Atyre të enjteve në mbrëmje, Lemos më thërriste pas provës në “Radio-Belgrano”, në çastin kur merrja gotën e dytë të Cinzanos. Më fliste mbi planet për pjesët e reja e më duhej ta dëgjoja kur gjithçka që doja të bëja ishte të dilja në rrugë dhe t’i harroja dramat për dy-tre shekuj. Por Lemos, autor në modë, më paguan mirë për atë pak që duhet të bëj në programet e tij, kryesisht role atipike e negative të dorës së dytë. Ke zërin e duhur, thoshte Lemos me dashamirësi, dëgjuesi sapo dallon zërin tënd të urren në çast; nuk ke nevojë të tradhtosh njeri apo të helmosh nënën me arsenik, mjafton të hapësh gojën dhe gjysma e Argjentinës do donte ta nxirrte shpirtin ngadalë mbi prush.
Ishte pikërisht dita kur aktori ynë i ri, Jorge Fuentes, në rolin kryesor, mori në fund të “Trëndafilat e turpit” dy shporta të mëdha me letra dashurie dhe një shishe verë “qengji i bardhë” nga një vajzë romantike fshatare. Po, bash atë ditë, Maza e vogël më dha zarfin e parë të purpurt të Luçianës. I mësuar me asgjënë në shumë forma, e rrasa në xhep kur u nisa për në kafene (kishim një javë pushim pas triumfit të Trëndafilave… dhe para fillimit të “Zogj në stuhi”) dhe vetëm gjatë martinit të dytë me Huarez Celmanin dhe Olivën më erdhi përsëri në mendje ngjyra e zarfit dhe kuptova që nuk e kisha lexuar ende letrën. Nuk doja ta lexoja para tyre, sepse njerëzit që nuk kanë çfarë të bëjnë, kërkojnë veç të tallen dhe zarfi vjollcë është një minierë floriri për hokatarët, ndaj prita sa të kthehesha në shtëpi. Të paktën macja nuk i kushton vëmendje këtyre gjërave.
Pasi i dhashë qumështin dhe racionin e përkëdheljeve, hapa letrën dhe u njoha me Luçianën:
Nuk kam nevojë të shoh foton tuaj, shkruante Luçiana, nuk më intereson nëse “Antena” dhe “Gjatësia e valës” publikojnë foto të kolegëve tuaj, Miguez e Jorge Fuentes, por asnjëherë tuajat, nuk më intereson, sepse kam zërin tuaj, s’më bëhet vonë kur thonë se jeni antipatik e i pabesë, as që më plas se personazhet që luani mashtrojnë gjithkënd, madje aq më mirë, kështu e imagjinoj veten si të vetmen që e di të vërtetën. Ju vuani ndërsa i luani këto role, përdorni talentin në to, por mendoj se nuk i jetoni si Miguez apo Rakelita Belej, ju jeni krejt i ndryshëm prej princit mizor të “Trëndafilave të turpit”. Në vend që të urrejnë princin, njerëzit ngatërrohen e ju urrejnë juve. Këtë e kuptova prej teze Polit dhe njerëzve të tjerë vitin e kaluar, kur ju luanit Vasilin, kontrabandistin vrasës. Këtë pasdite u ndjeva pak e vetmuar dhe doja t’jua thosha këto gjëra. Ndoshta nuk jam e vetmja që jua thotë, edhe pse dëshiroj të jetë kështu, pra të jem e vetmja që di të shohë në anën tjetër të roleve dhe zërit tuaj, të jem e sigurt që ju njoh me të vërtetë e ju admiroj më shumë sesa ata që luajnë role të lehta. Nuk ia kam thënë askujt, por kur ju luanit Jagon e Shekspirit, unë e pëlqeja atë rol shumë më tepër sesa Otellon. Mos u ndjeni i detyruar të më përgjigjeni; gjithsesi, po e vendos adresën time në rast se dëshironi vërtet ta bëni, por, edhe nëse jo, jam e lumtur që jua thashë të gjitha këto.
Nata po binte, shkrimi i saj ishte i lehtë dhe i rrjedhshëm, macen e zuri gjumi pasi luajti me zarfin e purpurt në jastëkun e divanit. Që nga largimi i pakthyeshëm i Brunës, nuk darkoja më në shtëpi; maces dhe mua na mjaftonin konservat, mua, veçanërisht, konjaku dhe llulla.
Gjatë atyre pushimeve (pas të cilave do më duhej të punoja për rolin në “Zogjtë në stuhi”) rilexova letrën e Luçianës pa pasur ndërmend t’i përgjigjesha, pasi kur bëhet fjalë për këso gjërash, një aktor, edhe nëse merr një letër një herë në çdo tre vjet, e dashur Luçiana, – pata shkruar para se të shkoja në kinema të premten, – letra jote më preku e s’po e them këtë veç sa për ta bërë qejfin.
Vërtet, nuk ishte thjesht një përgjigje për mirësjelljeje; e shkrova sikur ajo grua, që e imagjinova të vogël dhe të trishtuar, me flokë kafe dhe sy të çelur, të ishte ulur përballë dhe po i thosha se letra e saj më kishte prekur. Ajo që pasoi ishte më konvencionale, sepse nuk dija çfarë t’i thosha pas së vërtetës, të shtoja disa fjalë plotësuese, dy-tri fraza ku t’i shprehja simpatinë dhe mirënjohjen, e në fund: miku yt Tito Balkársel. Por, në post-scriptum, kishte një të vërtetë tjetër: sa mirë që më dhatë adresën, do trishtohesha po të mos isha në gjendje t’jua thosha atë që ndjej.
Askujt nuk i pëlqen ta pranojë, por kur s’bën asgjë, mërzitet njeriu, të paktën dikush si unë. Si i ri, kam pasur boll aventura sentimentale, më mjaftonte të hidhja rrjetat e gjithmonë do binte diçka në to, deri sa njoha Brunën, me të cilën ndenja katër vjet. Në të tridhjetë e pestat, jeta në Buenos Aires fillon t’i humbasë ngjyrat dhe duket sikur zvogëlohet, aq më tepër për dikë që jeton vetëm me një mace dhe që nuk është as lexues e as ecës i madh. Nuk është se ndihem i vjetër, përkundrazi, do thosha se janë të tjerët e madje edhe sendet që plaken e zvarriten. Ndoshta kjo është arsyeja pse preferoj t’i kaloj pasditet në shtëpi, me macen që më shikon kur përsëris rolin për “Zogj në stuhi”. U hakmerrem këtyre roleve mosmirënjohëse duke i sjellë në përsosje; i bëj të miat, i shndërroj fjalitë më të thjeshta në një lojë pasqyrash që shumëfishon anën e rrezikshme dhe magjepsëse të personazhit. Kështu që, kur lexoj rolin në radio, gjithçka është e parashikuar, çdo presje e çdo lakim zëri, efektet gradohen me mjeshtëri me synim rritjen e urrejtjes tek dëgjuesi (ja edhe një prej këtyre personazheve, i pranueshëm në fillim, por që gradualisht turpërohet duke iu afruar buzës së greminës, derisa në epilog, për kënaqësinë më të madhe të dëgjuesve, vjen rrëzimi i tij përfundimtar).
Gjatë pushimit mes dy çajrave, gjeta letrën e Luçianës, harruar në raftin e revistave; e rilexova, pasi s’kisha asgjë tjetër për të bërë dhe e imagjinova përsëri – kam qenë gjithmonë një person vizual dhe kam ndërtuar lehtësisht me imagjinatë çdo gjë. Që në fillim, Luçiana më ishte dukur e vogël, pak a shumë rreth moshës sime, por, më e rëndësishmja, me sy të kthjellët, të tejdukshëm. E prapë ashtu po e imagjinoja, të dyzuar: të më shkruante apo jo dhe pastaj tek merrte vendimin. Për një gjë isha i sigurt, Luçiana nuk ishte një grua që bënte plane, sigurisht që do ketë hezituar para se të më shkruante, por, më pas, duke më dëgjuar në “Trëndafilat e turpit”, fjalitë duhet t’i kenë ardhur vetvetiu. Ndjehej që letra ishte spontane dhe në të njëjtën kohë, ndoshta për shkak të ngjyrës lejla, më dha ndjesinë e një likeri të fjetur prej kohësh në shishe.
Imagjinova edhe shtëpinë e saj, thjesht vetëm duke mbyllur sytë; Shtëpia duhej të kishte një oborr të mbuluar me një pjergull apo bimë kacavjerrëse, që formonin një si galeri prej gjethesh. Sa herë që mendoja për Luçianën, e shihja në të njëjtin vend, muret e blerta bëheshin gjithnjë e më zotëruese në oborr; vinin duke u mbyllur, pastaj disa dritare qelqi me ngjyra dhe dyer xhami, që përshkoheshin nga një dritë gri. Luçiana ulur në një kolltuk të thurur, duke më shkruar: jeni krejt i ndryshëm nga princi mizor i “Trëndafilave të turpit” – duke vënë stilolapsin në gojë para se të vazhdojë – e këtë gjë askush nuk e di, sepse ju jeni shumë i talentuar, sa që njerëzit ju urrejnë – flokët e saj gështenjë si të mbështjellë në dritën e një fotoje të vjetër, ajri i hirtë dhe i pastër njëherësh në oborrin e mbyllur e ajo që duket sikur më thotë: do doja të isha e vetmja që ka ditur të shohë përtej roleve dhe zërit tuaj.
Një natë para premierës së episodit të parë të “Zogjve”, darkuam me Lemos dhe të tjerët, përsëritëm disa skena që Lemos mendonte se ishin kapitale, përplasje dhe fluturime të mëdha dramatike. Rakelita Belej shkëlqente në rolin e Jozefinës, çupëlinës mendjemadhe, të cilën, sipas rolit tim, dalëngadalë do ta mbështillja në rrjetën e merimangës së tradhtive, të cilat, Lemos si autor, i pëlqente t’i shumëfishonte pafundësisht. Të tjerët kishin tonin e duhur, duke marrë parasysh përvojën tonë të përbashkët dhe ndryshimet mes këtij seriali dhe tetëmbëdhjetë të tjerëve, që kishim luajtur tashmë. Arsyeja pse më kujtohet kaq mirë kjo mbrëmje provash është se Maza e vogël më dha letrën e dytë nga Luçiana. Këtë herë doja ta lexoja menjëherë, ndaj shkova në tualet, ndërkohë që Rakelita dhe Jorge Fuentes iu betuan njëri-tjetrit për dashuri të përjetshme në një ballo aq të modës – skenarë të Lemos këta, që përflaknin entuziazmin e spektatorëve besnikë, duke i dhënë më shumë forcë identifikimit psikologjik me personazhet, të paktën sipas Lemos dhe Frojdit.
Pranova ftesën e thjeshtë dhe simpatike për ta takuar në një sallon çaji në Almagro. E pashmangshme monotonia e detajeve për ta gjetur njëri-tjetrin: ajo e veshur me të kuqe, ndërsa unë do mbaja një gazetë të palosur në katër. Duhej patjetër të kalonim përmes këtyre detajeve – pjesa tjetër ishte Luçiana duke më shkruar përsëri, nga oborri si një galeri e blertë, vetëm me nënën e saj ose ndoshta babanë. Qysh në fillim kisha parë një plakë pranë saj, në një shtëpi të bërë për një familje më të madhe, tashmë plot me boshllëqe, ku mbizotëronte melankolia e nënës që mendonte për vajzën tjetër, të vdekur ose të ikur, sepse, ndoshta vdekja kishte kaluar nëpër atë shtëpi pak kohë më parë – por, nëse nuk dëshironi ose nuk mundeni të vini, ju kuptoj, se nuk më takon mua të marr iniciativën, pasi e di, gjithsesi, – dhe e theksonte këtë, ani pse si pa vëmendje, – se një njeri si ju që nuk u përshtatet shablloneve… Dhe shtonte diçka që nuk e kisha menduar dhe që më gëzoi shumë, – ju më njihni veç përmes letrës së mëparshme, por unë: kam tre vjet që jetoj jetën tuaj, e ndjej se cili jeni me të vërtetë pas çdo personazhi të ri, ju nxjerr nga teatri e jeni gjithmonë i njëjti për mua kur dilni jashtë roleve.
(Më ka humbur kjo letër, por ishin saktësisht këto fjali, këto gjëra thoshte; mbaj mend, nga ana tjetër, që letrën e parë e mbajta në një libër të Moravias që po lexoja, me siguri është atje në bibliotekë.)
Po t’ia kisha treguar Lemos këtë histori, ai do ta kishte materializuar idenë në një shfaqje tjetër dhe e sigurt se në një prej episodeve të fejtonit, burri do zbulonte se Luçiana ishte identike me atë që kishte imagjinuar, dëshmi se dashuria i paraprin dashurisë dhe vizioni pamjes reale, teori që gjithmonë jepnin rezultate të shkëlqyera në fejtonet e “Radio-Belgrano”.
Por, Luçiana ishte mbi tridhjetë vjeçe, e mbajtur shumë mirë dhe jo aq e imët sa gruaja e imagjinuar, që shkruante letra prej oborrit në formë galerie nën gjethe. Kishte flokë të bukur, të zinj, të pavarur prej lëvizjeve të kokës së saj. Për fytyrën e Luçianës s’krijova një imazh të saktë, përveç syve të kthjellët dhe trishtimit; ata që më pritën ishin kafe dhe aspak të trishtuar nën ato flokë të trazuara. Më erdhi mirë që i pëlqente uiski, sepse nga ana e Lemos, pothuajse të gjitha takimet romantike fillonin me një filxhan çaj (me Brunën kishte qenë kafe me qumësht në një vagon-restorant).
Ajo nuk kërkoi falje që më kishte ftuar ashtu dhe unë, që shpesh e teproj, sepse thellë brenda vetes nuk besoj shumë në atë që po më ndodh, çuditërisht u ndjeva i qetë dhe u solla natyrshëm. Edhe uiski qe i mirë, jo i falsifikuar. Kaluam vërtet shumë bukur, thua se dikush sapo na kishte prezantuar rastësisht dhe pa nënkuptime për ndonjë lidhje të mundshme. Qe fillim premtues për një marrëdhënieje të mirë, ku askush nuk është i detyruar as të ekspozojë, as të fshehë; ishte e logjikshme që të flisnim kryesisht për mua, pasi unë isha personi i famshëm, ndërsa ajo autore e vetëm dy letrave, ndaj e lashë Luçianën, pa u dukur mendjemadh, të sillte në bisedë kujtimet e saj mbi rolet e mia në disa drama, atë ku më vrasin pasi më torturojnë, atë të punëtorëve të varrosur për së gjalli në minierë e disa të tjera.
Pak nga pak përputha fytyrën e saj me zërin, duke korrigjuar me vështirësi imazhin e krijuar nga letrat, oborri i mbuluar me pjergulla dhe kolltuku i xunkthit; para se të ndaheshim, mësova se jetonte në një apartament mjaft të vogël, në katin e parë, me tezen e saj Polin, e cila, në vitet e tridhjeta, kishte luajtur piano nëpër provinca.
Edhe Luçiana i kishte rregulluar gjërat siç i pëlqenin, shkujdesshëm si në lojën hapadollapa; pak para se të ndaheshim më tha se më kishte imagjinuar më të gjatë, me flokë kaçurrela dhe sy gri, kjo puna e kaçurrelave, më la gojëhapur, sepse në asnjë nga rolet e mia nuk i kisha ndjerë që flokët të më përdridheshin, por ndoshta ideja e saj vinte prej dendësisë së të gjitha tradhtive dhe poshtërsive që përbënin thelbin e dramave të Lemos. Ia thashë këtë me të qeshur, por ajo m’u përgjigj ‘jo’, se i kishte parë personazhet ashtu siç i portretizonte Lemos, por në të njëjtën kohë kishte mundur t’i shpërfillte, të qëndronte vetëm me mua, me zërin tim dhe, kush e di pse, me imazhin e dikujt tjetër më të gjatë, dikujt me kaçurrela.
Nëse Bruna do kishte qenë ende në jetën time, nuk besoj se do kisha rënë në dashuri me Luçianën; mungesa e saj ishte ende tepër e pranishme, një boshësi që Luçiana filloi ta mbushte pa e ditur, pa dyshuar se po e bënte një gjë të tillë. Nga ana tjetër, mendoj se për të, gjithçka ishte më e shpejtë, duke kaluar nga zëri im te ky tjetri i Tito Balkarsel me flokë të drejtë dhe një personalitet më banal se ai i përbindëshave të Lemos; të gjitha këto operacione zgjatën pak a shumë një muaj, përmes dy takimeve në kafene e një të treti në shtëpinë time. Macja e pranoi parfumin dhe lëkurën e Luçianës, e mori gjumi në gjunjët e saj, edhe pse një mbrëmje, papritmas, iu duk e tepërt dhe u hodh në tokë duke mjaullitur. Halla Poli shkoi të jetonte në Pergamino me një motër, misioni i saj u krye dhe Luçiana erdhi tek unë atë javë; kur po e ndihmoja të përgatiste gjërat e saj, ndjeva mungesën e oborrit me pjergull, të dritës ngjyrë hiri, u zhgënjeva edhe pse e dija që nuk do gjeja asgjë nga këto, megjithatë e ndjeva si një mungesë, si një papërsosmëri. Pasditen e shpërnguljes, halla Poli më tregoi me butësi kronikën modeste të familjes, fëmijërinë e Luçianës, të fejuarin që avulloi përgjithmonë pas një oferte nga ndërmarrjet e frigoriferëve në Çikago, martesën me një hotelier dhe ndarjen para gjashtë vjetësh, gjëra për të cilat më kishte folur Luçiana, por në një mënyrë tjetër, sikur të bëhej fjalë për jetën e një të trete e jo për veten e saj. Për momentin po jetonte në emër të një të tashmjeje të prekshme, në prani të trupit tim puthitur me të sajin, me pjatat e qumështit për macen, kinema e dashuri gjatë gjithë kohës.
Mbaj mend se në kohën që po shfaqej “Gjak mbi kallinj”, i kërkova Luçianës t’i zbardhte flokët. Në fillim e mori kërkesën time si një dëshirë aktori, po të duash, po blej një paruke, më tha duke qeshur, e meqenëse ra fjala, një paruke me flokë kaçurrela do të shkonte shumë mirë. Por kur iu ktheva kësaj bisede disa ditë më vonë, ajo tha mirë, në fund të fundit, flokët e zinj apo kafe nuk kishin rëndësi për të, si ta kishte kuptuar që ky ndryshim tek unë nuk kishte të bënte me manitë e aktorit, por me diçka tjetër, me një oborr nën pjergull, mbuluar nga gjethet, me një kolltuk xunkthi. S’mu desh t’ia kërkoja më këtë gjë e u ndjeva aq i lumtur kur pashë që ajo e bëri për mua, dhe ia thashë shumë herë ndërsa bënim dashuri e unë humbja në flokët dhe gjoksin e saj, derisa ramë në një gjumë të gjatë, gojë më gojë puthitur.
(Ndoshta të nesërmen në mëngjes ose para se të dilja në pazar, nuk e mbaj mend mirë, ia mora flokët me të dyja duart dhe ia lidha në pjesën e pasme të qafës, duke e siguruar se i dukeshin më mirë. Ajo pa veten në pasqyrë dhe nuk tha gjë, por ndjeva se s’qe dakord dhe kishte të drejtë: flokët topuz nuk ishin stili i saj, pranova që i shkonin më mirë të lëshuara deri në shpatulla, ashtu siç i mbante para se t’i zbardhte, por nuk ia thashë, sepse më pëlqente ta shihja ashtu, më dukej më mirë se ditën që e takova për herë të parë në atë sallon çaji.)
Nuk më pëlqente ta dëgjoja zërin tim në pjesët që luaja. Bëja punën dhe kaq. Kolegët befasoheshin me këtë mungesë vaniteti, që tek ata zinte aq shumë vend; ata duhej të mendonin, ndoshta me të drejtë, se natyra e roleve të mia nuk më nxiste edhe aq të kaloja kohë duke i dëgjuar, ja sepse Lemos ngriti vetullat kur i kërkova në arkiv disqet e “Trëndafilave të turpit”; më pyeti pse i doja. S’i thashë ndonjë gjë të madhe, probleme diksioni që doja ta përsosja ose diçka të tillë. Kur u ktheva në shtëpi me albumin e disqeve, Luçiana më pa e habitur, pasi as asaj nuk i flisja kurrë për punët e mia, përkundrazi ishte ajo që herë pas here më thoshte përshtypjet e saj kur më dëgjonte në radio pasditeve me macen mbi gjunjë. Përsërita atë që i kisha thënë Lemos, por në vend që të dëgjoja regjistrimet në një dhomë tjetër, e çova diskografin në dhomën e ndenjjes dhe i kërkova Luçianës të rrinte pak me mua; e përgatita vetë çajin dhe rregullova ndriçimin që ajo të ndihej rehat. Pse po e lëviz këtë llambë, pyeti Luçiana, ishte mirë aty. S’ishte keq aty ku thoshte ajo, por lëshonte një dritë të ashpër e të vakët në divanin ku qe ulur e unë doja që ajo të mbetej në gjysmë errësirën e pasdites, me një dritë paksa të hirtë që dilte nga dritaret dhe i kurorëzohej mbi flokë, me duart të zënë me gotën e çajit. Po më lazdron shumë, tha Luçiana, gjithçka veç për mua e ti atje në qoshe, s’ke ku të ulesh.
Natyrisht, vendosa vetëm disa fragmente nga Trëndafilat…, mjaftueshëm sa për të pirë dy çajra dhe një cigare. Më bëri mirë tek shihja Luçianën të vëmendshme ndaj dramës, tek ngrinte kryet ndonjëherë kur njihte zërin tim e më buzëqeshte sikur nuk i interesonte që kunati i mjerë i Karmenit të vogël kishte filluar intrigat për të rrëmbyer pasurinë e Pardos, e që kjo sjellje e punë e keqe vazhdonte për episode të panumërta deri në triumfin e pashmangshëm të drejtësisë dhe dashurisë, sipas Lemos. Në qoshkun tim (kisha pirë filxhanin e parë të çajit pranë saj, por më pas u ktheva në pjesën e pasme të dhomës së ndenjjes, thua se ishte vendi më i përshtatshëm për të dëgjuar) u ndjeva mirë, gjeta për një moment diçka që më kishte munguar. Doja që e gjitha kjo të mos ndalej, që drita e mbrëmjes të vazhdonte të ngjante sa më shumë me atë të oborrit me pjergull. Ishte e pamundur, sigurisht, ndaj ndalova diskun dhe të dy dolëm në ballkon, pasi Luçiana vendosi llambën në vendin e vet, sepse me të vërtetë nuk shkonte fare aty ku e pata plasur. Ishte e dobishme të dëgjoje veten përsëri? – më pyeti tek po më përkëdhelte dorën. Po, shumë. I fola për problemet e frymëmarrjes, zanoret, për gjërat që ajo i pranoi me respekt; e vetmja gjë që nuk i thashë ishte se në atë çast të përsosur mungonte vetëm kolltuku prej xunkthi dhe se ajo ndoshta duhej të ishte pak më e trishtuar, si dikush që shikon në horizont përpara se të vazhdojë shkrimin e një letre.
Po i afroheshim fundit të shfaqjeve “Gjak mbi kallinj”; edhe tri javë e do fillonim pushimet. Kur u ktheva nga radio, e gjeta Luçianën duke lexuar, teksa luante edhe me macen në kolltukun me thupra dhe tavolinën e thurur, që i kisha dhuruar për ditëlindje; nuk shkojnë fare me pjesën tjetër të mobilieve, më tha ajo gjysmë e zbavitur dhe gjysmë e hutuar, por nëse ty të pëlqen, është një komplet i bukur dhe shumë praktik. Aty do ndjehesh më mirë nëse ke letra për të shkruar, i thashë. Është e vërtetë, tha Luçiana, duhet t’i shkruaj patjetër hallë Polit, e gjora. Meqë pasdite kishte pak dritë në kolltukun e saj (nuk e vuri re që e kisha ndërruar llambën në abazhur) e vendosi tavolinën e vogël dhe kolltukun përpara dritares për të thurur me shtiza apo shfletuar revista, dhe ishte ndoshta në ato ditë vjeshte ose pak më vonë kur ndenja me të krejt një pasdite, që e putha për një kohë të gjatë dhe thashë se nuk e kisha dashur kurrë aq shumë sa në atë moment, se ashtu siç po dukej në atë sekondë, doja ta shihja gjithmonë. Ajo nuk tha asgjë, m’i rrëshqiti duart në kokë e më shpupuriti flokët, pastaj pëllëmba i ra mbi shpatullën time dhe nuk lëvizi më, si të mos qe. Pse të presësh diçka tjetër nga Luçiana, Luçiana e asaj pasditeje? Ajo ishte si zarfet e purpurta, si fjalitë e thjeshta, pothuajse të druajtura të letrave të saj. Prej atij çasti do ta kisha të vështirë ta imagjinoja se e kisha takuar në një sallon çaji, që flokët e saj të zinj u valëvitën si kamxhik kur më përshëndeti për të kapërcyer sikletin e takimit të parë. Në kujtimet e dashurisë sime ishte oborri i mbuluar nga pjergulla, silueta e saj e imët në një kolltuk të thurur, që e largonte nga gruaja e madhe dhe e gjallë, kjo që hynte e dilte mëngjeseve nga shtëpia ose luante me macen, ai imazh që në mbrëmje ribëhet edhe njëherë imazhi që kisha dashur, ai që më bëri ta dua kaq shumë këtë grua.
A t’ia thosha, apo jo? Nuk pata kohë, mendoj se hezitova ngaqë pëlqeva ta mbaja ashtu, plotësia ishte aq e dukshme sa preferova të mos mendoja për heshtjen e saj të paqartë, për një hutim që nuk ia dija, nuk ia njihja më parë, një mënyrë që të më shihte ndonjëherë sikur po kërkonte diçka e që një pulitje sysh do ta kthente menjëherë në momentin e tanishëm, te macja ose te një libër. Edhe kjo ishte pjesë e mënyrës se si e preferoja, ishte klima melankolike e gjysmëharkut të pjergullës mbi oborr, e zarfeve të purpurta. E di që kur zgjohesha ndonjëherë në mes të natës, kur e shihja që flinte ngjitur me mua, ndjeja se kish ardhur koha t’i tregoja, ta bëja përfundimisht timen përmes një pranimi total të rrjetës së ngadaltë të merimangës të dashurisë sime. Nuk e bëra, sepse Luçiana po flinte, sepse Luçiana ishte zgjuar, sepse atë të martë do shkonim në kinema, sepse po kërkonim një makinë për pushime, sepse jeta i fuste hundët pa mëshirë herët apo vonë, sepse pasditet ku drita e hirtë dukej se përqendronte përsosmërinë e saj në atë çast prehjeje në kolltukun prej thurjeje. Sepse ajo më fliste rrallë tani, sepse ndonjëherë më shihte sikur po kërkonte një gjë të humbur, duke vonuar tek unë nevojën e errët për t’i rrëfyer të vërtetën, për t’i shpjeguar më në fund flokët gështenjë e dritën e oborrit nën pjergull.
Nuk pata kohë. Një ndryshim i rastësishëm në orar më çoi në qendër të qytetit rreth drekës; e pashë duke dalë nga një hotel e nuk po e njihja. Kur e njoha, s’po kuptoja asgjë kur vërejta që ajo ishte në krahun e një burri më të gjatë se unë, një burri që u përkul pak për t’i puthur veshin, për të fërkuar kaçurrelat e tij me flokët ngjyrë gështenjë të Luçianës.
Përshtati në shqip: Arbër Ahmetaj
Julio Cortázar lindi më 26 gusht 1914, në Ixelles, komunë e Brukselit. Prindërit e tij ishin argjentinas, por babai shërbente në trupin diplomatik në Belgjikë në atë kohë. Pas mbërritjes së trupave gjermane në territorin belg, familja u zhvendos për pak kohë në Zvicër, pastaj për një periudhë të shkurtër në Barcelonë e më pas në rrethinat e Buenos Aires. Kur ishte gjashtë vjeç, babai i Kortazarit u largua dhe familja nuk pati më kontakt me të. Pjesën më të madhe të fëmijërisë e kaloi në Banfield, me nënën dhe motrën e vogël, dhe shtëpia ku jetonte, me oborrin e pasmë, u bë burim frymëzimi për disa nga tregimet e tij. Megjithatë, në një letër drejtuar Graciela M. de Solá, më 4 dhjetor 1963, ai e përshkroi atë periudhë të jetës mbushur me ndjeshmëri të tepruar, trishtim të tmerrshëm dhe të shpeshtë. Ai ishte fëmijë shëndetlig, ndaj kohën më të madhe e kaloi në shtrat duke lexuar, nxitur edhe nga e ëma, që fliste disa gjuhë dhe ishte lexuese e madhe. Ajo e prezantoi me veprat e Jules Verne, të cilin Kortazar e admiroi për gjithë jetën.
Në vitin 1951 emigroi në Francë, ku jetoi dhe punoi për pjesën tjetër të jetës, megjithëse udhëtoi shumë. Aty shkroi shumicën e veprave të tij kryesore. Me kalimin e kohës u angazhua aktivisht në kundërshtimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Amerikën Latine.
Pati tri marrëdhënie romantike afatgjata, por vetëm dy martesa. E para ishte me Aurora Bernárdez, një përkthyese argjentinase, me të cilën u martua në vitin 1953 dhe u nda në vitin 1968, kohë kur u përfshi në lidhje me shkrimtaren, redaktoren, përkthyesen dhe regjisoren lituaneze Ugnė Karvelis e me të cilën nuk u martua kurrë zyrtarisht. Martesa e dytë erdhi në vitin 1981 me shkrimtaren kanadeze Carol Dunlop, e cila fatkeqësisht vdiq vetëm një vit më vonë. Pas kësaj, në vitin 1982, Aurora Bernárdez iu gjend pranë Kortazarit gjatë sëmundjes së tij të fundit dhe, në përputhje me dëshirat e tij të kahershme, trashëgoi të drejtat mbi të gjitha veprat e tij.
Pas marrjes së shtetësisë franceze dhe pas rikthimit të demokracisë në Argjentinë, Kortazar, në vitin 1983, bëri udhëtimin e fundit në atdheun e tij, ku u prit shumë mirë nga admiruesit, por hasi në indiferencën e autoriteteve.
Vdiq në Paris në vitin 1984.












