Press "Enter" to skip to content

Cesare Pavese – Shkrimtari që e ktheu vetminë në letërsi

 

Më 9 shtator 1908 lindi Cesare Pavese, romancier, shkrimtar tregimesh të shkurtra, përkthyes, kritik letrar, eseist dhe një nga poetët më të mëdhenj italianë të shekullit të njëzetë. Lindi në Santo Stefano Belbo, në Langhe të Piemontit, ku veronte familja e tij e vogël borgjeze, me origjinë fshatare, e cila jetonte në Torino. Pikërisht peizazhi i fshatit të lindjes, kodrat, vreshtat, shtëpitë, rrugët dhe kujtimet e fëmijërisë do të bëheshin një nga burimet themelore të imagjinatës së tij letrare.
Babai i vdiq kur ishte ende vogëlush pesëvjeçar, ndaj e ëma, grua e fortë dhe e rreptë, e rriti familjen e vetme. Tepër herët, Pavese u dallua si lexues i jashtëzakonshëm e me këtë dashuri për librat studioi letërsi në Universitetin e Torinos dhe përfundoi doktoraturën me një tezë mbi Walt Whitman. Përktheu në italisht autorë të mëdhenj amerikanë e anglezë, ndër ta: Melville, Dickens, Joyce, Dos Passos, Anderson dhe Gertrude Stein. Përkthimi i “Moby-Dick” të Melville do të bëhej veçanërisht i rëndësishëm për kulturën italiane, ashtu siç do të bëhej edhe vetë figura e Pavese-s.
Ai punoi për shtëpinë botuese “Einaudi”, ku u bë një prej bashkëpunëtorëve më të rëndësishëm dhe kontribuoi në përhapjen e letërsisë amerikane në Itali. Pas Luftës së Dytë Botërore u angazhua edhe politikisht dhe bashkëpunoi me gazetën “L’Unità”.
Në vitin 1935 u arrestua për veprimtari antifashiste dhe më pas u internua në jug të Italisë. Pikërisht gjatë kësaj periudhe nisi ditarin, që do ta mbante për pesëmbëdhjetë vjet rresht e që më vonë do botohej me titullin “Il mestiere di vivere” – “Mjeshtëria e të jetuarit”. Botuar pas vdekjes, më 1952-shin, ai shërbeu si një nga dokumentet më të rëndësishme për të kuptuar botën e brendshme të Cesare Pavese, një lloj laboratori ku analizonte veten, letërsinë, dashurinë dhe dështimet e tij, ku shfaqet vazhdimisht lufta mes dëshirës për të jetuar dhe bindjes se nuk ishte i aftë të jetonte ashtu siç dëshironte.

Çfarë ndodhi në të vërtetë?

Më 15 maj 1935, Pavese u bë një nga emrat e lakuar të operacionit të policisë fashiste kundër qarqeve antifashiste në Torino dhe u arrestua. Atë kohë ishte drejtues i revistës “La Cultura”, e cila ishte nën vëzhgimin e policisë. Gjatë kontrollit në shtëpi iu gjetën letra me përmbajtje politike, të shkëmbyera mes antifashistëve, por që në fakt nuk i drejtoheshin atij. Ato lidheshin me Tina Pizzardo, me të cilën Pavese ishte dashuruar. Tina ishte militante komuniste dhe policia e mbante nën mbikëqyrje. Për t’i mundësuar asaj marrjen e korrespondencës pa kaluar në adresën e saj të kontrolluar, Pavese i vuri në dispozicion adresën e vet. Kështu, në shtëpinë e tij përfunduan letra të lidhura me veprimtarinë antifashiste, që e çuan drejt arrestimit dhe internimit në Kalabri.
Kur Pavese u kthye në Torino në mars 1936, mësoi se Tina ishte fejuar dhe do martohej me Enrico Rieser. Kjo e goditi rëndë dhe shënoi një tjetër periudhë depresive për të.

Letërsia

Pavese e ndërtoi veprën e tij rreth disa temave që rikthehen vazhdimisht: vetmia, pamundësia e dashurisë, kujtesa, fëmijëria, fshati dhe qyteti, mërgimi dhe kthimi, jeta dhe vdekja. Për të, vendet e fëmijërisë nuk janë thjesht peizazhe. Ato shndërrohen në mite personale, në vende ku e shkuara vazhdon të jetojë.
Kjo është veçanërisht e dukshme në romanin e tij të fundit, “La luna e i falò” – “Hëna dhe zjarret”, botuar më 1950-n. Protagonisti kthehet në vendlindje pas shumë vitesh, por zbulon se nuk mund ta rikthejë kohën e humbur. Pas natyrës së qetë të Langhes shfaqen lufta, dhuna, vdekja dhe shkatërrimi. Studiuesit kanë vënë në dukje pikërisht këtë ndërthurje të kthimit me pamundësinë për të rimarrë identitetin e humbur.
Ndër veprat e tij kryesore janë: “Të punosh të lodh” (1936), “Fshatrat e tu” (1941), “Dialogë me Leukon” (1947), “Vera e bukur” (1949), “Shtëpia në kodër” (1949), “Hëna dhe zjarret” (1950) etj.

Për “Vera e bukur”, Pavese mori çmimin “Strega”, në qershor 1950.

Dashuria, vetmia dhe fundi

Jeta sentimentale e Pavese ishte e trazuar. Ai qe jashtëzakonisht i turpshëm me gratë. Megjithëse në letërsinë e tij dashuria është një temë qendrore, në jetën reale Pavese vuante nga një ndjenjë e thellë pasigurie dhe marrëdhëniet dashurore shpesh përfundonin në zhgënjim. Një nga plagët e tij më të mëdha ishte dashuria e parealizuar për aktoren amerikane Constance Dowling, e cila u largua nga Italia në vitin 1950 dhe u bë figurë qendrore e poezive të tij të fundit.
Edhe lidhjet me Fernanda Pivano dhe Bianca Garufi lanë gjurmë në jetën e tij.
Në verën e vitit 1950, pak pas marrjes së çmimit “Strega”, Pavese kaloi një krizë të thellë.

Më 26 gusht rezervoi një dhomë në hotelin “Roma”, në Torino, ku të nesërmen u gjet i vdekur nga një mbidozë ilaçesh. Ishte vetëm 42 vjeç.
Kur bota letrare po e kurorëzonte me lavdi, ai vetë po përjetonte një nga periudhat e tij më të errëta, që e “kurorëzoi” me vetëvrasje. Dhe ky kontrast e bën historinë e tij veçanërisht tronditëse.
Pas vdekjes u botua “Verrà la morte e avrà i tuoi occhi” – “Do të vijë vdekja dhe do të ketë sytë e tu” (1951), një nga përmbledhjet më të njohura të poezisë së tij, si edhe “Il mestiere di vivere”, ditari intim i viteve 1935-1950.

Pavese mbetet një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë italiane, jo thjesht për historinë tragjike, por sepse arriti ta shndërronte përvojën personale në poetikë të veçantë, ku vendlindja kthehet në mit, dashuria në mungesë, kthimi bëhet pamundësi dhe nëpërmjet vetmisë së tij kupton botën.
Ndoshta një nga paradokset më të bukura të Pavese-s është pikërisht kjo: pamundësia për të gjetur një vend të qëndrueshëm në jetë, e bëri të krijonte në letër një botë ku vendet, kujtimet dhe njerëzit gjallonin.

Më poshtë do lexoni poezinë “Verë”, shkruar në shtator të vitit 1940, e cila u përfshi në përmbledhjen poetike “Lavorare stanca”, në botimin e dytë të zgjeruar të vitit 1943, botuar nga “Einaudi”.


Verë

Një kopsht i ndritshëm, rrethuar me mure të ulëta,
me barin e tharë e plot diell, që pjek tokën ngadalë.
Me dritën që të sjell ndërmend shijen e detit.
Aty mbush gjoksin me erën e barit.
Prek flokët dhe përpiqesh të harrosh gjithçka.

Kam parë
plot fruta të ëmbla të bien me zhurmë mbi bar.
Ti trembesh e gjaku të buçet. Kthen kokën
sikur një mrekulli po ndodh aty ku je,
por mrekullia je ti. Se të njëjtën shije
ka ai kujtim i afshët, njësoj si sytë e tu.

Mban vesh.
Fjalët që dëgjon s’të bëjnë aspak përshtypje.
Në sytë e qetë të lexohet një mendim i kthjellët,
që të krijon pas shpine dritën e detit.
Në fytyrë heshtja ta shtyp zemrën me zhurmën
që shtrydh e pikon këtë dhimbje të lashtë,
si lëngu i frutave që ranë atëherë.

Shqipëroi: Dritan Kiçi

Autori
Cesare Pavese
Autori
Dritan Kiçi
Dritan Kiçi