Poema “Toka e shkretë” (The waste land) është vlerësuar si një prej veprave kryesore të Tomas Eliotit, por edhe si një monument i poezisë në gjuhën angleze. Në këtë tekst kompleks e të ndryshëm, sa nga përmbajtja po aq edhe nga ana gjuhësore, ka fjalë gjermanisht, latinisht, greqisht, frëngjisht etj. Ritmi i saj vjen duke u rritur, duke e bërë fort të vështirë përkthimin. Në ditën kur mbushen gjashtëdhjetë vjet nga ikja e poetit për në amshim, po sjellim për lexuesit pjesën e parë të kësaj poeme.
Pak fjalë për Tomas Eliot
Fituesi i çmimit “Nobel” në letërsi në vitin 1948, T.S. Elioti u dallua si poet, kritik letrar, dramaturg, redaktor dhe botues. Në vitet 1910 dhe 1911, ndërsa ishte ende student kolegji, ai shkroi “Kënga e dashurisë së J. Alfred Prufrock”, botuar në revistën “Poetry”, dhe poezi të tjera, që janë pika referimi në historinë e letërsisë moderne. Veprat më të shquara të Eliot përfshijnë “The Waste Land” (1922), “Four Quartets” (1943), shfaqjen “Murder in the Cathedral” (1935) etj. Çmimet dhe nderimet e Eliot përfshijnë “Urdhrin Britanik të Meritës”, “Nobel” për letërsinë etj.
Pavarësisht nga popullariteti i tij i qëndrueshëm, Eliot dhe puna e tij janë kritikuar për pikëpamje paragjykuese, veçanërisht antisemitizëm.
T.S. Eliot (Thomas Stearns Eliot) lindi më 26 shtator 1888, në St. Louis, Missouri. Ai u arsimua në “Smith Academy” në St. Louis (1898–1905); Akademia Milton në Masaçusets (1905–1906); Universiteti i Harvardit (BA, qershor 1909; MA, shkurt 1911; kurse doktorature, tetor 1911–maj 1914); Universiteti i Parisit-Sorbon (tetor 1910–qershor 1911); kolegji “Merton”, Universiteti i Oksfordit (tetor 1914–maj 1915). Ai i kushtoi një vit tjetër (1915–1916) një disertacioni doktorature mbi filozofinë e F.H. Bradley, botuar përfundimisht më 1964-n.
Në vitin 1927, T.S. Eliot u bë shtetas britanik. Në vitin 1915, ai u martua me gruan e tij të parë, Vivienne Haigh-Wood (Vivienne Eliot). Mendohet se pikërisht kjo martesë ndikoi në kryeveprën e zymtë të Eliot, “The Waste Land”. Pas vitit 1933, Vivienne vuajti nga sëmundje mendore, ndaj të dy jetuan veçmas derisa ajo vdiq në vitin 1947. Më 1957-n, në moshën 68-vjeçare, Eliot u martua me Esmé Valerie Fletcher (Valerie Eliot), sekretaren e tij në “Faber & Faber” që nga viti 1950. Ajo ishte gati 40 vjet më e re se ai. Valerie Eliot ruajti trashëgiminë letrare të të shoqit derisa vdiq në vitin 2012, në moshën 86-vjeçare.
Elioti ishte pothuajse i njohur edhe si kritik letrar po aq sa poet. Nga viti 1916 deri në vitin 1921, ai kontribuoi me rreth 100 rishikime dhe artikuj në revista të ndryshme periodike. Ai gjithashtu dha kontribut të rëndësishëm si redaktor dhe botues. Nga viti 1922 deri në 1939, Eliot redaktoi revistën “Criterion” dhe nga 1925 deri në 1965 ishte redaktor dhe drejtor në shtëpinë botuese “Faber & Faber”.
Karriera e Eliot si poet mund të organizohet në tri periudha: e para përkoi me studimet e tij në Boston dhe Paris, e dyta me Luftën e Parë Botërore dhe e treta përkoi me depresionin ekonomik dhe ngritjen e nazizmit.
Midis poezive të viteve 1910–1911 dhe “The Waste Land” më 1922-shin, Eliot jetoi disa përvoja për të kuptuar zhvillimin e tij si poet, si: vendimi për të lëshuar rrënjë në Evropë, martesa e parë dhe konvertimi i tij në anglo-katolicizëm. Miku i tij i “Harvardit”, Aiken, i cili kishte takuar Ezra Pound dhe i kishte treguar një kopje të “Prufrock”, i parapriu Eliotit në Londër. Më 22 shtator 1914, Pound dhe Eliot u takuan dhe Ezra u bë menjëherë mentori i tij. E promovoi kudo poezinë e Eliot dhe e prezantoi me William Butler Yeats dhe artistë të tjerë.
T.S. Eliot vdiq në Londër, më 4 janar të vitit 1965.
Varrimi i të vdekurve
Prilli është muaji më mizor, që bën të mbijnë
lilat nga toka e vdekur, duke përzier
kujtime dhe dëshira, tundime
e rrënjë të ngrira me shiun pranveror.
Dimri na mbajti ngrohtë, të mbuluar.
Toka në borë harruese, duke ushqyer
pak jetë me zhardhokët e tharë.
Vera na befasoi kur mbërriti në Starnbergerse.
Me një dallgë shi; u ndalëm nën kolonadë,
pasuan fill rrezet e diellit, në Hofgarten,
Pimë kafe dhe folëm për një orë.
Bin gar keine Russin, stamm’ aus Litauen, echt Deutsch.[1]
Dhe kur ishim fëmijë, në vizitë tek arqiduka,
me kushëririn tim, hipëm mbi një sajë,
dhe unë u frikësova. Ai tha, Marie,
Marie, mbahu fort. Dhe zbritëm poshtë.
Në mal, aty ndihesh i lirë.
Unë lexoj pjesën më të madhe të natës
dhe shkoj në jug, në dimër.
Cilat janë rrënjët që shtrëngojnë, cilat degë rriten
prej kësaj gomuraje? Bir i njeriut,
nuk mund të thuash apo të hamendësosh diçka, sepse ti s’njeh veç
një grumbull imazhesh të thyera, aty ku rreh dielli,
pema e vdekur s’bën hije e turreci s’prà.
Guri i thatë pa një tingull uji. Vetëm
pak hije nën këtë shkëmb të kuq,
(Hyni nën hijen e këtij shkëmbi të kuq),
Dhe unë do t’ju tregoj diçka të ndryshme edhe prej
hijes që ju ndjek pas në mëngjes,
apo hijes tuaj të mbrëmjes që ngrihet për t’ju takuar;
unë do t’ju tregoj frikën në një grusht pluhur.
Frisch weht der Wind
-Der Heimat zu,
Mein Irisch Kind,
Wo weilest du?[2]
“Së pari më dhe zymbyla një vit më parë;
“Më quajtën vajza e zymbylave.”
-Megjithatë, kur u kthyem vonë, nga kopshti i zymbylave,
Ti me krahët plot dhe flokët e lagur, nuk mundja
të flisja, dhe sytë m’u errësuan, unë nuk isha as
i gjallë, as i vdekur dhe nuk dija asgjë,
duke parë në zemër të dritës, heshtjen.
Öd’ und leer das Meer[3].
Zonja Sosostris, fallxheshë e famshme,
Edhe pse e ftohur rëndë
Njihet si gruaja më e mençur në Evropë,
Me një dorë letrash të këqija: Ja, tha ajo,
kjo është karta juaj, Marinari i mbytur fenikas!
(Këto janë perlat, që ishin sytë e tij. Shikoni!)
Kjo është Belladona, Zonja e Shkëmbinjve,
Zonja e situatave.
Këtu është njeriu me tre shtiza, dhe këtu është rrota,
Dhe këtu është tregtari me një sy, dhe kjo kartë,
bosh, është diçka që ai mban në shpinë,
që e kam të ndaluar ta shoh. S’po e gjej dot
të varurin. Ruhuni nga vdekja prej ujit!
Shoh turma njerëzish që ecin rreth e qark një unaze.
Faleminderit. Nëse e shihni zonjën e dashur Ekitone,
Thojini që do ta sjell unë vetë horoskopin:
Duhet me qenë shumë i kujdesshëm këto kohë.
Qytet joreal,
Nën mjegullën e kafenjtë të një agimi dimri,
Një turmë rrodhi mbi Urën e Londrës, kaq shumë,
s’më kish shkuar ndërmend se vdekja do zhbënte kaq shumë.
Psherëtima të shkurtra dhe të rralla u dilnin,
Dhe secili ecte me sy rrëzuar para këmbëve të veta.
Iu ngjitën kodrinës e zbritën pastaj rrugës “Mbreti William”,
Aty ku Shën Mari Vulnoth numëronte orët e saj të gëzueshme,
me atë tingull të vdekur në goditjen e fundit të nëntës.
Aty pashë një që e njihja dhe e ndalova duke qarë: “Stetson!
Ti që ishe me mua në anijet në Mylae!
Ajo kufomë që mbolle vitin e kaluar në kopshtin tënd,
a ka filluar të mbijë? A do lulëzojë këtë vit?
Apo ngrica e papritur ia ka shqetësuar shtratin?”
“Oh mbaje qenin, këtë mik të njerëzve, larg prej aty,
“Ose me thonj do ta zhvarrosë sërish!
“Ti! Lexues hipokrit ! – i ngjashmi im, – vëllai im”.
Përktheu nga origjinali: Arbër Ahmetaj
[1] Gjerm. S’jam hiç rus, jam nga Lituania, pra një gjerman i vërtetë
[2] Gjerm. Fryn e freskët era/drejt atdheut/biri im irlandez/ku je tash?
[3] Gjerm. Det bosh.