, një organizatë bamirësie me qendër në Nju Jork.

Të dashur zoti dhe zonja Bentley,
Të dashur prindër amerikanë,

Pikë së pari dua t’ju pyes për shëndetin e nëse edhe ju më pyesni, mund t’ju them se jam mirë, faleminderit Zotit dhe shpresës, që jeni ju në të vërtetë. Dashtë Zoti e ju dhëntë shëndet, gjithë lumturinë e kënaqësitë. Me padurim po prisja të merrja një letër nga ju në fillim të këtij muaji, por, fatkeqësisht, ajo nuk erdhi. Ja pse jam i shqetësuar për ju, të dashur Prindër Amerikanë. Ju jeni interesuar shumë për mua dhe çdo muaj më keni ndihmuar.
Nga anët tona bën shumë nxehtë në këtë periudhë të vitit, sepse jemi bash në zemër të verës. Puna që bëjmë fushave është shumë e vështirë, me sa dëgjoj nga më të rriturit. Ndërsa unë, kur s’kam ndonjë punë në shtëpi, shkoj në det për t’u larë e i kënaqem freskisë së tij me shokët e mi. Deti është fort i dashur në këtë periudhë të vitit. Kaq janë lajmet nga ana ime. Pushimet vazhdojnë deri sa të hapet shkolla, kur me forca të reja dhe me kënaqësi do të fillojmë mësimet. Sot që po ju shkruaj sapo kam marrë tetë dollarët që më dërguat për muajin korrik e ju falënderoj shumë. Me to do të blej gjithçka më duhet, madje edhe miell për bukë. Duke e mbyllur, po ju përcjell përshëndetjet e gjyshes dhe të motrës sime, duke shpresuar se letra ime do t’ju gjejë të gëzuar e me shëndet të mirë. Do të mbetem në pritje të ndonjë letre nga ana juaj, për të marrë vesh se si po e kaloni verën.
Ju përshëndes me shumë dashuri,
Biri juaj
Aleksandros
Përgjigjia e Kenneth Bentley, prind amerikan nr. 10, 638
25 shtator

I dashur Aleksandros,

Na vjen keq që je shqetësuar për ne, për shkak që s’të kemi shkruar. Druaj se ne s’jemi aq të rregullt në shkrimin e letrave, të paktën jo aq sa ti, por organizata me aq emër të madh, që merret me shpërndarjen e letrave tona, duket se është e ngadalshme, mund të them se i duhen tre muaj. Si të thuash, i bien nga Kina! Ti e përshkruaje verën greke shumë bukur.
Tashmë në Nju Jork është vjeshtë. Pemët e vogla e të trishta të kësaj rruge po të trishtë ku jetoj tani kanë filluar t’i zverdhin gjethet, ato që kanë mbetur pa rënë ende. Vajzat e hijshme, që shëtisin udhëve, kanë filluar të vënë kapele. Në Nju Jork, rrugët kryesore kanë drejtim veri-jug, pra në njërën anë ka diell, në tjetrën hije, kështu që njerëzit kapërcejnë nga ana e hijes drejt asaj me diell, pasi ky s’është më aq i ngrohtë. Qielli është shumë i kaltër e ndonjë mbrëmje, pasi ha diçka në ndonjë kioskë apo restorant, bëj një shëtitje deri tek East River për të parë anijet dhe Bruklinin, që është pjesë e këtij qyteti të paanë.
Zonja Bentley dhe unë nuk jetojmë më bashkë. S’kam dashur të ta them këtë, por tash që fjalia u shtyp në letër nuk shoh ndonjë të keqe. Ndoshta ti po pyet veten se pse po të shkruaj nga Nju Jorku dhe jo nga Greenwich. Zonja Bentley, Amanda e vogël dhe Riçardi janë akoma atje, në shtëpinë tonë të këndshme, e herën e fundit që i pashë dukeshin shumë mirë. Amanda do të shkojë në kopësht e duket aq e gjallëruar, për më tepër ka vendosur të mos veshë kurrë më kominoshe e përparëse. Ngul këmbë të vishet veç me fustan, sepse ajo mendon se fustani i bën vajzat e vogla të duken bukur. Kjo e zemëron nënën e saj, sidomos të shtunave e të dielave, kur Amanda luan me fëmijët e fqinjëve në kopshtin e tyre me baltë. Riçardi ecën vetë tashmë e nuk e duron të motrën të tallet me të. Po kush e duron atë?
Shkoj një herë në javë për të marrë postën e njëra prej letrave ishte e jotja, që më gëzoi aq shumë kur e lexova. Zonja Bentley më tha të të përgjigjesha, gjë për të cilën u kënaqa shumë, pasi herën e fundit ishte ajo që të shkruajti. Në fakt s’jam i sigurt nëse të ka shkruar apo jo, pasi shkrimi i letrave s’është pika e saj e fortë, edhe pse ajo ka këmbëngulur që të regjistroheshim te “Hope, Incorporated” dhe di që ajo të do shumë e u gëzua pa masë kur mësoi se ti do ta rifillosh mësimin me “energji të reja e me gëzim”.
Ka pasur shumë entuziazëm në Shtetet e Bashkuara rreth vizitës së kryetarit të Bashkimit Sovjetik, zotit Hrushov. Ai është llafazan dhe me besim të madh në vetvete e gjatë takimeve me politikanët tanë llafazanë e me shumë vetëbesim ndodhën disa fërkime, shumica prej tyre drejtpërdrejt në televizion, ku gjithkush mund t’i shihte. Frika ime kryesore lidhej me mundësinë që dikush mund ta vriste, por tashmë s’besoj se do ta vrasë njeri. Prania e tij këtu solli një ndjesi të çuditshme, sikur kishim gëlltitur një monedhë metalike, por amerikanët janë shumë të shqetësuar për paqen e do të bëjnë përpjekje, edhe pse me dhimbje, për t’i dhënë një shans. SHBA, siç mund ta mësoni në shkollë, ka qenë për shumë vite një vend i izoluar e mbijeton akoma një dëshirë fëminore që kombet e tjetra, edhe pse ne jemi superfuqi, të na lënë në punën tonë; kështu dielli do të shkëlqente për ne. Nejse, ky s’ishte ndonjë paragraf aq i mirë e ndoshta ai që do merret me përkthimin e letrës do ketë mirësinë ta heqë fare.
Më duket se jam ftohur e kjo gjë, së bashku me tymin e cigareve, më bën të ndjehem si i humbur, sidomos kur rri shumë kohë ulur. Jam pak i shqetësuar, sepse të përfytyroj duke pyetur: “Si është e mundur që zoti e zonja Bentley, që më dërgonin letra aq të lumtura nga Amerika, fotografi të fëmijëve të tyre, triko, briskun e xhepit për Krishtlindje, më paskan gënjyer gjithë kohës? Pse nuk jetojnë akoma së bashku?”. Do doja që ti të mos shqetësoheshe. Ndoshta edhe në fshatin tënd ka burra e gra që zihen me njëri-tjetrin. E pas kësaj vazhdojnë të jetojnë së bashku. Por në Amerikë, ngaqë kemi shumë banjo, rrugë e makina të shpejta, kemi filluar të harrojmë se si mund të bashkëjetohet me halle, anipse jeta ime e tanishme është një farë telashi për mua. Ndoshta gjatë shkollimit tënd, nëse ti e vazhdon dhe shpresoj që ta bësh, priftërinjtë ose murgjërit do t’ju lexojnë poemën e madhe greke, Iliadën, në të cilën poeti, Homeri, tregon për Helenën, se si e braktisi burrin e saj që të jetonte me Paridin në mes të trojanëve. Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe me familjen tonë, me një përjashtim të vogël: jam unë që kam ikur për të jetuar mes trojanëve, duke lënë gruan në shtëpi. Nuk e di nëse Iliada është në programet tuaja shkollore e jam kurioz ta di. Kombi juaj duhet të ndjehet shumë krenar për ato kryevepra, që i japin kënaqësi gjithë botës. Në Shtetet e Bashkuara, shkrimtarët e mëdhenj bëjnë vepra të cilat nuk u pëlqejnë njerëzve, sepse të trishtojnë pa masë po t’i lexosh. Por ne s’po të gënjejmë për asgjë. Zonja Bentley, Amanda, Riçardi dhe unë ishim të lumtur e deri në një farë mase prapë jemi. Ndaj, të lutem, vazhdo të na i dërgosh letrat e tua të mrekullueshme. Ato do mbërrijnë në Greenwich e ne do të gëzohemi kur t’i lexojmë. Ne do vazhdojmë të t’i dërgojmë ato para, për të cilat na je aq mirënjohës e që s’kanë vlerë as sa ato që ne harxhojmë për të blerë pije alkoolike. S’është se zonja Bently dhe unë i harxhojmë krej vetëm ato pije. Jo, kemi shumë miq që na ndihmojnë, shumica prej tyre fort të mërzitshëm, edhe pse ty ndoshta do të të pëlqenin më shumë se mua. Dhe e kundërta. Jam kaq i lumtur që ti jeton afër detit ku mund të lahesh e të çlodhesh pas punëve të rënda të fushës. Unë kam lindur në brendësi të Amerikës, mijëra kilometra larg oqeanit. Kështu që dashuria ime për detin erdhi vonë, kur isha i rritur dhe i martuar. Kështu, përsa i përket detit, i bie që ti të jesh më me fat se unë. E qartë, të jesh afër detit është një bekim i madh. Më kujtohet kur mendoja se sa mirë ishte që fëmijët e mi do të dijnë t’i gëzohen vrapimit mbi rërën e butë në plazhin e ngushtë buzë detit në Greenwich.
Tash më duhet të ndal së shkruari, pasi kam ftuar një grua të re për darkë, një grua për të cilën ti do jesh i interesuar të dëgjosh, pasi është me origjinë greke, e lindur në Amerikë, por që ka shumë nga hijeshia e racës suaj. Po, siç e di edhe ti, ne ia kemi nxjerrë flakën përkthyesit tonë, duke i dhënë kaq shumë punë për të përkthyer. Përcilli urimet e mia më të mira gjyshes, e cila ka bërë kaq shumë për ty pas vdekjes së nënës tënde dhe motrës po ashtu, lumturia dhe mirëqenia e së cilës është aq e shtrenjtë në zemrën tënde.

Sinqerisht
Kenneth Bentley

PS: Duke e rilexuar këtë letër, vura re me keqardhje se nga fillimi i saj jam treguar i pasjellshëm me organizatën e shkëlqyer, që bëri të mundur miqësinë tonë, letrat e tua të bukura, që na gëzojnë kur i marrim e i lexojmë e rilexojmë. Nëse s’kemi shkëmbyer letra aq shpesh sa do të kishim dashur, kjo është për fajin tonë e ne të lutemi të na falësh.

Përktheu: Arbër Ahmetaj

Autori
John Updike
Autori
Arbër Ahmetaj
Kryeredaktor   | [email protected] | Website

Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.