Press "Enter" to skip to content

Shtojca e vetvetes – cikël poetik

Belb

Mbi krye, dielli
ngjeshi kapelën prej reje të ciflosur
dhe iku tej muzgut.

Ndoqa me sy
shpinën e tij të kthyer,
tek ikte me ditën time ngarkuar në kurriz.

Mos ik belba,
ma lër dhe pak, është dita e fundit,
ma lër dhe pak ta ruaj si kujtim.

Por, ai ngjeshi edhe më kapelën
dhe iku pa e kthyer kokën pas,
me ditën time mbi supe.

Shtojca e vetvetes

Zgjatim prej barkut,
rrëshqet koka jote, ijëve të mpita.
Një gjysmë koke, një dorë,
një trup që rritet ngadalë,
erdh’ e më arriti shpatullën.

Pastaj, koka jote gjysmake,
kaloi me gjashtë centimetra supin tim.
Anova trupin, t’i bëj vend trupit tënd pa këmbë,
që më varet belit.

Tani duhet të të mbartë gjithkund.
Rëndohet pesha jote gjysmake,
pësoj frakturë këmbëve hollake
dhe shkundem fort të të lëshoj.

Por, ti je prapë aty.
Shtojca e vetvetes,
trajtë metamorfozash të asaj që lamë pas.

Caranët

Në sokak të zemrës pres e përcjell
dhe nuk i ftoj brenda odës.
Buzagaz aty në prak,
mbjell trëndafila sa herë vinë e pres
dhe mbjell qiparisa kur ikin e përcjell.

I qeshem çarshisë së zemrës gjelbëruar,
kundërmojnë trëndafilat e freskojnë qiparisat.
Nuk i mërzitem kujt vjen e shkon,
ata më jetësojnë prakun.

Nga dera e hapur shijoj lulishten e harlisur
dhe imagjinoj sa bukur do duket
ai, që mes tyre do shkojë si në parajsë
e do shkelë prakun të ulet te caranët e vatrës.

Kështu, pres e përcjell me buzagazin kthyer në varg
e nuk i mërzitem as atij që shkon, as atij që vjen,
por kthej në vargje këtë gumëzhimë sokaku,
që caranët nuk m’i prek.

Arkëmort pa kapak

E shkula kriskullin e qiellit,
ashtu petashuq si tabut primitiv
dhe meitin e tokës i vura mbi.
Krokëlliu tek çahej e shqitej,
u drodh e trand e buçiti,
kur grahmat e fundit tokës ia dha
në tabut kur e futi.
Mbeti arkëmort pa kapak,
veç rropullitë i pikonin mbi.
Ashtu, latërzyer si tablo çmendurake,
vështronin njëri-tjetrin, heroi dhe viktima.

Merri të gjitha

Krejt dritën merre,
frymën,
shpirtin,
ashtin e mishin,
por mos më merr vërtetësinë.

Krejt natën rrëmbeje,
gjumin,
ëndrrat,
qetësinë,
yjet dhe epshin,
por mos më merr dashurinë.

Krejt detin thaje,
lulet,
aromën,
borën dhe ngrohtësinë,
por mos më merr rininë.

Merri të gjitha, t’i kam falur,
merri pra, pa pendesë.
Më lër veç dashurinë, mëkatin dhe të vërtetën.

Në ty

Si fije mëndafshi më shpërhapet shpirti në ty,
e lehtë rrëshqet e vesh lëkurën tënde,
bulëzuar e buisur si gjethe.
Aty dua të kokolisem,
të ngjishem,
të degëzohem,
të sythohem,
të puthem.
pa mendim,
pa gjakim,
pa kufij.
Krejtësisht e lehtë si mëndafsh,
krejt e paqtë si afsh,
në çmenduri,
në dehje,
në stuhi sysh e ndjenje,
aty,
për ty,
me ty,
në ty.

(Shkëputur nga cikli i plotë botuar në “Revista Letrare – Verë 2022”. Bashkë me krejt numrat e tjerë në print e gjeni në librarinë tonë online, në “Art’s Library” – Tiranë, Amazon, Barnes & Noble etj)

Autori
Zhaneta Barxhaj