Jetë e papërballueshme
“E papërballueshme jeta ime
o gjysh – qiell.
Kam kaq ftohtë”,
thashë duke u dridhur pandalshëm.
“Mos u dëshpëro, për pak
kockat do të të ngrohen”,
m’u përgjigj i zymtuar.
Kishte të drejtë. Sapo u ngjit
në skenën e drunjtë të botës
si artist i vërtetë
shi ngashërues ëndrre
gjithçka u përtha menjëherë.
Ëndrra
Ëndrra, ende nuk u rëndët nga unë?
Do t’jua liroj qoshen.
Mbledh me lëvizje të zhdërvjellëta
plaçkat e mia dhe largohem.
Vetëm ama
mos ia fusni
gjumit e bëheni dembelake.
Vetëtima
Baba, përse brengosesh?
Kthehu nga ana tjetër. Kështu, bravo!
Dhe nesër do të bëhesh qiqër.
Mos harro që për pak ditë
kemi për të shirë
kaq e kaq vetëtima.
I papërgatitur
Mos ia thoni askujt.
I nervozuar nxora jashtë
nga klasa
një qiell të hapërdarë.
Ish gjithmonë i papërgatitur.
Gjakderdhje
Zoti Çehov, nderimet e mia.
Mirë se erdhët në mëhallën time.
Por, më vjen keq, u vonuat.
E mbani mend? S’më besuat.
Ndërkaq, jua kisha thënë.
Një ditë do të regjistroj
gjakderdhjen e dashurisë së saj.
Eh, ia dola mbanë. Si?
Duke brejtur me kujdes
arkivin e vyer
të varianteve të saj të pagjuma.
Nëna
Hesht… hesht nënë. Ora po kalon.
Mëshiromë… Lërmë të çlodhem.
Më dëgjon nënë? Po… jam lodhur
duke kërkuar një okë atdhe
me polen të pasur,
që të shpërbëjë përkeqësimin
e dhimbjeve të mia të pashmangshme.
Mos u zemëro… mos u zemëro nënë
dhe jepmë uratën
tani që thurje-thurje
mbështolla në pëllëmbë
akustikën e kaosit
të ëndrrave të mia të papuna.
Ah, nënë prej reje
me vajin e derdhur të shpirtit
si të ngrohen rropullitë e mia
që menjëherë u bënë
tropar kohësh spiune.
Përktheu: Eleana Zhako
Nikos Pulinakis lindi dhe u rrit në Athinë. Poezitë e mëposhtme janë shkëputur nga libri i tij “Pyllishte mishrash të përflakura” (Rodakio, 2022).









