Press "Enter" to skip to content

Mëkati i Justinës

Për të mësuar se cili ishte “Mëkati i Justinës”, m’u desh të lexoja romanin e Luan Ramës, botuar nga “Onufri”, Tiranë, 2023. Doja me çdo kusht të mësoja se çfarë kishte bërë ajo grua. Një çift të rinjsh malësore, ‘të lumtur’ në një kullë të gurtë, mes alpeve të atdheut nga fundi i shekullit XIX. Rrisin një vajzë të vogël, Mrikën pesëvjeçare, e shpresojnë ta mbushin shtëpinë edhe me fëmijë të tjerë, mbi të gjitha me djem, “nëse do zoti”.
Në roman rrëfehet njohja rastësore e Justinës së re me Franin në Shkodër, si ranë në një mendje familjet e tyre me i martue, si rridhte jeta e tyre me ritmin e mjegullave, borërave dhe rangëve të jetës së vështirë. Justina kujdeset për vajzën e për bagëtinë, i shoqi gjuan pyjeve, herë me armë e herë me çarqe. Ka edhe një kishë në fshat, siç ka edhe një botë të tërë me shtresëzime mitesh, besëtytnish, shpirtrash, zanash e dreqërish.
Justina niset të shohë të atin, i cili, i plagosur luftërave kundër osmanëve, s’dihej a ishte apo jo gjallë. Udhëtimi i saj është një prej faqeve më të bukura të romanit, pasi ngërthen dinjitetin e pashoq të atyre njerëzve, bukuritë e frikshme të maleve, po aq sa edhe fillin ligjor, që mban gjallë jetën, pavarësisht ashpërsisë së kodeve. Justina ecën drejt të atit me një bashkëfshatar, që është në gjak për një vrasje dhe që po shkon të shohë vajzën e vet diku në të njëjtin drejtim. Pjetrin, duke qenë i shoqëruar nga Justina, pra nga një grua, gjaksi s’ka të drejtë ta vrasë. E përmenda këtë detaj, se nga fundi i romanit, ai personazh, Pjetër Prela, që duket si i futur gabimisht në libër, shfaqet me një “coup de maitre” (një gjetje mjeshtërore) në fund të tekstit. Në atë udhëtim, Justina gjen syrin e Virgjëreshës, copëtuar prej ndonjë ikone gjatë rrënimit që i kishin bërë kishës pushtuesit. Ja, kështu, dalëngadalë, autori mbledh e kujdeset për detaje, të cilat do t’i duhen gjatë shtjellimit të ngjarjes e që do shërbejnë si “fakte” për të ndërtuar akuzën për mëkatin e saj.
Në fshatin Qershizë është një kishë, që mishëron pushtetin e plotë mbi ata njerëz, është edhe një prift, dom Gjoshi, me një të kaluar jo fort hyjnore, por që “shefat” ia kishin mbuluar, për të ruajtur nderin dhe autoritetin e institucionit fetar.
Justina është e bukur. Autori përmend herë pas here ndonjë cilësi fizike të saj, që kur përmblidhen së bashku të sjellin ndërmend gratë në pikturat neoklasike italiane. Pra, Justina është shumë e bukur. E kjo bie aq më shumë në sy në atë zymti e varfëri, në atë çark natyror mes malesh e kërcënimesh natyrore, të shumëzuara me luftëra të herë pas hershme. Është edhe një grua tjetër në roman. Fatkeqe boll. Me burrë nizam, që i kthehet në vig. Janë edhe gratë te kisha, që flasin pas krahëve për Justinën: është verbuese ajo bukuri!
E ndodh që dy gratë reja, Nora e Justina kur ndahen, përqafohen me njëra-tjetrën, e ndodh që dalin e luten edhe te Qafa e Djallit, e ndodh që rreth e rrotull hijeshisë marramendëse të Justinës të krijohet një pellg smire e ligësie, që vjen duke u rritur e duke u turbulluar, duke u bërë gjithnjë e më i rrezikshëm. Gruaja e re fillon të mallkojë hijeshinë e saj, bukurinë që ia ka falur zoti, e lyhet me baltë për t’u shëmtuar, por ata që e përgjojnë i marrin këto veprime si sjellje shtrigash. Kështu nis të thuret intriga, të bëhet e besueshme e të shkohet drejt zgjidhjes. Dom Gjoshi djeg zogj të ngordhur, procesione fëmijësh të vdekur lëvizin si plane të rënda rrëzë maleve, po aq hije-zeza.
Lexuesit i kujtohen edhe libra të tjerë ku bëhet fjalë për histeri kolektive, për përpjekje për ta shkulur të keqen bashkë me mbartësin e saj, pra për të vrarë kolektivisht, për t’u çmendur në festën kolektive të krimit; e në këtë roman, edhe Frani, bashkëshorti i Justinës ndjehet i përfshirë në këtë ekstazë.
Autori spikat në këtë roman me aftësinë filmike të përshkrimit të skenave dhe ngjarjeve, nëpërmjet të cilave pasuron imagjinatën e lexuesit, por njëkohësisht i jep kuptim aksionit dhe sjelljes së personazheve, shumë prej të cilave, edhe pse të pakuptueshme, janë koherente me mentalitetin dhe botën e ngrirë që i rrethon.
Për mua, romani i vërtetë fillon në faqen 34. Faqet e para dhe disa nga fundi nuk thonë asgjë për Justinën dhe mëkatin e saj, por janë informacione, që autori fare mirë mund t’i kish kursyer për t’i rrëfyer në ndonjë intervistë apo reportazh udhëtimi për vendndodhjen e ngjarjeve të romanit. Por, gjithsesi, ky libër është shkruar me emocion dhe delikatesë. Ai vë në pah anë të fshehta të bukurisë njerëzore, po aq sa nxjerr në dritë edhe zgavra të ligësisë. E, mbi të gjitha, arrin të krijojë një pasqyrim realist për atë jetë të thjeshtë e të ashpër, të ndershme e të rrezikshme, që bënin banorët e alpeve të Shqipërisë në atë shekull, si dhe sjell pa bujë privimin e ngadalshëm nga liria për shkak të verbërisë së besimit.
Ky roman lexohet me kënaqësi!

Autori
Arbër Ahmetaj
Kryeredaktor   | [email protected] | Website

Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.