Press "Enter" to skip to content

Një rrëfenjë – cikël poetik

 

(Pak biografi për Joan Margarit)

(Sanahuja, Spanjë, 11 maj 1938 – San Justo Desvern, 16 shkurt 2021)

Bir i Joan Margarit i Serradell, arkitekt, dhe Trinitat Consarnau, mësuese. E kaloi fëmijërinë në qytete të ndryshme, derisa u vendos në Barcelonë, ku filloi studimet në institutin “Ausiàs March”. Më pas hyri në Shkollën e Lartë Teknike të Arkitekturës, ku u diplomua si arkitekt në vitin 1964 dhe mori gradën Doktor në Arkitekturë në vitin 1968.

Pikërisht gjatë këtyre viteve zbuloi edhe talentin për poezi. Në 1963 botoi “Cantos para la coral de un hombre solo”- (“Këngë për kor me vetëm një njeri”), me parathënie nga Camilo José Cela. U shkëput nga kjo zeje për një kohë të gjatë për t’iu kushtuar karrierës dhe familjes dhe nuk botoi titull të ri gjer në 1975-n, kur doli “Crónica” – (“Kronikë”), së cilës i erdhën pas “Predicación para un bárbaro” – (“Parashikim për një barbar”, 1979) dhe “L’ombra de l’altre mar” – (“Hija e detit tjetër”, 1981), vepër me të cilën filloi edhe botimet në gjuhën katalane. Qysh prej atëherë i kombinonte të dyja gjuhët, duke treguar se ishte një nga poetët më të begatë të brezit të vet, duke botuar, qysh prej atëherë e derisa mbylli sytë, rreth tridhjetë vëllime me poezi, një autobiografi, librin me ese “Nueve cartas a un joven poeta” – (“Nëntë letra një poeti të ri”, 2009), si dhe libra të ndryshëm rreth profesionit të tij të arkitektit.

Nga gjithë prodhimtaria e tij mund të shkëputen tituj si “Aguafuertes” – (“Gravura”, 1995), “Estación de Francia” – (“Stacioni i Francës”, 1999), “Cálculo de estructuras” – (“Llogaritje strukturash”, 2005), “Misteriosamente feliz” – (“Fshehtësisht i lumtur”, 2008) dhe “El asombroso invierno” – (“Dimri i mahnitshëm”, 2018). Pastaj, sigurisht, “Joana”, 2002, ku përfshiu poezitë kushtuar të bijës, e cila vdiq në moshën 30-vjeçare nga një sëmundje e rëndë. Rezultati ishte një nga veprat më dhimbshme të poezisë spanjolle. Gjatë karrierës së vet ka marrë çmime të shumta, mes të cilave “Carles Riba”, (1985), Çmimin Kombëtar të Poezisë (2008), Çmimin Iberoamerikan të Poezisë “Pablo Neruda”, Çmimin Mbretëresha Sofia për Poezinë Iberoamerikane (2019) dhe, si kurorë për gjithë karrierën e tij, çmimin “Servantes”, (2019).
Vdiq në shkurt 2021, në moshën 82-vjeçare.

Në poezinë e tij mbizotërojnë: vargu i lirë, pasioni dhe, si vulë e identitetit të tij, një kërkim i përhershëm i së vërtetës. Kjo e bën që shpesh të trajtojë tema veçanërisht të vështira. Jo më kot, ai thoshte se nga të gjitha qeniet njerëzore, poeti dilte të ishte “qenia më realiste, më pragmatike, sepse ai mëkohet nga realiteti”. Kjo do të thotë se, në këtë dëshirë të përshkrimit të dritëhijeve të botës, Margarit kërkon, përveç rreptësisë së fjalës, edhe bukurinë e lirikës.

 

Kaligrafi

Ka mbështetur ballin në xhamin
e ftohtë, të mjegulluar, me dritë dimërore.
Shkruan emrin e saj dhe, përmes
vijave që heq me gisht,
e ka parë në një vend të vetmuar,
natën, me detin dhe shkëmbinjtë.
Përtej, yjet: saora, pulëbardhat
ngrihen në fluturim si një rrëzëllim
kur kalon një fllugë. Është mashtruar:
pas dritares është një rruginë
që agsholi e bën më të trishtë, pa as dhe një shpirt,
me makina të parkuara.
Pas vijave fillon të çelë dita:
dielli që lind do ta shuajë atë emër
në ngricën e trëndafiltë të xhamit.

 

Rreth protagonistes së një poezie

E njihja shumë mirë lëkurën tënde të praruar,
shenjën e rrezikut të një palë syve të kaltër.
Ëndrrat e mësuesit që po fillonte
të humbiste të ardhmen e vet. Kohë më parë dole
mes atyre djemve e vajzave
nga bari me xhama i shkollës sonë të bardhë,
prej nga shihnim detin.
Më pyesin kush je. Kushedi, një ditë, ekspertët
e vetmisë dhe krimeve të shkuara
do të qëmtojnë, tek mbrohet nga fjalët,
hijen e emrit tënd dhe s’do të gjejnë
pos letrat e manushaqta të natës
dhe gjurmën, mes dokumentesh, të një palë syve të kaltër.

 

Lule të bardha në dëborë

Shtrojet e hirta të ngricës
mbulonin tarracën e bajameve;
por ia mbërritën shirat si maska
dhe bari i fshiu pasqyrat e të ftohtit.
Në vështrimin dimëror, një ajër i ngrohtë
fillonte të gënjente
ato flatra të hirta
zogjsh të tektukshëm në pemët cullake.
Në një natë të vetme frymëngrohtë
me projektime hijesh në pasqyrë,
bajamet u çelën në lulëzim.
Edhe ti ia behe
në një kohë akulli e vetmie:
dashuria ishte flladi
mbi ngricën e hirtë. Lulet e harruara
përçuan erëmim në pranverë
në ambientin e ngrirë, borë e ngrohtë
lulesh të bardha jetëshkurtra. Me pikëllim
kujtoj gjatë atij dimri
që brenda një nate të vetme ngrinë.

 

Mos i nxirr letrat e dashurisë

Ato nuk do të të braktisin.
Koha do të kalojë, dëshira do të shuhet
– kjo shigjetë errësire –
dhe fytyrat epshore, të bukura e mendjeholla,
do të fshihen tek ty, në fund të një pasqyre.
Do të bien vitet. Do të të lodhin librat.
Do të zbresësh dhe më përfundi
e, po kështu, do ta bjerrësh poezinë.
Poterja e qytetit të qelqtë
do të të bëhet e vetmja muzikë,
dhe letrat e dashurisë që do vështrosh,
do jenë leximet e tua të mbrame.

 

Një mijë e një net

Më vështron: e tashmja janë sytë e tu,
fare pak çaste që treten
dhe s’mund t’i ndryshoj: por po ashtu
janë një e nesërme që ish shkruar
në pasqyrën efemere të fëmijërisë.
Dhe u shndërruan në të djeshme,
tërësi e shpërfilljeve të viteve.
Më pas do jenë kujtime, një botë e hirtë
nga ku të vështroj, edhe pse s’mund të të shikoj.
Pas kujtimit do të harrohen:
askush nuk do ta dijë përse më vështroje
as dhe pse ka një pus në vendin tënd.
Çdo grimëkohë një histori e ndryshme
e një mijë e një netëve në sytë e tu.

 

Një rrëfenjë

Mos thuaj asgjë, Joana,
vetëm dëgjo dhe mos thuaj asgjë.
Ecnim mëngjesit me shi,
përmes gjindjes së përgjumur,
hymë ngadalë
në një rrugicë të gjatë me kalldrëm,
që nuk të nxirrte në asnjë vend.
Fëmijët na thërrisnin me këngë
që t’i aviteshim kanalit, kur pamë
shtëpinë tënde, pasqyruar në ujë.
Të pëlqeu, a e mban mend,
kur pe fëmijët. Kur u larguam
fytyrëzat e tyre mbetën ngjitur mbi xham,
me zërat që u treteshin në ujë.
Mbërritëm vonë. Tepër vonë. Aq vonë
sa do të kthehemi gjithherë të ndarë:
ky ishte çmimi që të mund
të hyje brenda një rrëfenje.
E se ç’fat të të takoj këtu tani,
mëngjes’herë, shndërruar në verandë:
kjo don me thanë se gjatë gjithë kohës
ke qenë bashkë me mua në errësirë.

 

Përdëllim

Koha mes dy trenave. Është avitur
në kërkim të asaj lufte të fëminisë.
Është patetike të flasësh në të pesëdhjetat
me një baba tek të njëzetat.
Bashkë me lumin plak e të llurbët të betejës
era para gurvarrit valëvit barërat.
Rini e përjetshme që shkon e rrjedh
si uji i Ebros, larg shtëpisë.
Buzëmbrëmja shndërrohet në kambanë
me zogjtë e errët në kallamishte.
E braktis këtë të shkuar të hirtë, të vogëlth,
ndryrë nga plumbi i ndofarë Mauzeri.
Saora ai ndjen se po vajton
si një atë te varri i të birit.

 

Vajza e semaforit

Ke të njëjtën moshë sa unë
kur nisa ëndërrimin të të takoj.
Atëherë nuk e dija, po aq sa as ti
nuk ia kishe idenë, se vjen dita
kur dashuria është kjo armë e mbushur
me vetmi e pikëllim
që të merr nishan ç’prej syve të mi.
Je vajza që kërkoja
kur askush nuk ekzistonte.
Dhe unë burri drejt të cilit
do të duash një ditë të paraprish hapat e tu.
Por do të jem aq larg teje sakur
dhe ti prej meje në këtë semafor.

 

Mësuesja e gjermanishtes

Në atë institut të pasluftës
duhet të kem mësuar diçka greqisht
e të kem fituar dije të pakta për klasikët.
Por, nëse të mësoje çkado ishte e vështirë,
asgjë nuk ishte më pa të ardhme
se gjermanishtja, mbuluar prej rrënojash
të zeza të Berlinit nën dëborë.
E imja qe një gjuhë e përndjekur
dhe e saja një gjuhë e mposhtur.
Në një sallë të vogël të vilës
ku kishin ngritur institutin,
kur hyra, e pashë të qëndronte në gjunjë.
Po pastronte ndanë një kove, duke folur me vete.
Nuk di gjermanisht dhe në përgjithësi nuk
i mbaj mend mirë tërë ata njerëz,
por nuk e kam harruar kurrë dhimbjen e saj.
Tani, në fund, kur kuptohet se kush jam,
ndjej në pllakat e ftohta gjunjët e mi
ndërsa pastroj të djeshmen, siç bënte ajo
me skajet e kuq të mozaikut.

Përktheu dhe përgatiti për botim: Elvana Zaimi

(Shkëputur nga Revista Letrare – Pranverë 2025)

Autori
Joan Margarit
Autori
Elvana Zaimi