Press "Enter" to skip to content

Pikëpyetjet e pashmangshme të “zërit në heshtje”

(Shënime për romanin “Jetë shpirtërore”, përkthyer nga Aida Baro, botuar nga “Pegi”)


Krejt natyrshëm për këdo nga ne që vijon të lexojë romane, të shkruara sot apo kohë më parë, mund t’i vijë në mendje një varg pyetjesh|: a duhet edhe ne të identifikohemi me protagonistët e rrëfimit, të vihemi përballë tyre, apo të zbavitemi me ta? Pyetje të tilla mund të jenë edhe më të forta kur bëhet fjalë për ngjarje ku autori flet sikur të jetë vetëm me veten dhe vë kufirin me tjetrin. I tillë është rasti i Deziderias, personazhit tronditës të romanit “Jetë shpirtërore” të Alberto Moravias – një personazh që duket si paralajmërim e që nuk e sheh seksin pjesë të revolucionit, por si vetë revolucioni që nisi të vërë botën në një provë të fortë morale, shpirtërore dhe vlerash të trashëguara.

Rrëfimi ndërtohet si një hartë e madhe pikëpyetjesh e përplasjesh të brendshme të një qenieje njerëzore, sidomos të një qenieje që është drejt rritjes dhe që do të duhet të kuptojë se ku mund e ku duhet të ndalet fantazia. Për të zgjidhur këtë dilemë kaq njerëzore dhe kaq të rëndësishme për këdo, Moravia vë në plan të parë zërin e dëshirave, por njëkohësisht edhe çorientimin shoqëror. Është diçka jo fort e lehtë të pranohet, edhe pse shumëkush nga ne mund të jetë gjendur përballë mendimeve të tilla, siç ndodh në atë dialog aq të pareshtur e të hapur mes Zërit – pra asaj pjese të brendshme që e dimë vetëm ne – dhe arsyes sonë, asaj që na ndihmon se si dhe ku duhet të shfaqim. E nëse fantazia jonë mund të harliset lirshëm në një hartë të pafundme mendimesh, mendja duhet të ketë betejën e pashmangshme që ta thërrasë “këtë zë”, që të mos e ngucë për të kaluar cakun, për të mos nxjerrë jashtë vetes atë që i lejohet vetëm vetvetes ta dijë, e në po atë çast edhe ta zhdukë, ta kthejë në zero, sikur të mos kish qenë kurrë.

Dezideria është veçse një adoleshente, që pasi kalon nga një fëmijë i bullizuar, për shkak të peshës, në një adoleshente elegante e bukuroshe, tronditet nga ai zë i brendshëm që e provokon të lozë deri në pakufi të paturpësisë. Padyshim që lëndimi i parë i kësaj harlisjeje të pakontrolluar nga arsyeja, mund t’u shkojë atyre që kemi pranë, pasi prej tyre kemi ndoshta dhe sigurinë se do falemi.

Nuk është aspak një libër për mendimet skandaloze, por një thirrje për të thënë se me veten vlen të jemi gjithnjë të vëmendshëm, që e çuditshmja, e ndaluara, e paturpshmja, të mos na bëhet zakon i jetës sonë, duke nisur nga një zakon i të menduarit.

Po cili prej nesh është i sigurt se imagjinata do e pyesë gjithnjë mendjen? Nëse një moment do besonim se të tjerët do zbulonin gjithçka që na shkon nëpër mendje, padyshim që do skuqeshim e do trembeshim nga ata që kemi pranë. E megjithatë, një rrëfim i çlirët mund të na afrojë drejt disa pyetjeve të rëndësishme, për të mos mbetur peng i hipokrizisë – çfarë e shtyu personazhin apo personazhet të ndryshojnë? Çfarë ndikoi më shumë në rritjen, ndalimin përballë tundimeve, apo edhe shtyrjen drejt tyre?

Dezideria është një përgjim i vetvetes, një provë e faktit se, nëse te ne ekziston vullneti për t’u vetëpërmbajtur ndaj asaj që mund të na duket joshëse e që për një çast mund të na duket vetëm lojë, rrezikojmë të humbim këdo dhe gjithçka pranë nesh. Dhe Moravia, përmes këtij personazhi kaq në konflikt me atë zë të brendshëm, arrin të na sjellë ndoshta një bisedë që nuk do e bënim kurrë me askënd, edhe pse mund të kishim në mendje shumë nga fantazitë, lojërat dhe provokimet që ka personazhi ynë.

Atëherë, si mund ta lexojmë këtë përballje që Dezideria ka me atë zë që e fut në lojë, e vë përballë sfidave, e vë përballë rrezikut se mund të humbasë gjithçka dhe këdo, me të cilën ka lidhje jeta e saj?

Mundet që shumëkush ta lexojë këtë rrëfim të fortë si një provim me vetveten e t’i kthejë përgjigje vetes se si ka arritur t’i zgjidhë çastet kur mendja dhe zëri ynë i brendshëm nuk kanë ecur në të njëjtat shina, kur janë përballur, kur kanë qenë në skaje. Shpleksja që i bën Moravia këtij debati mes Zërit të brendshëm dhe vullnetit për ta zotëruar këtë zë, kërkon që si lexues të mos qëndrosh stoik në gjykime e as të arrish në përfundime të menjëhershme, aq më pak në ndëshkime morale. Moravia na fton në një skenë të fortë gladiatorësh brenda nesh, ku ne duhet të zgjedhim se me kë jemi në fushën e betejës së përditshme, se si mundet dhe duhet të ndajmë atë që është e jona dhe atë që humbet kur nuk e arrijmë ta shquajmë me sytë dhe mendjen e duhur. Moravia e ka sjellë Deziderian si një dëshmi e kësaj përballjeje, duke na treguar se sa të pambrojtur jemi ndaj çdo lloj joshjeje, pavarësisht se mund jemi shumë të shkolluar, shumë të pasur apo aspak të shkolluar e aspak të pasur.

Gërshetimi që ndodh në rrëfimin e Moravias vjen si një kurth mes kënaqësisë së leximit të një rrëfimi plot ngjyra (dhe një përkthimi pa iu shmangur asnjë ngjyre të fortë fjalësh e mendimesh) dhe përkujdesjes që mund të na krijojë një makth që dëshiron t’i shkosh deri në fund, edhe pse shumëçka mund të duket “e ndaluar”.

(Shkëputur nga Revista Letrare – Pranverë 2023, në print)

Autori
Agim Baçi