Press "Enter" to skip to content

Midis njeriut dhe Zotit – cikël poetik

(Shkëputur nga antologjia e poezisë hebraike: “Midis njeriut dhe Zotit: 22 zëra nga poezia hebraike”, përzgjedhur, përkthyer dhe përgatitur për botim nga Melsen Kafilaj, “Botimet Ymeraj”)

Hebrenjtë në tokën e Izraelit

Ne harrojmë nga kemi ardhur
Emrat e rinj të dhënë prej mërgimit,
na kthejnë pas kujtimin e lules dhe të frytit, qytetet mesjetare,
metalet, kalorësit e gurëzuar, trëndafilat,
erëzat pikante, aroma e të cilave është shpërhapur,
gurët e çmuar, të purpurtën me tepri,
punimet artizanale që ikën prej kohësh nga bota
(Dhe duart ikën po ashtu).
Rrethprerja na e bën këtë gjë,
posi historia biblike e Shekemit dhe Bijve të Jakobit,
në mënyrë që të vazhdojë të na lëndojë gjatë gjithë jetës.
Çfarë po bëjmë duke u kthyer këtu me këtë dhimbje?
Dëshirat tona u thanë bashkë me kënetat,
Shkretëtira lulëzoi për ne dhe fëmijët tanë janë të bukur.
Edhe skeletet e anijeve që u fundosën udhës
arritën në këtë breg,
edhe erërat e bënë. (Jo të gjitha velat)
Çfarë po bëjmë në këtë tokë të zymtë
hijet e verdha të së cilës na shpojnë sytë?
(Herë pas here, dikush edhe pas dyzet
apo pesëdhjetë vjetësh vazhdon të thotë: “Dielli po më vret.”)
Çfarë po bëjmë me shpirtrat tanë si mjegull, me këta emra,
me sytë tanë si të pyjeve, me fëmijët tanë të bukur,
me gjakun tonë të gjallë?
Gjaku i derdhur nuk është rrënjë pemësh,
por është gjëja më e afërt që kemi me to.

Dashuri për Jeruzalemin

Gjendet një rrugë në Jeruzalem ku shesin vetëm mish të kuq
dhe një tjetër rrugë ku shesin veçse rroba dhe parfume.
Dhe ka një ditë në qytet
kur shoh të baresin veçse të verbrit, sakatët,
lebrozët dhe paralitikët.
Këtu e ndërtojnë shtëpinë dhe atje e shkatërrojnë
Këtu e gërmojnë tokën ndërsa atje mihin qiellin,
Këtu rrinë ulur ndërsa atje shëtisin,
Këtu urrejnë ndërsa atje dashurojnë.
Por ai që e dashuron Jeruzalemin
përmes udhërrëfyesve turistikë apo librit të lutjeve
është posi ai që dashuron një grua
sipas manualit të pozicioneve seksuale.

Kur kokën përplasa te dera

Kur kokën përplasa te dera
klitha “Olele koka, koka!” dhe “Dera, dera!”
Por nuk bërtita “O nënë!” dhe “O Zot!”
dhe nuk profetizova për Ditët e Fundit të Botës
ku nuk do të ketë më as dyer dhe as koka.
Kur ti ma ledhatove kokën, pëshpërita
“Koka ime, koka ime” dhe “Dora jote, dora jote,”
Por nuk pëshpërita “O nënë!” dhe “O Zot!”
Dhe nuk pata vizione duarsh hyjnore,
që përkëdhelin në parajsë kokat
teksa ndahen nga njëri-tjetri.
Çfarëdo që bërtas, them apo pëshpërit
është vetëm për të ngushëlluar veten: Koka ime, koka ime.
Dera, dera. Dora jote, dora jote.

Guri-Amen

Në tryezën e punës një gur me emrin e gdhendur “Amen”
një copëz trekëndore nga një varrezë e lashtë hebraike,
shkatërruar kohë më parë.
Copëzat e tjera, me dhjetëra e qindra,
të hapërndara sa andej-këndej dhe një mall i madh,
një mall i pafund që i mbush të gjitha:
Emri në kërkim të mbiemrit familjar,
data e vdekjes që kërkon datëlindjen e njeriut të vdekur,
emri i të birit në kërkim të vendndodhjes së atit,
datëlindja në kërkim të bashkimit me shpirtin
që mundohet të gjejë prehje.
Dhe derisa të kenë gjetur njëra-tjetrën,
ato nuk kanë për të gjetur kurrë paqe.
Vetëm ky gur prehet qetësisht në tryezën time dhe thotë “Amen”
Tani pjesët janë mbledhur dashamirësisht,
prej një njeriu të trishtë por zemërmirë.
Ai i pastron prej çdo njolle, i fotografon njëra pas tjetrës,
i radhit në dyshemenë e sallës së madhe,
duke e formësuar të plotë rrasën e varrit.
Një krijim edhe njëherë nga e para;
copëz pas copëze,
posi ringjallja e të vdekurve, një mozaik, një pjesëz-formuese.
Një lojë fëmijësh.

Jakobi dhe engjëlli

Pak përpara agimit ajo psherëtiu
dhe e mbajti në të atillë mënyrë saqë e mposhti.
Ai gjithashtu e rroku në të tillë mënyrë
duke e zotëruar të tërën.
Të dy e dinin që kjo rrokje sjell vdekje
ndaj ata pranuan ta bënin atë pa emra.
Por me dritën e parë të agimit
Ai pa trupin e saj,
i cili kishte mbetur i bardhë në vendet që
kostumi i banjës kishte mbuluar prej ditës së djeshme.
Befas dikush e thirri atë dy herë prej qiellit.
E bëri në të njëjtën mënyrë siç thirret një vajzuke
që është duke luajtur në kopsht.
Atëherë ai ia mësoi emrin dhe e la të shkonte.

Përktheu: Melsen Kafilaj

YEHUDA AMICHAI (1924-2000)

Poet dhe autor hebreo-gjerman. Lindur në Würzburg të Gjermanisë me emrin Ludwig Pfeuffer në një familje hebraike ortodokse, ai do të ishte përherë në kontakt me edukimin dhe literaturën fetare dhe Libri i Psalmeve (Sefer Tehillim) së bashku me Librin e Lutjeve (Siddur) do të ndikonin më vonë në mënyrën e strukturimit të poezive të tij. Në vitin 1936 bëri aliyah së bashku me familjen në Petah Tikva, Izrael ndërsa në vitin 1937 u zhvendos me banim në Jeruzalem. Kreu fillimisht shkollën fetare Ma’aleh pastaj studimet e larta në Universitetin Hebraik të Jeruzalemit për Letërsi Hebraike. Në vitin 1946 e ndryshoi emrin dhe u quajt Yehuda Amichai (Populli im jeton). Një prej poetëve më të mëdhenj të Izraelit, Amichai është i pari që futi hebraishten bisedore dhe tematikën e përditshmërisë në poezitë e veta, duke sjellë një ndryshim rrënjësor si në formë, gjithashtu edhe në përmbajtje, duke ndikuar drejtpërdrejtë mbi poezinë hebraike të gjysmës së dytë të shek. XX. Religjioni dhe filozofia janë përherë të pranishme në poezinë e tij dhe sipas studiuesit Boaz Arpali, gjendja njerëzore dhe kërkimi i kuptimit të jetës dhe vdekjes e bëjnë atë një poet-filozof, i cili arrin madje që edhe eksperiencat e tij personale dhe tepër private t’i shndërrojë në mesazhe universale për të gjithë. Disa prej librave të tij poetikë, të cilët vlen të përmendim, janë: “Tani dhe në ditët e tjera” (1955), “Poezi të zgjedhura” (1971), “Një jetë me poezinë 1948-1994” (1994), “Ekzil në shtëpi” (1998) dhe “Hapur, mbyllur, hapur” (2000). Amichai është fitues i një morie çmimesh kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë këtu: çmimin “Shlonsky” (1957), “Breener” (1969), çmimin “Bialik” për letërsinë (1976), “Çmimin e Izraelit për poezinë” (1982), “Agnon” (1986), “Malraux” (1994), “Çmimin norvegjez për poezinë “Bjornson” (1996), etj. Amichai u nda nga jeta në Jerusalem, në vitin 2000.

Autori
Yehuda Amichai
Autori
Melsen Kafilaj