Press "Enter" to skip to content

Arat

 

Shpesh më pëlqen me u përfshi nga një shtjellë kujtimesh, me u degdis në shtigjet e përroskat e largëta të fëminisë, kur ashtu trumbë shkonim udhëve fort të ngushta të katundit duke folur e penguar njëri-tjetrin. Shkonim nga lumi për të parë si laheshin peshqit. Futeshim midis plepishtës dhe shelgjeve të bregut duke kaluar mes kulprave dhe ferrave. Ngjiteshim bregut për me hy në arat e porsapluguara. Livadhet në pranverë, kur nis dhe rritet bari, më ngjanin të magjishme. Një si puhizë aromash endej në ajër e gjithkush mund të ndjente gjallërimin e ngjyrave ende pa çelë lulet, që shpërndaheshin pastaj trumba-trumba në krejt sipërfaqen.
Tash më trishton pranvera e livadheve. Tek shoh grumbujt e vegjël të dherave që avullojnë mes blerimit, më kujtohet Kurtishi, djali i vetëm i Cufes, shndërruar në urith. I imtë, i zeshkët, disi i zbehtë. Zaten ndiqte hijet, sikur t’i druhej diellit. Na humbi para syve si të mos ishte. U bë urith, e përpiu dheu.
Si moshatar me Cufen, pandehja se e njihja me rrënjë e degë, por u gënjeva me trutharin. Deri kur u bë me vëlla, një kërthi i bardhë, krejt bardhavel e faqekoplluq, Cufja sillej vërtet çuditshëm, ama na argëtonte, na sillte në qejf. Marrëzira, qyfyre… Padyshim e tepronim të gjithë. Edhe Cufja, që mbase ndodhej një hap para nesh. Në majë të gjuhës kishte fjalët “Sa për veten time”, që i përsëriste pa u lodhur dhjetëra herë. “Sa për veten time dua këtë, dua atë”, thoshte dhe, që të flasim drejt, nuk ishte krejt faji i tij. Ishim ne që e nxisnim me vështrimin tonë të etur.
– Sa për veten time, dua t’i kem nja dyqind langonj të verdhë. Dyllë të verdhë, po them. Nja njëqind langonj të bardhë e nja njëqind të zinj.
“Të ziiinj”, ushtonin grykat. Ushtimën që zgjatej lugjeve duke u përplasur e rikthyer në shkrepat e shpateve, sikur e dëgjoj sërish tani.
– Kaq shumë, o Cufe, po pse të duhen xhanëm? – i bija unë me bërryl.
– Dua t’i rreshtoj te këmbët. Të bindur si nxënës shkolle. Kur t’u them qenve rrotullojeni kokën, ta rrotullojnë, kur t’i dua të ulur në bisht, të ulen në bisht. Me leh e me pushue njëherësh sipas komandës sime.
– Të keqen e taborëve, o Cufe…
– Hajde ushtri, hajde…
– Siç janë të rreshtuar, – vazhdonte Cufja, – t’u fishkëllej fort, pastaj t’u piskas dhe t’i ndërsej shpatit. Të lëshohen nëpër shkurre e ferra, e mbasi të përshkojnë korijet, hajt bir luginave e kodrave, të kthehen prapë e të nisen përsëri. Të kërkojnë e hulumtojnë pëllëmbë për pëllëmbë duke nuhatur e lehur. Të venë përpara shtazët e të ngrenë në ajër shpendët. Të mbushet qielli me rrapëllima krahësh. Prej lehjes, të tromakset vendi dhe njerëzia të dalë rrugëve. Të gjithë përjashta, u them. Ç’bëhet kështu? – të pyesin. Çfarë është ky kiamet? Cufja, ka dalë Cufja… Po gjuan me qentë e vet, të dëgjohen ngado përgjigjet.
– Ku janë gjuetarët, o Cufe? – pyet dikush.
Ai do ta shihte disi vëngër dikushin që foli, por nuk do ta prishte terezinë.
– Dilni, dilni të shihni! Hapni portat, ju them. Ç’po vika një qerre me lepuj e dhelpra bashkë. Ja, dy qerre të tjera me shparguj, mëllenja… Dilni të shihni, dilni…
– Eh, zallamahi, o bir!
– Batërdi…
– A ka bir nëne që mund të rrijë mbyllur?!
– Një mal me gjah, o Cufe. E le pa mend gjithë botën, po a do t’u japësh gjëkafshë shokëve të tu? Sa t’i kruajmë dhëmbët, sa me i marrë erë, – kujtohet njëri ta pyesë.
– Sa me krue dhëmbët, – shton tjetri. – Po na shkon goja lëng. Nuk je kaq i poshtër me na lanë dhëmb për dhëmbi?
– Po m’u lutët shumë, po m’u rrëzuat në gjunjë…
– Mos na le pa gjë, për hatër të zotit, themi të gjithë së bashku.
– Lutuni, lutuni, – skërmitet Cufja.
– Për lutje mos ke dert, – thotë i pari.
– Sa të duash e si t’i duash, – thotë i dyti.
– Me dorë në zemër do të lutem, – thotë i treti. – Në gjunjë. Barkas po deshe…
– Gjuaj Cufe, gjuaj! – e nxisim të gjithë. Sturre lukuninë e qenve, shpraz çiftet, djalë! Mos e ndal hovin! Zhbije, shfarose pyllin!
Shumica kafshonin buzët dhe mezi përmbanin gazin. Dikush shpërthente në kukurizma të mbytura, dikush qeshte haptas, gajasej sa mekej. Cufja nuk kuptonte. Aq i pati dhënë zoti apo nuk donte të kuptonte, atëherë nuk e dinim tamam. Të shihte me një palë sy të zbrazur prej guhaku dhe zgërdhihej. Ndërkohë vazhdonte po njëlloj avazin e dëshirave të veta si pakëz të çuditshme.
– Sa për veten time dua të kem nja njëqind hamshorë e njëqind pela, – do kërkonte sërish ditën tjetër, rrethuar prej së njëjtës trumbë thumbuese, në të njëjtat shtigje të ngushta, ku dy vetë s’mund të kalonin krahas, pa u përplasur me njëri-tjetrin.
– Të jenë hamshorë të zinj që ftroshin e të hanë me dhëmbë. Me qitë zjarr për sysh e për goje. Ndërsa pelat qimendritura të jenë bojna-bojna. Të kuqe, të bardha, jeshile. Pulla-pulla…Hingëllima t’u shkojë në qiell.
– Eh hamshorë, o bir…
– Hajde, pelat jeshile të Cufes, hajde…
– Hingëllima në qiell, ju them, – këqyrte mërishëm Cufja, që s’donte ta ndërprisnin. – Të bëhet tym dynjaja prej pluhurit të ngritur. Pelat t’i nisë majtas e hamshorët të turren djathtas. T’i bëj bashkë pastaj në hyrje të katundit, të shkelin me thundra ç’tu dalë përpara. Të kapërcehen e shqyhen dyert, të shpërthuren e rrëzohen gardhet.
– Po pse, o Cufe?
– Ashtu ma do qejfi. Le të tranden kulmet, le t’u dalë flaka për kulmi. Të rrafshohen e shkretohen ara e livadhe. Tërfan e duman të bëhet.
– Po pse, o Cufe, do të na nxjerrësh binanë, ç’të kemi bërë, o i vrarë… vraaarë…
– Tërfan e duman të bëhet, ju them.
– Ç’të kemi bërë o i vrarë… vraaarë…
Jehonat e kësaj ankese të shurdhuar nga largësia e kohës vijnë gjithnjë e më të shuara.
Cufja u bë me vëlla, siç thamë, dhe qyfyret mbaruan. Firasën dëshirat dhe gazi ynë mekej sa shihnim fytyrën e tij të ngrysur, mbi të cilën shtrohej duke u bërë edhe më i dukshëm pikëllimi sa më shumë lëshonte shtat vëllai i vogël, bardhaveli i bardhë. Në praninë e vëllait, që e nxirrnin duke e mbajtur për dore, Cufja heshtej e zymtohej. Ç’dreqin e gjeti, pyesja me vete. Çdokush tjetër do gëzohej, por arsyet e brengës së Cufes mbetën të fshehta për mua. Nuk është fort e pranueshme, mendoja, të fusësh hundët në punët e huaja. Ndërsa shumë kujt as që i bëhej vonë për zymtësinë e Cufes dhe as për ndryshimin e shpejtë të sjelljes së tij. Fundja kështu ishte parathënë të ndodhte, mendoj edhe sot e gjithë ditën. Mos me u marrë. A mund të hetohej zanafilla e një orteku sado shkatërrimtar që mund të bëhej?!
Për një kohë të gjatë, dallgët e jetës më larguan prej Katundit dhe nuk e pashë vëllain e Cufes të rritej. Siç dëgjoj së fundmi, Bardhin e paskëshin martuar shpejt dhe në pak vite ai qenkësh rrethuar prej një tufe vocërrakësh. Kur u ktheva vonë, shumë vonë, në muzg të jetës siç thonë, fuqitë e dikurshme, bashkë me rininë time, kishin mërguar. Vëllai i Cufes me camërdhokët e zhurmshëm e faqekuq ishte larguar prej Katundit. Patën rrjedhur mjaft ujëra e bashkë me to edhe shumë njerëz prej Katundit, madje edhe prej kësaj bote, ndaj e quajta të kotë të rrëmoja të kaluarën. Më patën lënë fuqitë, a trembesha se nuk do ta merrja vesh me saktësi se ç’kishte ngjarë gjatë mungesës time, apo ndoshta mjaftohesha me kujtimet e mia? Ndoshta pandehja se gjithçka qe mbyllur dhe se s’kishte kohë për të ndodhur diçka që mund të më befasonte, po rrufeja shkrepi. Djali i vetëm i Cufes u bë urith. Mesa duket, që të ngjasë gjëma paska kohë sa të duash, ndaj deri në fund të jetës nuk jam i sigurt se ç’mund të më shohin sytë.
Nejse. Nëpër livadhe, grumbujt e shkriftë, të sapoformuar, lidhen me njëri-tjetrin përmes kalimeve nëntokësore. Herë pas here gjithë urithët ndjejnë nevojën të prekin lëvizjen e erës, ndaj dalin mbi tokë, ndërsa Kurtishi, si urith i ri, mendoj se përmallohet për njerëzit, shtëpinë e vet buzë përroit dhe për shumë gjëra të botës ku kishte qenë para se të futej në labirintet e dheut. Fjalët dhe punët e njerëzve tani do t’i duken të largëta, të pakapshme. Po si u bë urith ai farë djali? Disa që hallet e kësaj jete i njohin përciptas, fajësojnë vajzat e fqinjëve, njerëz të një gjaku, madje disa krejt të afërta me djalin. Shpesh herë kushërirat këndonin:
O Kurtish, o vëllai i motrës,
mos u bëj si urthi i tokës!
Ashtu mbledhur qark, nën ritmin e një dajreje, vajzat këndonin dhe kërcenin të zëna dorë për dore. Pastaj qeshnin pa të keq, duke u nisur ndoshta nga trupi i çunakut që vinte si i mrrudhur, prej lëkurës së vrugët ndoshta a prej fytyrës së imtë me sytë e vegjël, që të shihnin si nën vetulla.
“Mos u bëj si urthi i tokës, mos u bëj si urthi i tokës”, përcillnin sokakët harenë e vajzave…
Ende përflitej se si qe bërë me krahë Cufja për lindjen e djalit që e paskësh pritur aq gjatë, pas shumë vjet martese, kur të shumtët mendonin se çifti i mbetur pa fëmijë duhej t’i nënshtrohej fatit. Por pas lindjes, Kurtishi i vogël mezi hidhte shtat. Ndërsa fëmijët e tjerë të fqinjëve, djem e vajza, lodronin plot shëndet e gjallëri, ai dukej si një kallam që e përkulte era më e lehtë. Duke u prekur prej hokave, strukej më tepër. Tek piqesha rastësisht me të, kuptoja se i vinte mirë të rrinte pranë meje një copë herë. Fërkonte duart dhe një si buzëqeshje i nderej në cepat e syve.
Më vinte keq kur e shihja të rrudhur. I hidhja krahun. Pse mërzitesh, i thosha. Përzihu me shokët, qeshu, gëzohu. Jo, më thoshte, nuk i dëgjon si shajnë? S’më duan. Unë nuk jam, nuk jam… Çfarë s’je, mor djalë? Nuk jam… urith, s’jam. Po, po, sigurisht që s’je urith, e qetësoja. Ti je si… si pëllumb, si pëllumb i… i… i bardhë, doja të thosha, po fjala ngurronte me kapërcye shtegun e dhëmbëve. Kurtishi vinte si i rreshkët. Fundja, e meritonte një fjalë të ëmbël, sido që të dukej, i rreshkët a i bardhë.
Si shpirt je, ngrita zërin duke e përfshirë në shpatullat e hajthme. Po, po, si shpirt! Doja ta ngushëlloja, ndonëse zëri im, ashtu i dridhshëm, më ngjante jo fort bindës. Pse thonë ashtu, ata, pse thonë, ankohej djali. Bëjnë shaka, përsërisja. Duan të qeshin. Kaq. Mos u mërzit, jepu këmbëve, qesh edhe ti me ta. Jo, jo, shkërputhej. Unë nuk jam urith, nuk jam urith. Lëvizte duart e vogla, përplaste këmbët, kruspullosej. Nuk jam urith, nuk jam urith, nuk dua…
Zot, mos na fut në mëkat! Ashtu si bënte, më ngjante vërtet me një urith të zemëruar. Me këtë ndjesi, pikërisht herën e fundit, më shkrepi edhe mua të luaja, të bëja shaka me të. Jam penduar tani, po sa para bën.
Pse të vjen keq, e qortova me një seriozitet të shtirë. Po të thonë, mos u bëj urith, mor djalë. A merr vesh, mos u bëj të thonë. Kur të thonë bëju urith, të të mbetet hatri. Kurtishi më pa me një lloj inati sikur donte të thoshte, budalla më di mua dhe më ktheu krahët. Nuk u përmbajt gjatë dhe ia plasi të qarit. Desha ta merrja me të mirë, por u shkëput dhunshëm prej meje. Ik, më tha, duke fshirë lotët, ik. Të mora për plak të veçantë. Është ndryshe, kujtoja, zotni burrë, por edhe ti tallesh me mua si të tjerët.
Që atëherë e kisha nuhatur se djalin e mundonte një e fshehtë që po e hante të gjallë. Se ngacmimet e moshatarëve, sado të hidhura, s’mund të ishin aq helmuese. Po të tregohesha më i afruar me të, ndoshta do hapej dhe unë do t’ia zbuloja më herët brengën. Tek largohej prej meje, shihja supet si i shkundeshin prej dënesave. Pas asaj dite, kur iku duke prishur miqësinë me mua, nuk e pashë më me sy djalin. Kishte arsye të shmangej dhe gjëma ndodhi shumë shpejt, vetëm disa ditë më vonë. Ndërkaq ai vazhdoi të ndahej edhe më shumë prej fëmijëve të tjerë dhe dukej, madje, sikur i druhej dritës. Në mungesë të ditëve të vranta, strehohej nën hijen e mureve dhe pemëve. Ndiqte vragën e lugjeve. Edhe kur i duhej të dilte sheshazi, rrinte pas shpatullave të gjera të ndokujt para tij.
Mos u bëj si urth i tokës, mos u bëj si urth i tokës…
Kënga, si një profeci e pashmangshme, s’vonoi ta jepte efektin. Një ditë pranvere, para të atit dhe shumë të tjerëve, Kurtishi filloi të shndërrohej.
Do të doja ta shihja edhe një herë para se të zhdukej, por mbërrita vonë, kur kishte përfunduar atje ndër pala të dheut, ku, në mungesë të diellit, ditët e netët janë njëlloj të errëta. Disa ende besonin se shndërrimi i tij ishte vepër e një magjie të frikshme, e cila sidoqoftë do ta humbte dikur veprimin dhe Kurtishi do kthehej në gjendjen e mëparshme. Pse ta vuante i ngrati një ndëshkim të padrejtë, kur, siç do merrej vesh shpejt, ai qe vetëm vegla e së keqes dhe keqbërësin faqe botës do ta tregonte vetë me gisht.
Siç më thanë, trupi i djalit qe rrëgjuar papritur, qe mbledhur sa një dorë duke u mbuluar njëkohësisht me një gëzof të zi e të shndritshëm qimesh. Gjindja kishte mbajtur frymën. Në krye të herës, mesa dukej, ai nuk ishte i vetëdijshëm se ç’po ndodhte me trupin e tij, po kur hodhi vështrimin për rreth, veçanërisht kur pa Cufen të tmerruar, e shpuan tej e tej thikat e dhimbjes. Pa ditur si të mbrohej, ulëriu:
– O baaaa, baa… U vrava, ooo, ndiiihmë! Vdiqa, shkova. Dorën, ma jep dorën. Ah, i mjeri unë, i shkreti unë! Ndihmë, o njerëz… Më more në qafë, o ba, o baaa…
Zëri sa vinte dhe i hollohej derisa nuk po i merrej vesh asnjë fjalë. Lëshonte vetëm britma të ndërprera, që më vonë u bënë klithje më të shkurta, skithma. Vërtitej qorras midis këmbëve të njerëzve dhe, sigurisht, ngaqë nuk e duronte shkëlqimin e diellit, nxitoi të futej nën dheun që u hap lehtësisht nën këmbët e tij. Sa hap e mbyll sytë humbi në bark të dheut. Iku sikur të mos kishte qenë ndonjëherë… Toka ishte mbyllur për mrekulli dhe sado të përpiqeshe nuk mund të dalloje asgjë midis luleve dhe hoveve të barit. Ndërsa Cufja, pa ditur ç’të bënte, më thanë se vinte rrotull me sy të zgurdulluar. Në një çast qe dukur se e mblodhi mendjen, qe përkulur në vendin ku ishte përpirë Kurtishi dhe filloi me gërmue me thonj. E hidhte dheun anash me një shpejtësi dhe furi të habitshme. E mbante shpresa se mund të gjente shtegun e nëndheshëm, përmes të cilit do të shkonte për me gjetë Kurtishin. Gropa e hapur i mbërriti gjer në brez. Prej saj, bashkë me dheun dilnin gurëz, gjethurina e degëza të kalbura, gjithfarë rrënjësh të vjetra e të reja barishtesh e drurësh përzier e ngatërruar së bashku… Pak më vonë, Cufes i dukej vetëm koka e shpupuritur, por në muret e thellomës nuk hetohej e çara më e vogël. Asnjë shenjë tjetër. Kurrgjë… A mos po kërkonte në vendin e gabuar? I mbytur në djersë, mbeti krahëprerë në fund të gropës derisa dikush u kujtua me i zgjatë dorën për ta ngritur sipër saj. Edhe të tjerët ndjeheshin si të humbur dhe të shushatur. Madje edhe të zënë me faj. Ndërkohë që djali u humbi para syve duke u lebetitur dhe duke u kërkuar ndihmë, ata qenë gjendur të shtangur dhe krejt të pafuqishëm për me i dhënë dorën. Një copë herë mbetën pa fjalë. Filli i ngushëllimit qe ngatërruar keq diku dhe nuk po gjente udhën e shpleksjes. Çfarë mund t’i thonin Cufes, kur arsyeja i la në baltë, sa askush nuk e gjente domethënien e ngjarjes?
Pas daljes nga gropa, babai fatprerë zuri kokën me duar dhe në atë pozicion mbeti i ngurosur. Buzët që i dridheshin i nxirrnin më në pah shtrëngimin e nofullave. Papritur, duke dalë nga ngrirja, filloi me u çjerrë e me shkumëzue lutje, ku pak fjalë i merreshin vesh.
– Aman, bre… u përvëlova, u dërmova. Mos, mosomakeq, bre. Jo, jo, ah ç’më piu e zeza, më vrau rrufeja…
Ankimet dhe ofshamat e tij u zëvendësuan prej mallkimeve që kthjelltas ia kamzhikonte pa mëshirë vetes:
– U verbofsha, bre, mbetça trung pa këmbë e duar, kërkofsha me buzë copën e bukës dhe mos e gjetsha! U djegsha në buzë të lumit për një pikë ujë, më daltë shpirti për gazepi, më çafshin pesëqind ujqër, më hëngërshin shtatëqind dreqër, shtatëqind maluketër!
Në këtë moment arrita tek grumbulli i njerëzve, që të mbledhur rrotull Cufes për së largu më kishin përngjarë si pjesëtarë të një funerali. Në një farë mënyre, të tillë qenë katandisur. Edhe pse arkivoli mungonte, gropa e hapur dukej si varr. Mbase do ta sillnin më vonë trupin, mendova, po kush paskësh vdekur kështu?
– Çfarë ka ndodhur? – pyeta me zë të lartë.
– Shtatëqind dreqër më gjofshin, – bërtiti sërish Cufja. Të tjerët s’bëzanin.
Më bëri përshtypja hiperbola në vetëmallkimin e tij. U plak e nuk po i ndahen qindrat, thashë me vete. Po kthehet në zanatin e vjetër të fëminisë, kur na zemëronte ndonjëherë, sigurisht, por më fort na shkrinte gazit. A nuk thonë shpesh se fëminia mund të përsëdytet në pleqëri?
– Pse bërtet, bre Cufe?
– Më bërtitshin te veshi! – u përgjigj ai pa parë nga unë. – Djali… Mbeta pa djalë, pa shpirt. Oh, oo, mbetsha gjytyrym, mbetsha! Këmba-këmbës më ndjekshin si qenin e tërbuar!
Më habiti ndryshimi i madh i Cufes. Po të mos isha i pranishëm, do ta kisha të vështirë me besue se ai mund ta kthente ndonjëherë tytën e mallkimeve nga vetja.
– Ku është Kurtishi? – pyeta i alarmuar, duke u ndjerë në faj për sjelljen time të para disa ditëve. Njerëzit u përpoqën t’i hiqnin sytë nga unë, ndërsa Cufes i qe tharë goja.
– Mbeta pa djalë, i mjeri unë, i ziu unë, – përsëriste.
– Ç’ka pësuar djali, pse s’flisni?
– Pa djalë, pa djalë… – belbëzonte Cufja.
Të tjerët vazhdonin gojëkyçur t’i bishtnonin vështrimit tim dhe unë disi me vonesë e kuptova se në ato rrethana ishte e tepërt me kërkue përgjigjen. Ndërkohë Cufja, që, siç duket, më njohu më së fundi, u përmbys përdhe. Kryet iu zhytën në baltë, ndërsa këmba dhe njëri krah iu anuan brenda gropës së hapur. Ashtu pa gojë e bartëm të shtrirë nën hijen e një krekze në rreth të livadhit. Akoma nuk dija pothuajse asgjë. Merrej vesh se diçka e pazakontë kishte ngjarë. Për besë, shpirti nuk ka ferra, thashë me vete. Edhe pa tronditje, fare lehtë mund me braktisë burgun në formën e trupit njerëzor dhe me qëndrue një grimë herë pezull sa për me kundrue reagimin e të gjallëve. Menduat se jeni të përjetshëm, o qyqarë, se mund të bëni çfarë të doni e si të doni, pa u gjykuar e ndëshkuar siç e meritoni…
Cufja mori frymë thellë. Fishkëllima e tij ankuese e përftuar nga zbrazja e ajrit të mbledhur në parzëm, m’u mbështoll si gjarpër për mesi. Ftohtë dhe shtrëngueshëm. U duk sikur më thoshte: Kaq kollaj mendove se mund të më heqësh qafe? Më ke vënë në bisht të lahutës, më ke qesëndisur sa je shkokluar prej qejfit, më ke thumbuar aq hollë duke më kujtuar të veshur me lëkurë qarri. Prapë nuk je nginjur. Më shihje si vuaja, si të lutesha me sy të më lije rehat. Më pe ndër këmbët e tua, por i shkove deri në fund babëzisë tënde. Më re me thuprën e nënkuptimeve, më shpove me heshtat e shpotive. Qeshe dhe u zgërdhive sa munde. Besoj se të kanë dhembur brinjët prej gazit. Prapë nuk u ndale. Ngrite mbi mua çomangen e fyerjeve dhe sharjeve. Kur u zymtova, kur s’mund të shërbeja më si lodër dëfrimi, më morët me shqelma dhe më hodhët në ferrat e harrimit. Veç nuk kam vdekur. Edhe në shkofsha tek të shumtët, atje ku nuk mund të kthehem, do mbetem si gurë i rëndë në qafën tuaj…
Duke dalë nga përhumbja vura re se të tjerët, ashtu të zbehtë e pa pikë gjaku në fytyrë, e kishin marrë veten. Madje m’u duk se e kishin më të lehtë të shpreheshin pa praninë e Cufes. Donin të flisnin të gjithë njëherësh. Madje sikur s’po pyesnin se mund të dëgjoheshin prej tij. Le të merret vesh, se nuk hamë bar. Ka një kufi durimi, shfryu njëri, që ndoshta donte të përfitonte nga rasti për të shpërthyer qelbin e një inati që nuk lidhej drejtpërdrejt me Cufen. Dikush tjetër donte mbase të merrte flamurin e të diturit dhe të hakërrehej pse nuk ia kishin vënë veshin më parë. Zëri triumfues u ngrit më tepër dhe sytë ndrinë si të përvëluar nga ethet.
– Ju dola borxhit, ju paralajmërova me kohë, mor faqezinj, por ju s’e vutë që s’e vutë ujin në zjarr…
Çdokush e ndiente veten të shpenguar me u shfaq siç ndjehej në të vërtetë apo siç donte ta merrnin të tjerët. Në gjendjen e krijuar mund të zemëroheshe sa të doje. Britmat jehonin luginës duke u zgjatur dhe përplasur shpateve, shkonin në qiell dhe ktheheshin prapë në tokë.
– Po të kesh qejf, tromhasu nga pelini i zhgënjimit, shtangu gojëhapur prej habisë, – thashë me zë, po askush s’ma vërshëlleu. – Prisni, se më shurdhuat! – bërtita. – Ku paskëshi qenë ju të zgjuarit deri ditën e sotme? Ku është ai… ai, vëllai i Cufes? Sa çirreni më kot, ta lajmërojë ndonjëri.
Në zallamahinë e krijuar, para se ta mbaroja kërkesën, e ndjeva sakaq që më dëgjuan, ndaj çuditërisht pata një farë droje për t’ia drejtuar dikujt vështrimin. Dhe, sikur të kisha thënë fjalët më të paimagjinueshme, thuajse të gjithë i përpiu një heshtje e shkurtër, e prishur nga një kukurizmë e mbytur dhe e pasuar prej përroit të turbullt të një gazi dallgëzues, gulçet e të cilit kërkonin të më fundosnin. E njihja valën e të qeshurave dhe nuk do lejoja askënd me më poshtërue si gazin e botës.
– Mjaaft! – ulërita i xhindosur me sa kisha në kokë. – Në keni perëndi, pushoni, mos zbardhni dhëmbët! Gjetët ditën, ju! Vëllanë e Cufes, desha, çfarë ka për të qeshur këtu? O të çakërdisur, o të vithisur! Gjejani vëllanë, more, a mos ju dukem i luajtur?!
– Pyet Cufen, po deshe, ku e ka vëllanë, – m’u përgjigjën disa si me përtesë.
– Po bëhen dy muaj që u ktheve, por sot të ra ndër mend për Bardhin. Ku është a ku s’është Bardhi, rron apo ka vdekur, nuk deshe t’ia dije, s’të hëngri palla. Tani bën pallavra. E gjete ti ditën të tallesh, – m’u përvesh Cani, njëri prej kushërinjve të mi. Madje pati guximin e përqeshjes m’u në turi, duke imituar zërin tim. – Ku është ai… ai vëllai i Cufes…ufes… As emrin nuk ia zure në gojë Bardhit, – shtoi pas pak.
– Si moshatar dhe… shok fëminie, Cufja besojmë se ka për t’i treguar të gjitha. Edhe për vëllain, Bardhavelin pra, – m’u zgërdhi Kiu, kushëriri tjetër, duke më kthyer shpinën.
E kisha radhën unë të mbetesha si i goditur nga rrufeja.
Nëse shkoni me mendjen se njerëzit e sotëm mund t’i zësh ngushtë duke i marrë për syleshë a të turpshëm dhe mund t’i shkelësh në kallo vend e pa vend, do gaboheni. Edhe në qofsh plak, si puna ime, madje i sapokthyer nga mundimet e kurbetit, mos prit të kursehesh dhe të trajtohesh si jabanxhi gjithmonë.
Cani, që më erdhi përballë, më zuri nga supet dhe, duke më tundur, më nxori dhunshëm nga vorbulla e largët e së kaluarës:
– Ç’pate? Të zuri gjumi në këmbë, më duket. Ku ishe?
Duke u kthjelluar, vura re se Cufja qëndronte ende shtrirë nën hijen e krekzës. Rrotull tij njerëzit si një luzmë e trembur, sërish thumbonin egër, bërtisnin, çirreshin. Thua të mos ketë dëgjuar asgjë derdimeni, apo është argasur të durojë sharjet e fyerjet?
– Ku ishe, pash nderin, ku ishe?
Cani vazhdonte të më tundte gjithnjë e më shumë nga supet:
– Ku ishe, ku ishe?
– Urdhëro, – fola disi përhumbshëm.
– Ku ishe, të pyes. U bëra merak.
– Me pelat e Cufes, ku tjetër? – i thashë si me buzë në gaz, ndërsa tjetri vuri duart në kokë dhe syzgurdulluar pa sa nga unë, sa tek sehirxhinjtë rrotull, sikur t’u kërkonte ndihmë.
– Me pela e me hamshorë, bile, – thashë me zë më të lartë, ndërkohë që shtova me vete: ç’më sheh ashtu, pse lebetitesh, o i shkretë? Edhe sikur të dukem i lajthitur, kush nuk do të çmendej pas katrahurës ku gjithçka më përzihet? Alivanosja e Cufes, zhdukja e të birit, ndërkryerja e të tjerëve, që zukatnin si grera… Ja pse paskam ikur nga Katundi. Kot përpiqesha ta lidhja largimin tim me shkaqe të tjera ekonomike. Tokë e pafrytshme, uri a etje… Pallavra, paskëshin qenë të gjitha. Nuk doja ta pranoja se ia kisha mbathur i neveritur jo nga vendi, por prej njerëzve, që edhe tash shih si çirreshin me këmbë e duar, sa mend ia nxirrnin sytë njëri-tjetrit!
Vonë, krejt vonë asaj dite, kur terri i lajthitjes mbuloi kërshet e lugjet e çdo ndërdyshjeje, gjindja shumëkrerëshe u përpoq të më tregonte të fshehtën e largimit të vëllait të Cufes, që kishte ndodhur shpejt si rrufeja në qiell të pastër. Cufja qe ngutur me nda tokat e shumta me Bardhin. Kishin shumë ara, livadhe, kullota, djerrina që gjallnoheshin veç muajt e shkurtër të pranverës, pyje të përtërime e zabele. Edhe Bardhi, vëllai i ndrojtur u pajtua mos me thirrë pleq të ndarjes, siç e kishte zakoni. Cufja ishte betuar se do të ndante me drejtësi dhe për çdo paudhësi do dënohej në këtë botë e në atë tjetrën. Të kam amanetin e Babës e të Nanës, o Bardhoshi jem. Bile, për ndamje sa më të drejtë të arave nën ujë e bukanike kishin me pyet tokën: E kujt je bre tokë, pash dritën e diellit, pashë retë e qiellit? Cufja, nuk do mend, mund të hiqej, po nuk ishte i marrë. Shtegut të matjes nën tokë pat hapur një llagam të gjatë e dredha- dredha, nëpër të cilin do kalonte djali i tij Kurtishi.
Bardhit i dolën sytë vendit kur dëgjoi një zë që vinte nga nëntoka. Sado i mbytur, zërin e pretenduar si zë toke, e njohu. Ishte Kurtishi, që e donte si dritën e syve. U zverdh, iu dridhën këmbët si degë shelqeje në rrjedhë lumi.
– E kujt je ti toka e babës tem, e kujt je ti ara e nanës teme? – pyeste Cufja në çdo pesë gjashtë hapa që bënte përpara.
– Jam toka e Cufes, jam ara e Cufes, – dëgjohej klithma e Kurtishit nën dhe.
Bardhi u mpi me kryet midis duarve: Nuk ma le vendin vëlla, ma humbe bojën, më dhe udhët e ujqve. Më përzure prej vorrit të nanës e të babës.
– Toka po thotë, o vëlla, me pyet tokën, a i patëm qeshtu fjalët?
– Kështu i patëm, o Cufe! Nëse po flet toka, a kushdo qoftë tjetër, u baftë tokë, pra, mos e paftë më dritën e diellit, mos e prektë era e shiu, as bora!
Djali i Cufes, Kurtishi, sa ora mbeti llagëmeve në zemër të tokës, duke hapur vazhdimisht zgafella si urithi më i ri nën tokë. Nuk ishte vetëm nëma e Bardhit. Nëma e zezë e të ziut Bardh!…
Cani jepte e merrte sipër meje:
– A je këtu me mua, e humbe mendjen, o derdimen.
– Ma hupi Kurtishi, u bë urith i përjetshëm.
– Fatziu Kurtish, mërgoi si shumë të tjerë, o kusho, e zunë dherat e galerive, ia morën jetën minierat e botës.

Autori
Izet Duraku