Press "Enter" to skip to content

FemFest ’26: “Rezisto në të kuqe”

Në një kohë kur letërsia dhe arti kërkojnë gjithnjë e më shumë hapësira të reja komunikimi, FemFest ’26 u shfaq si një nga ato ngjarje që jo vetëm mbledhin autorë dhe lexues, por krijojnë një atmosferë të veçantë dialogu rreth përvojës së gruas në letërsi, kulturë dhe shoqëri. Edicioni i këtij viti solli disa ditë të mbushura me aktivitete, lexime letrare, pjesë teatrale, prezantime dhe diskutime, që ndërthurën krijimtarinë me reflektimin dhe që u kthye në një hapësirë ku letërsia u përdor si mjet për të artikuluar kujtesën, identitetin dhe sfidat e kohës sonë. Në shumë prej bisedave u theksua se letërsia e grave nuk duhet parë si një kategori e veçuar, por si një pjesë organike e letërsisë bashkëkohore, që pasuron perspektivat dhe mënyrat e rrëfimit, dhe se letërsia vazhdon të jetë një hallkat kyçe për të kuptuar jetën, historinë dhe veten.
Në kuadër të FemFest ‘26, që këtë vit erdhi me sloganin “Rezisto në të kuqe”, u promovua edhe katalogu që përfshin njëqind poete shqiptare, duke përfshirë edhe ato të diasporës, por edhe autoret e larguara nga jeta: Musine Kokalari, Drita Çomo, Edi Shukriu, Lindita Ahmeti, që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme. Në promovimin e tij morën pjesë autore dhe krijuese nga të gjitha trevat shqiptare, duke e kthyer ngjarjen në një takim të rëndësishëm të zërave femërorë të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Rita Petro, Iliriana Loxha Basha, Anxhela Lepuri janë tri nga gratë që u përkujdesën për këtë katalog, ku që prej anës vizive të kopertinës mund të zbërthehet koncepti i gjurmës së kuqe të gishtit, si vulë e forcës dhe fisnikërisë së gruas.
Më poshtë gjeni fjalën e botueses, shkrimtares dhe Poetes Laureate (2025-2027) Rita Petro, në mbrëmjen poetike të Femfest, ku ndër të tjera shprehet se ky katalog nuk ka për qëllim të vendosë në përballje shkrimtaret me shkrimtarët, por të evidentojë ekuilibrin që ka munguar për një kohë të gjatë, por që sot ekziston për bukuri:
“Fjala nuk pyet nëse dora që e shkruan është e një gruaje apo e një burri. Letërsia nuk ka gjini, por ka histori. Dhe historia e saj ka pasur pabarazi. Kjo histori shkruhet më drejt kur i përfshin të gjithë.
Në letërsinë shqiptare, për shumë dekada, zëri mashkullor ka qenë zëri që ka përcaktuar tonin. Shkrimtarët kanë pasur më shumë hapësirë, më shumë legjitimitet të padiskutuar, më pak nevojë për ta justifikuar këndvështrimin e tyre.
Grave shkrimtare u është dashur të përballen me sfidën se po hyjnë në një territor ku duhej të dëshmonin dyfish: talentin dhe të drejtën për t’i thënë/shkruar gjërat troç. Për një kohë të gjatë, shumë gra kanë shkruar duke mbajtur brenda vetes një filtër të padukshëm, një autocensurë të trashëguar nga frika se disa tema duhej të thuheshin me kujdes ose të mos thuheshin fare. Sot ky raport po ndryshon. Ndërsa shkrimi i burrave shkrimtarë vazhdon traditën e vet me siguri të konsoliduar, gratë shkrimtare po e riformësojnë hapësirën me një guxim të ri, që, në disa vepra, duket sikur po e tejkalon edhe guximin e burrave. Ato po shkruajnë për trupin dhe turpin, për pushtetin dhe intimen, për dhunën dhe për dëshirën personale, jo si temë anësore, por si qendër narrative.
Kur gratë shkruajnë, ato nuk shtojnë vetëm histori të reja në letërsi; ato ndryshojnë këndvështrimin. Ato sjellin në qendër disa përvoja që janë lënë në periferi apo duken si tema të vogla, por letërsia e vërtetë nuk peshohet nga “madhësia” e temës, por nga mesazhet estetike që transmeton. Në këtë kuptim, guximi i sotëm i shkrimtareve shqiptare nuk është kundër dikujt. Është për veten. Është për lirinë e plotë të fjalës.
Kjo është arsyeja kryesore që katalogu hapet me shkrimtaren e parë shqiptare Musine Kokalarin, e cila ishte jo vetëm një grua aq e guximshme përballë gjyqit të diktaturës, por dhe në artin e saj në prozë, që fokusohet veçanërisht te emancipimi i vajzave shqiptare të asaj kohe, si dhe në vargje të tilla delikate, si:  “Të isha një një lule vjollce mes ferrave/të qëndroja e fshehur, e pa dukur/dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të rinjve…”.
Në mbyllje të katalogut janë vendosur -In memoriam- tri shkrimtare të mrekullueshme që ikën me ëndrrën e qiellit në shpirt: Drita Çomo: “Si mund të jetoj pa pak qiell të kaltër?!”; Edi Shukriu: “Prej vetes me flatra ngrihem/sesi më rrëmben marri e kohës…”; Lindita Ahmeti: “Zogjtë, zogjtë e dashur të Afërditës fluturojnë hapësirave…”.
Ky katalog me shkrimtaret e letërsisë së sotme bashkëkohore, i realizuar në kuadër të “Femfest” me moton “Rezisto në të kuqe”, nuk vendos përballë shkrimtaret me shkrimtarët. Përmes tij bëhet i dukshëm një ekuilibër që, për një kohë të gjatë, ka munguar, por që sot ekziston, madje dhe bukur.
Shkrimtaret e përfshira në katalog nuk dallohen vetëm përmes suksesit të veprave të tyre në poezi apo prozë, brenda vendit apo në botë. Ato kanë një kontribut të madh në fushën e letrave shqipe me studimet, shkrimet publicistike, revistat kulturore që drejtojnë, përkthimet, si dhe në fusha të tjera, varësisht profesionit që kanë. Kudo ku jetojnë, në të gjitha trevat shqiptare, si dhe në diasporë, ato kanë treguar përmes artit dhe jetës së tyre se si i kanë përballuar jo vetëm sfidat e të shkruarit, por edhe të të jetuarit në shoqërinë shqiptare me konvencionet e veta apo në emigracion me përballjet identitare.
Dhe në fund, do të shtoja se ky katalog është gjithnjë i hapur për përmirësime, përditësime dhe në përfshirje. Përveçse, u printua në letër dhe u shpërnda falas, do të jetë dhe online, si dhe në anglisht”.