Requiem për personazhin plot dritë: Mr.J.
“Biri”, Flutura Açka, “Skanderbeg Books”, 2020
E dija se çfarë libri do të lexoja: atë që do të doja të mos ishte shkruar kurrë!
Libri është shkruar. “Unë kam një histori dhe vetëm po rrëfej…”, thotë diku autorja, duke nënvizuar faktin se ky libër nuk është lojë e fantazisë apo emocion rrëfimi, por është një histori e treguar, e jetuar. “Biri” është një tekst letrar, i ndërtuar me delikatesë të rrallë, me një përkujdesje për të transmetuar ndjeshmërinë, me një kontroll të admirueshëm mbi emocionin, duke arritur një estetizëm të dhimbjes, që e fton lexuesin me përvujtni njerëzore të përballet me thelbin e historisë: jeta e nënës me birin! Kjo është koha e zgjedhur në tekst dhe, pavarësisht se nuk përbën një kohë të gjatë, i ka të gjitha elementet, emocionet dhe ngjyrat e një jete njerëzore. Lindja e birit shënjon shndërrimin e rrëfyeses në nënë, ikja e birit – thotë ajo – më bëri ish-nënë. Kjo është koha e zgjedhur në libër. Personazhi kryesor shkëlqen në çdo faqe të tij.
Një personazh shumëpërmasor; ai, përveç cilësive njerëzore të fituara në udhën e tij, ka në deje edhe ndërdyshjen e kulturave të trashëguara, në burimet e të cilave s’i jepet aq kohë sa të shuaj etjen. Mr.J është kështu ndër të parët personazhe të këtij lloji në letrat shqipe, që vjen me kaq autoritet e tragjizëm në letërsi.
Flutura shkrimtare dhe Flutura nënë shkëmbehen në çdo faqe të librit, me një përkujdesje të jashtëzakonshme, për t’i lejuar lexuesit frymëmarrje, lexim të vëmendshëm, duke arritur të na rrëmbejë brenda rrëfimit, duke na dhënë kohë të reflektojmë, të nënvizojmë, të imagjinojmë me detaje të gjitha ngjarjet e rrëfimit. Të shohim se si lind e rritet, se si edukohet e përsoset, si merr pamjen e një burri, jo veç fizikisht, por edhe në pjekuri, personazhi kryesor Biri, i cili, gjithsesi, penguar nga një aksident qelizor i çmendur, nuk arrin të mbushë moshën e burrit e ikën pak ditë para se të bëhet 18 vjeç. Mr.J, nga nëna, vjen prej “asaj toke, ku njerëzit lindin valltarë” e ëndërron të studiojë në universitetin më të mirë në Holandë, nga e ka të atin. Kjo është trajektorja e udhës së Birit, të cilin autorja e mbush me mijëra detaje nga udhëtimet e tyre të pafundme, nga shëtitjet nëpër vende të rralla e të njohura, nga bisedat e pafundme nënë-bir, Bir-botë, pasi Biri bën miq kudo, habit me butësinë e prajtninë e tij, me dritën e mendjes, me hijeshinë e sjelljes. Nga ky këndvështrim, Biri është ndër personazhet më të iluminuara në shkrimin tonë, saç është pashpirtnisht e shkurtër udha e tij mes nesh.
Flutura është shkrimtare e sprovuar me sjellë personazhe e ndjeshmëri të forta në letërsi. Romanet: “Ku je?”, “Kukullat nuk kanë atdhe”, “Ftesë në rrethin e dhjetë” e kanë dëshmuar talentin e saj dhe pasuruar letërsinë shqipe. Sfida me këtë libër dukej e pamundshme të kapërcehej. Por, ajo e ka gjetur forcën te personazhi, te Biri. Ai nuk e braktis autoren asnjë sekondë; Biri popullon botën e saj, frymëmarrjen e autores, Biri i ndihmon edhe lexuesit të mësohen me shenjat e vërteta të lumturisë, duke i dhënë këtij teksti një përmasë dobie, si lexim terapeutik.
Autorja sjell një pasuri të pazakontë rrëfimesh ndihmëse, përshtypje nga udhëtime të vetmuara ose të përbashkëta, të largëta e të afërta, në hapësira të botës e në thellësi të vetvetes. Të gjitha së bashku janë në funksion të personazhit – Birit, e libri merr një arkitekturë të tejpashme, të lehtë për t’u deshifruar, ku emocionet e dhimbjes së natyrshme rrinë në një vend të caktuar, me hijeshinë e tyre të zymtë, pa errësuar dritën që shpërndan personazhi kryesor. Kjo e shpëton librin nga shtresëzime emocionesh, që mund të imagjinohet se e vështirësojnë leximin, duke i dhënë lirshmëri, nota filozofike mbi pikëpyetje parake e moderne, shkëlqime të magjishme lumturie në jetën e Birit, në marrëdhëniet që ai krijon me të tjerët.
Vetë rrëfyesja ndryshon gjatë librit. Diku ajo përmend historinë e një burri të vetmuar, të braktisur e do që në pllakën e varrit t’i shkruhet: “Ky burrë ka le i dekun”, duke nënvizuar zinë e një jete të pajetuar. Ndërkohë, personazhi i saj Mr.J. është i mbushur me dritë, me humor, çaste të lumtura, dashuri, pasione, sport, art, zhgënjime dhe humbje, siç duhet dhe i ka një jetë njerëzore. Në mes të një shpërthimi, ajo e quan veten – rrëfyese, “ish-nënë” por, pa shkuar larg, sjell një notë të magjishme nostalgjie: “Më ka marrë malli të jem nënë”, thotë. Ky lloj teksti letrar, natyra e ligjërimit brenda tij, kërkon me insistim një orkestrim konceptual, një organizim të idesë, me synim që lexuesi të mos lëndohet, por të dalë i pasuruar pas leximit. Flutura Açka ia ka arritur e kjo e shndërron “Biri”-n në një roman njerëzor, anipse tronditës, në letërsinë bashkëkohore shqipe.
Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.