Press "Enter" to skip to content

Anatomia e një kohe të trishtë

Letërsia si rekuiem i një realiteti të zymtë
ose
anatomia e një kohe të trishtë

-Disa mendime rreth romanit “Prekje në mjegull” të Armela Hysit-

Ky roman s’do të jetë asnjëherë i kohës së shkuar, ai do t’u paraprijë epidemive të ardhme. Hapësirë e ndrydhur me dritare të mbyllura. Përshkrimi ka një lloj sublimiteti, si lutja para altarit, që përzien të sotmen me të shkuarën dhe ngre ca pikëpyetje, pandehma e frikëra për të ardhmen. Është një libër i veçantë dhe i vështirë, në mos e pamundur për ta klasifikuar, por për këtë gjë do reflektojmë pak më poshtë.
Mënyra si vendoset në të koha, duke mos qenë tërësisht e sotme, pa atë shtrirje lineare nga e shkuara në të ardhmen, është kuptimplote.  Gjithçka që i përket së shkuarës zbulohet përmes dritës të së sotmes. Si një anije që ka ngritur velat, por pa e ditur drejtimin se ku do ta çojnë erërat. Mendja është aty, por e fshehur përmes veprimeve që e marrin me vete. Është kohë pandemie, por brenda jetës. Anija do të fundoset apo kapiteni e di më mirë se kushdo tjetër fundin e këtij udhëtimi biblik. Autorja, si nënë, si grua, e di se anija megjithatë nuk ka për t’u mbytur. Ky libër, që duket sikur trembet ende për t’u shfaqur, është si një zë që më tepër flet me veten para se në vazhdim të bëhet ulërimë njerëzore.
Po e shtroj edhe një herë pyetjen: është ky një roman apo diçka tjetër? Pyetje që nuk të çon dot tek thelbi i problemit. Sepse mbi të gjitha, ai është i tëri krejt letërsi. I shkruar gati me një frymë, ai bëhet jashtëkohor dhe, siç thotë edhe diku shkrimtarja: unë jam universi dhe universi është unë, e përqafon njeriun të gjithin për ngrohtësi e ngushëllim të ndërsjellët. Në libër janë shkrirë si në një magji letrare letërsia, filozofia, përsiatja për jetën dhe vdekjen, për dashurinë dhe urrejtjen, për njeriun e shtrënguar në darën e shoqërisë i dënuar të zbulojë veten. Vetëm atëherë bota shkon në përmasën e vërtetë të saj. Ky libër s’mund të jetë as edhe një show letrar. Duke qënë një detyrim gati prometean, ai ka vendosur të përballet pavarësisht shkallës së rrezikut. Kapja e çasteve të tilla, që përcaktojnë natyrën e vetë kohës, mund të përballohen vetëm me gjetjen e instrumenteve të nevojshme /adekuate/  letrare, për të mbajtur një ngarkesë të rëndë artistike te çdo fjalë apo dhe te çdo shenjë tjetër gjuhësore, si: nyjet, apostrofat, mbaresat, parashtesat etj. Një ngarkesë e tillë artistike nuk të lejon të humbasësh nëpër gjërat e vogla në çastet kur rrëfimi të rrëmben. Gjersa libri të jetojë si një qënie e gjallë dhe t’i shtojë natyrës së gjërave diçka të re dhe të panjohur.
Autorja nuk e fsheh veten asgjëkundi, edhe në çastet kur është duke shfletuar fletët e këtij ditari si një i dënuar që numëron ditët që i kanë mbetur para ekzekutimit. Letërsia e vërtetë është e dënuar ta përshkojë vetë ferrin. Kohë të vështira kur dhe letërsia vë në provë vetveten. Si dëshmi e shpirtit njerëzor në zgrip, ajo po mban mbi supet e saj të brishta një kohë të mbetur pezull në çastet kur po e humb rëndesën e gravitetit.
I tërë libri është një makth  ekzistencial për t’u shndërruar në kujtesë. Perënditë në mendjen e njeriut ndoshta u shpikën në kohë pandemish. Mesazhe të  tilla, që i përballoi tragjedia e lashtë greke për t’i shndërruar në kumte për mbarë njerëzimin gjer më sot, janë tanimë po ashtu bashkëkohore. Libri i Armela Hysit vjen pikërisht prej një kohe të tillë, të një lufte pa krisma.

Tani që perdja ra e vërteta na u shfaq lakuriq.

Në fund dua të them se romani i Armelës, që erdhi tashmë te lexuesi, ndoshta shënon një fazë të re në krijimtarinë e saj, atë të një pjekurie të lartë artistike, që kërkon një shtrat të ri për t’u shprehur… dhe kjo është rruga përmes së cilës ka ecur letërsia e vërtetë në të gjitha kohërat.

Autori
Stefan Martiko