“Loja, shembja e qiellit”, roman, “Toena”, Tiranë 2013
“Loja, shembja e qiellit” është roman i Bashkim Shehut dhe i personazhit të tij kryesor Aleks Krastës. Ky i fundit nuk e ka emrin në kopertinë, por ia ka besuar Shehut tekstin e jetës së tij, e bashkë me të edhe rrëfime të herëpashershme. Kështu krijohet ngrehina e rrëfimit, duke na befasuar me lehtësinë e kalimit të fillit nga njëri tek tjetri rrëfyes. Kjo duket si gjë e thjeshtë, por, kur kemi parasysh tensionin e pashpirtshëm të rrëfimit, dramacitetin e tmerrshëm të ngjarjeve, jetët njerëzore, që kalojnë duarve të kasapëve, kjo teknikë rrëfimi merr peshë tjetër: herë-herë i jep frymëmarrje e dritë, herë të tjera e shpëton rrëfimin nga këputja fatale, që vjen si shkak i vdekjes, i rrëzimit përfundimtar të këtij apo atij personazhi.Duket sikur romani e ka në qendër Aleks Krastën, birin e një oficeri të lartë të ushtrisë, që përjashtohet nga partia pas vdekjes, kalvarin e vuajtjeve të të birit për “krimin” e atit, Aleksit pra, por, në fakt, krejt ngrehina e rrëfimit ndërtohet me atë lloj arkitekture që të lejojë pak dritë mbi një personazh tjetër: Luigj C., enigmatik e mizor, një monstër e përsosur e kurtheve që u ngriheshin të pafajshmëve në bodrumet e përgjakura të diktaturës komuniste në Shqipëri. Pikërisht ky Luigj C, përmes duarve të të cilit kanë kaluar shumica e personazheve të rrëfimit, në liri guxon të përgënjeshtrojë viktimat e tij, ta quajë dënimin e tyre si të bazuar në ligj.
Pa dashur të vë në rrezik intrigën e romanit, të cilën aq bukur e ka ruajtur në këtë roman Bashkim Shehu, e sugjeroj për të gjithë ata që nuk e kanë lexuar si roman i një humanizmi të pakompromistë, si tekst të shkruar me shumë elegancë, si një libër të rëndësishëm jo vetëm për autorin, por edhe për prozën bashkëkohore shqipe.

Arbër Ahmetaj
Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.