Erni më pa në sy dhe, duke iu dridhur duart, filloi:
“Nëse do isha i sinqertë deri në fund, do mund të pohoja se jetën skëterrë e kam pasur në vitet e shkollës së mesme. Ishin ditët e fundit kur vendosa të shkoja për kontroll te mjeku specialist. Kisha një gjendje të turbullt dhe i papërqendruar. Të rruat matematika! T’u bekofshin mësimet! Hidhu nga Tabja ose nga Ura në lumë dhe mbytu më mirë! Është ai lumi që vërshon poshtë me një ngjyrë prej fantazie, që u vihet në bisht atyre që nuk vdesin kurrë. Pse paskej njerëz që nuk vdesin? Çudi! Kur të mungon kjo almise, që e bën burrin burrë, s’ka kufi, s’ka cak, është gjëja më e lemerishme, sidomos kur mbetesh fillikat me veten tënde dhe kupton mirëfilli si je projektuar për t’u tallur nga shokët, familja, të afërmit. S’JE BURRË! E ç’e do jetën? Edhe natyra punon me hile. Qose? Zot i madh! E pse më zgjodhi mua? Unë duhet të isha një pandehmë e përmbushur me intuitë mistike ndaj dhe copërat e qenies sime enden në hapësirë dhe, me siguri, humbin në humnerat e jetës. Po mbushja tetëmbëdhjetë vjeç. S’kisha qime në fytyrë! Shenja e dukshme e burrit… Mos…?
Dhe erdhi një çast kur gjithçka plasi në ajër. Tullumbacja e së vërtetës! Një gjilpërë e saj ta shpojë dhe ajo puf, pëlcet. Lajmet vetëtimthi shpërndahen. Ai s’ka almise! Të tjerët i gëzohen jetës, kurse ai, i mjeri, duhet t’i gëzohej atij vogëlushi që ka zënë myk i drobitur, i kotë, i fishkur dhe i padobishëm. Ia hapa tim ati të parit; të them të drejtën më tepër ma kërkoi ai kur më pyeti sesi i kisha hallet me të qenët burrë, nëse shihja në ëndërr ndonjë vajzë… Dhe më mori për dore, më futi në banjë dhe m’i futi duart te rrënjët e mia në mes të kofshëve. Ato, të kërthinjtat, të shkretat, mezi i kapte dora ime. Im atë nuk më tha gjë, por më mori në gjoks. Do pyes për to, më tha, por ia lexova mirë shprehjen e keqardhjes në sy. Një trishtim bezdisës pa kufi. Qenkej aq e rëndë? Thua? Sepse unë nuk ndieja asnjë nevojë! Thellë në veten time nuk më bënte fare përshtypje. Mirëpo im atë duhej ta dinte ku flinte lepuri, ku qe halli dhe ligështia e tmerrshme. I vura duart te verdhushi im dhe te rrënjët e padukshme. M’u ngrit mendja.
Megjithatë tjetrit i përket suksesi, mësohu me atë që gëzon ai, i huaji, s’ke ç’bën. Merre jetën si të vjen. Të thuash se isha mësuar me këto tallje dhe përqeshje ishte pak. Se shokët e mi e shikonin që unë nuk isha si ata, nuk është se s’më përkisnin almise fare, kisha, por në atë gjendje ato ishin kot, nuk i lipseshin as dreqit, askujt, mezi e gjeje të shkretin edhe për të bërë çiçin. Kurse ata qenë një botë e gëzuar, të hedhur, të plotësuar, m’i tregonin të tyret dhe qeshnin duke u gajasur, duke më dëftyer me gisht, sikur ta kisha unë fajin. Edhe pse isha mësuar që të bëja paqe me luftën dërrmuese që ma shpifte keq e më keq, s’ka pikë dyshimi se do të dilja sërish i humbur. Tetëmbëdhjetë vjeç! Tani ishte kulmi i rritjes, kurse mua më kishte mbetur po ajo bibile. Im atë jo më kot qe trembur. Ia lexova mirë mendimet: tani ishte vonë për të korrigjuar diçka! Vërtet të ishte kështu? Këto ishin punë fati dhe jo dëshira. S’do qorri sy? Mendo, tek i dhembi tim ati, lëre! Mendimet ku nuk më fluturonin! As që e merrja me mend! Le të qenë për zogjtë që këndojnë ngushëllim, drurët që lulëzojnë! Por ti nuk do të lulëzosh kurrë! Ty të trembin vajzat, o i mjerë, se ke dy kokrra fasuleje ose bajameje si lule. Thjesht, ti je kot si mashkull! Ato zbulohen në fund kur vjen zhgënjimi dhe s’të ka mbetur asnjë mundësi tjetër! A? E tmerrshme! Duhet të ketë zgjidhje?…
Rrija-rrija dhe më buhiste mendja në një pikë. Më mirë të mos trazohesha fare, të mos e bëja qimen tra, se do isha njeri, pa forcën dhe mburrjen e burrit, i flashkët, i kredhur në mendime, le të mos më shpifeshin në ëndrra vajzat, le të ndihesha keq… Im atë më shihte i keqardhur, madje i tmerruar. Por edhe mua më kish mbetur një grusht me hi ëndrrash prej atyre që lumi u shkon poshtë humnerës së frikshme! Një fantazmagori e çmendur. Në nënvetëdijen time përpunoheshin dëshira dhe nevoja krejt të tjera. Mungonte ndonjë gjëndër? Ishte keq tiroidja? Mos kisha nevojë për farë mashkullore dhe nuk e dija? Naivisht i doja farërat, u merrja erë luleve, më hidhnin edhe farë jargavani. Dëshirat përherë e më shumë nuk buronin nga nevoja themelore që ka një burrë. Ato, lulet, hallatet, e kishin në dorë jetën! Mos e patën lënë për më vonë? Apo duhej thjesht ta kontrolloje njëherë, diku te mjeku, veten dhe të gjendej burimi… Papritur e pa kujtuar u bëra trari i madh i problemeve në shtëpi. Tanimë duhet të mos nënshtrohesha në shkollë. M’u kujtua im atë kur më tha se prandaj s’kisha qime nën sqetulla! Prandaj më mungonte molla e Adamit! Një ditë mbase mbin edhe ajo! Do të mbijë një ditë krejt papritur edhe dëshira ime. Kini për ta parë. Ah, ky ka për të qenë ngushëllimi i fundit! Eh, hunda! Por as ajo nuk më bënte përshtypje. Ai, Llambroja, shoku i vjetër i klasës, sa një fasule e kishte hundën në mes të fytyrës, kurse mes shalëve – një kastriq të madh, të madh, saqë trembi gjithë komisionin e kontrollit ushtarak kur qemë gjashtëmbëdhjetëvjeçarë…
Iku dhe shkolla, iku dhe matura, ikën shokët dhe shoqet. Me ndonjë, kur e kur, takohesha dhe vëreja burrërimin e tyre të pashoq. Një mbrëmje vjen im atë dhe më merr mënjanë. E gjeta! Është një doktor në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Do nisemi nesër. Bëj një banjë të mirë sonte dhe nesër nuk do vësh gjë në gojë. I kam prerë biletat e autobusit…
U drodha i gjithi. Të jetë e vërtetë? Po shkoja nëntëmbëdhjetë. Më rrofshin ato që zotëroja! Unë kisha mbetur kalama. Zëri i hollë. Fytyra qaramane, ta puthje trishtimin që më lexohej që atje tej – isha për të ardhur keq. Pikë gjallërie! Nuk më hynte në sy asgjë, nuk duroja dot asnjë tjetër të më afrohej, shikoja ëndrra të liga, pa femra, pa shoqet e mia, pa tharmin që vetvetiu e bën jetën të gëzueshme. Unë ende s’kisha në jetën time, ç’është më e bukur për njeriun… Rrudhat e gishtërinjve sikur më janë shtuar, më mungojnë të gjitha shenjat e burrit. Oh! Pale, edhe vështrimin e druajtur të nënës të kisha mbi kokë. Por, e dija, ajo nuk e jepte veten. Nëpër punët që bëj, syri i saj më ndjek pas, më përkëdhel. E gjeja gëzimin në lexime dhe në ato që ëndërroja me sy hapur…
Doktorin e gjetëm në dhomën e tij të vizitave. Nuk më pyeti për gjëra që do të më skuqnin. Ia bëri me sy tim ati që të largohej, të priste në holl. Më urdhëroi të zhvishesha krejt. M’i hapi këmbët dhe më preku ngadalë te vendi ku ndihesha keq e mos më keq. Atje ku janë rrënjët e një burri. Erdhi dhe infermierja e tij. Më mori gjak nga damari, më mori urinën, pështymën, më kontrolloi gjithçka. Pikat e dobëta të burrit, ai sigurisht i dinte mirë. Infermierja mori gjërat që duheshin. Doktori më urdhëroi të vishesha. Ashtu bëra. Problemi yt janë gjëndrat mbiveshkore. Ato të pengojnë pjekurinë. Edhe kur vjen natyrshëm, ato ta ndërpresin shumë shpejt rrugëtimin. Ato sikur të japin një gotë trishtim mëngjes për mëngjes. Të shtojnë rrudhat, madje i lënë të prehen dhe bëhen të përbindshme. Do presim përgjigjet e analizave dhe kam vërtet shpresë që të të gjallëroj, miku im i ri, t’i shtoj petlat e gëzimit në atë farë feje që ta ndiesh shpejt që je burrë dhe që ti ta puthësh vesën e mëngjesit në erën e jugut. I ke shenjat që nuk je qose. Hidhe poshtë nga vetja turpin, për ty s’ka e s’do të ketë kurrë turp, gëzimin s’do ta mbash më me paterica, mbiveshkoret e tua do ta mëkëmbin menjëherë harenë dhe hijeshinë! Dhe ti, djalosh, do ta ndiesh thellë dalldinë dhe ndërkohë ka për të marrë në krahë qielli, e mira dhe e bukura do të të mbajnë në prehër dhe, ke për ta parë, do të të këndojnë ninulla!… Qeshi. Më bubërroi edhe mua një e qeshur e lehtë. Ç’të ishte, vallë, ajo jetë?…
Në prag të largimit, erdhën përgjigjet e analizave. S’të mungon asgjë, më tha. I ke të gjitha predispozitat. Është pikërisht ajo çfarë dyshoja. Ilaçet i kam në farmacinë e spitalit. Duhet të jesh mjaft rigoroz. Do nisësh të vraposh, jo, jo të ecësh, por të vraposh! Gjysmën e ditës do vraposh. Vrapi të bën burrë më herët nga ç’mendon. Dhe pi ilaçet, mos u merr me lutje, le të vënë përpara një mal me lutje, nuk janë ato që të japin dashurinë e munguar. Menjëherë do nisësh ta kuptosh se je vërtet në pranverën e jetës. Të është dashur një shtysë nga jashtë dhe unë po ta jap. Po ta jap me kapacitet të plotë, pa kufi. Ai miku do të rritet vrullshëm, edhe herdhet po ashtu. Shumë shpejt do jesh një burrë jo dokudo. Do të të mbaj një javë këtu në spital. Dhomë të veçantë. E di ç’do të thotë të jesh si ti sot. Të dalloj fort mirë. Por mos harro, kur të jesh gati dhe t’i thuash mirëmëngjesi botës mbarë, do ta kuptosh se me petale do mbushet gjithë hapësira që të ka lënë pas trishtimi i ndëkryer që të kish zënë rrugën si një e keqe e flamosur. Hej djalosh! As e merr dot me mend si do jesh ti!
Më dukej se filloi edhe ai të sillej krejt i pakujdesshëm me natyrën time të rënduar nga ky hall, që mos e pastë njeri tjetër. Më mbetej aq pak kohë të përfytyroja se rrebeshi i gëzimit do të bjerë me siguri edhe mbi lulet e hidhura që na ka prurë fati i keq. Një fije shprese, tashmë e gjallëruar, paksa po më përkëdhelte dhe gjithashtu po nuhasja krejt ndryshe nga një ditë më parë. Më shtrinë përmbys në dhomën speciale të doktorit dhe një burrë, infermier, me duart leshtore, pas ca minutash, më nguli një alamet gjilpëre në fund të kurrizit, dhe unë mbeta pa frymë, m’u bë si goditje rrufeje kur merr jetë një pështjellim gjigant brenda vetes dhe ti nuk je më si më parë. Mbeta në aht. Pas pak kuptova se isha gati ta bëja timin gjithë gëzimin dhe ta harroja një herë e mirë trishtimin e zi, duke lidhur fjalët e këqija rreth rrënjëve mashkullore, që do të doja t’i kisha sa të dashit! Oh! Po sa të dashit i ka edhe Xhel rrënxaku, por ato të tijat, që bien në sy të gjithë botës, s’ka ç’i do as dreqi! Duket se po më pëlqente të lidhesha rreth fjalës dhe shpirtit tim, pastaj atyre do t’u mjaftojë të mbushin shekujt me emocione të përjetshme…
– S’ke pse e bën më veten ndryshe nga ç’je në të vërtetë, – më tha doktori i qeshur, pas një ore dhe më ra faqeve. – Sepse je djalë edhe pse nuk e ndien fare këtë! Por do ta ndiesh shpejt një trazim tjetërlloj, ndryshe nga më parë, ke për të përjetuar një lëvizje tërë kënaqësi trupore, një gjarpërim plot ngjyra dhe gazmim të brendshëm tërë hare e freski çudibërëse. Duhet, duhet patjetër freskia, për të shuar zjarrin gjigant që të përfshin. Ajo është shenja e plotë e jetës, hedhja e farës në këtë botë, gjallërimi i padukshëm i një force edhe më të madhe se gjithçka që as mendohet në këtë gjendje!…
Një ligjërim i ndezur dhe i gjatë. Pak nga fjalët e tij, pak edhe nga thelbi im i leximeve të shumta, të cilat e bënin përplot ngjyra këtë jetë, që sapo ma përshkoi doktori. Pra edhe unë do shijoja ngjyrën e duhur, timen, tënden, edhe pse përbrenda ende ndihesha bosh. Sa mirë që kishte dalë sheshit gjendja ime e pa shpresë, me një joshje të fshehur, por gjithnjë me sy të flashkët, kalama i rritur, pa forcë për të qenë, me krimbin që lëvrin i trembur, i mbledhur kruspull diku thellë dhe pa pikë dëshire. Por ja që befas, një mijë diej turbullues nisën të buçisnin në veshët e mi, duke përfytyruar djalërinë e hidhur e të marrosur, krejt pa pikën e epshit, gjithnjë e urtë, jo trullosëse, krejt i flashkët me gjithçka edhe pse për çudi herë-herë kërkon vëmendje të çmendur…
Im atë kish gjetur një hotel dhe tërë kohën tjetër, gjithë ditën, gati qe lidhur në spital. Nja dy herë e vura re që seç bisedonte dhe qeshte me të madhe me doktorin, i cili nuk reshti asnjëherë t’ia zinte në gojë fatin e keq që e bën të vuajë një burrë kur nuk ndihet burrë, atë gjë të trishtë, por gjithnjë përmendte gjithë gaz se tashmë s’ke pse të mos e duash harenë dhe gëzimin… Mirëpo kjo gjendje përsëri tek unë ishte dhe natyrshëm që ta bënte edhe më të thellë hidhërimin. Ndërkaq vura re edhe një gjë tjetër. Sikur isha më i shkujdesur, sikur një yll po pikonte diku brenda meje pa u përcaktuar se ku, si një mbresë në lëkurën e një burri që s’është ende i tillë, po ama me shpirtin që ka nisur të fluturojë lart, si një gjendje që është e shpirtrave, po që ata janë krijuar për të mos u shuar kurrë e për t’më dhënë dritë mua, si dhe për të mos e parë në thellësi të vetes sime atë të një mashkulli të ftohur, siç mund të bëjë një burrë koti dhe e paqartë me thellësitë e nënvetëdijes së tij, po edhe me marrëzitë më të mëdha që kanë për të bërë më të thjeshtë praninë e asaj fare të munguar, por ama aq të thjeshtë, si dhe mijëra gjëra të tjera që duhet t’i përjetojë njeriu, burri, edhe kur është çyryk…
Ajo gjendje e re, që e ndieja larg, por të sigurt, po vinte dalëngadalë dhe me hap të lehtë, duke u shqiptuar nga miliona qeliza të ndezura, edhe pse pa qenë burrë ende, pa u ndërlikuar në sjellje magjepsëse, pa u dashuruar (veç ca ëndrrave të largëta!) me burrërinë e vërtetë, në një mjerim të thellë dhe i vetmuar thjesht si pjellë fantazie, pa praninë e perëndive me bekim hyjnor, por gjithnjë në imagjinatën e luajtur mendsh të një burri që s’e zotëron veglën e duhur, që ende s’ka hyrë fare në botën e paanë të seksit, si jetë e një bote materiale e të vrazhdë, buka e përditshme për t’u shijuar fort, siç bëjnë të tjerë e të tjerë, kredhur në botën e një gruaje, domethënë të jetë në gjendje për të ftuar hijet, se burrat hije ishin dhe janë, kur u mungon xixëllima e flakës së nxehtë, groposur diku nëpër flakën e zbehtë të kotësisë. Sa ëndrra dhe sa trishtim prej tyre jeton njeriu me veten më shumë se me të tjerët. E gjithë kjo kotësi ka për të qenë lëkura e fundit që e ndan nga humnera ku do të mbetej pas hiri i ëndrrave që u dogjën përfundimisht.
Ngadalë vërtet, por po e ndieja vlimin. Ishte ndezur zjarri dhe e ftohta kish mbetur në hirin e kujtesës. Me sa duhet shpejt do t’më rrëmbenin flakët. Poshtë te rrënjët po ënjtesha, i prekja me dorë dhe kudo, në çdo qelizë po më mbërthente fort një rrjedhë e lëngësht dhe e bukur, që më tepër e ndieja edhe si rrymë fluide që të gjallëron dhe të jep diçka të fshehtë dhe frymëzuese. Më dukej se po dilja nga vetja dhe më në fund diçka e magjishme ngjau, sikur atje tej m’u zgjat një dorë dhe duhej të shkoja me të… Jo, jam i sigurt, askush nuk e pa, nuk e vuri re fare! Ose do ketë ndodhur e kundërta, sepse është fare e thjeshtë për ta rrokur tek tjetri këtë gjendje, me siguri… Po, fundja, ç’rëndësi ka për të tjerët? Unë këtë e dija mirë. E kisha vuajtur. Prej dhimbjes. Ajo ma shkatërroi rininë dhe ma la të fshehur në hone e humnera të errëta dashurinë. Ajo, dhimbja! Jo, nuk është dhe s’ka pse të jetë dhimbje fizike, as vuajtje nga ndonjë sëmundje lënguese, jo, jo, më besoni, ajo që kam ndierë është fyerje për qenien njerëzore, pastaj edhe për qenien si burrë, poshtërim i thellë në shpirt. Dhe ndryshimi fatlum do të vinte atëherë kur s’mund ta mbaje më atë dhimbje, që pastaj nuk do ishte më aspak e turpshme që të dashuroje. Mund të ndodhte shumë më vonë që të mos dashuroje, por ama pa atë dhimbje therëse në shpirt, se kjo mundësi e krijuar, gjetja e forcës dhe e thellësisë së rrënjëve të tua t’u dha… Mirëpo, këtë askush s’mund ta thotë dhe as ta interpretojë më mirë sesa unë që e kam vuajtur aq keq. Fundja më mirë të mos e kuptojnë…”.
E pashë dhe më pa në sy. Erni po qeshte. Ashtu më mbeti në mendje.
Tiranë, më 05 qershor 2023
(Shkëputur nga Revista Letrare – Pranverë 2024, në print. E gjeni në librarinë tonë online, në “Art’s Library”, Tiranë, në Amazon, Barnes & Noble etj.)








