Press "Enter" to skip to content

Intervistë me Mimoza Ahmetin: Atdheu ynë gjithmonë ka folur shqip, por asnjëherë gjuhën e shpirtit të vet

Atdheu ynë gjithmonë ka folur shqip, por asnjëherë gjuhën e shpirtit të vet

Që e vogël strukesha në një kënd e shijoja perëndinë që nuk e njihja, por e përmbaja ndërsa më mbante…

Intervistoi Arbër Ahmetaj

Intervistuesi: Përshëndetje! Po e nis këtë intervistë me një kuriozitet të verës së kaluar, kur bashkë me vajzën tuaj keni dhënë shfaqje poezie dhe muzike. Si u ndjetë dhe si ju priti publiku?

Mimoza Ahmeti: Ishte ekzaltuese. Edhe vetë po befasoheshim me prezantimin tonë. Eir jeton në Romë, ndaj provat i bëmë secila më vete. Por kur u bashkuam, performuam spontanisht bukur. Zërat tanë të ndryshëm vijonin harmonishëm në një kord fluid…

Intervistuesi: A e keni influencuar vajzën, e keni shtyrë drejt artit?

Mimoza Ahmeti: Eir është gjeniale. Ajo ka një feminitet që edhe Boticieli do të marrosej pas saj… Unë nuk kam bërë asgjë më shumë sesa thjesht kam selektuar krijimet e saj ngandonjëherë, i kam redaktuar dhe e kam ndihmuar me kontaktet drejt botimit dhe promovimit.

Intervistuesi: U bëtë e njohur në moshë të re… ishte mesi i viteve 1980. Si nisi fama? 

Mimoza Ahmeti: Fama nisi me tipin tim tepër të butë dhe gjithmonë më vete, në fakultet, si dhe me rezultatet e shkëlqyera në provime dhe auditor. Poezitë ishin ato që përforcuan kureshtjen kundrejt meje. “Bëhu i bukur”, titulli i librit tim të parë, u bë lajtmotiv i brezit dhe… nuk e dija se lexohesha me aq dashuri edhe nga ata, të cilëve u ishte privuar liria fizike. Kam ndikuar në botë dhe kjo ka qenë një marrëdhënie eksplorimi, plot gëzim dhe aventurë.

Intervistuesi: Sa dhe si ju ndikoi në jetë popullariteti si poete?

Mimoza Ahmeti: Komunikimi dhe transpirimi i veprës në publik është jetike për artistin. Ose së paku dhe më së miri, një komunikim me një rreth qoftë shokësh e miqsh, që e duan artin. Fati im e deshi që në vitet tetëdhjetë, njëherësh me dobësimin e censurës, u shfaq dhe individi si talent poetik, që shoqëria e kërkonte me etje si emancipuesin e nëndheshmërisë së saj. Për talentin kishte një eko të fortë asokohe, sidomos për artet poetike. Edhe fizikanët kishin kërshëri për poetin, poezinë. Ndiheshe perëndi kur ecje… 25 vjeç unë isha shkrimtare profesioniste, besoj më e reja në gjithë Lindjen. Pastaj filloi tranzicioni, që relativizoi artin me politikën bashkë me vlerat.

Intervistuesi: Si silleshin e trajtoheshin artistet në shoqërinë e “burrave të vrenjtur”? 

Mimoza Ahmeti: Kishte një lloj etike formale gjithmonë për artistet femra. Nuk mungonte kortezia, por kur vinte puna për vlerësime, përkthime në kulturat me impakt, çmime, ndiheshin bërrylat e fortë të burrave. Kjo vazhdon… Jam mësuar me sistemin mashkull… domethënë, ia di huqet.

Intervistuesi: Domethënë, vazhdon edhe sot? Nuk ka ndryshuar diçka?

Mimoza Ahmeti: Shqipëria sot është në një irritim midis krijimit të kushteve të vetëkuptimit, ndërkohë i duhet që në çdo aspekt të sigurojë vijimësinë, por ende përdor një gjuhë të së shkuarës dhe të atyre kushteve që trashëgoi; gjetja e fjalëve do të ishte hapja e shtigjeve, por fjalët dhe interesat rrinë kithtas, prandaj dhe nuk koincidojnë ose koincidojnë vetëm për atë pasazh që ka mbaruar, pjesërisht.

Intervistuesi: A ishte libri juaj i parë “Bëhu i bukur” apo “Delirium” që ju solli famën? 

Mimoza Ahmeti: “Bëhu i bukur” kapi në mënyrë magjike gjithë vëmendjen e botës letrare. Ndërsa “Delirium”, ashtu siç dhe u shpreh Dr. Robert Elsie, më vendosi mes poetëve të mëdhenj europianë. “Delirium” ishte një manifest i njeriut përtej iluzionit të thyer. “Delirium” është një substancë investimi kulture shumëvjeçare, rinie në kulmin e vet, freskie sinapsi të goditur nga deziluzioni, por jo ende nga ati i egërsuar kundrejt zbulesës së birit.
Historia e djegies së sinapsit mund të jetë shkencë e ardhme mbi gjenerimin e formës finale të shprehjes, në çdo kuotë të procesimit social, zhvillim i cili është një lloj lumi që duhet ta krijojë vetë shtratin, ndërkohë që rrjedh.

Intervistuesi: Keni thënë se “rebelimi më i madh është kënaqësia e shpirtit njerëzor e ky është një rebelim i rrezikshëm, sepse është i qetë…”

Mimoza Ahmeti: Nuk mbaj mend gjithë sa kam thënë në jetën time, por duke dëgjuar këtë frazë, buza më shkon në gaz. Është e mundur që të sfidosh në mënyrë fëminore, edhe me gëzimin tënd… në kohë revolucioni, për shembull, isha e preokupuar me dashurinë time; ky ishte imperativi im. Edhe në vitin 1997 jetoja në hipnozë humbjen e një dashurie të madhe… ishte aq e komplikuar. Flija shumë gjumë. Përjashta, revolucioni vazhdonte…
Kam qenë gjithmonë e preokupuar shumë me veten. Përjetimet ishin jashtëzakonisht të gjata. Ngjarja mungonte pothuajse fare. Nuk e ka eksploruar ende fenomenin tim… do doja pak qetësi për të.

Intervistuesi: “Shkrimtarët kanë përgjegjësi për gjithçka”, thoshte Lasgush Poradeci. Si e ndjeni veten kur shihni gjendjen e kulturës dhe atdheut në tërësi?

Mimoza Ahmeti: Midis zhvillimit të konjukturës dhe moduleve të integrimit global, identiteti humb konturet, hapet. Gjuha, megjithatë, është mbështjella e shpirtit dhe lëngu i saj rri në enën e trupit. Perceptimi, trupi, animon marrëdhënien me botën.
Atdheu ynë është i çuditshëm si asnjë tjetër. Nuk kam parë atdhe si yni dhe as ka për t’u përsëritur. I lashtë dhe i ri, i plakur dhe fëmijë. Ai gjithmonë ka folur shqip, por asnjëherë gjuhën e shpirtit të vet. Shkrimtarët e tij shkruanin në emigrim. Gjatë viteve të socializmit ëndërronim për një pushtues… Asnjë vend, veç shqiptarëve, nuk ka ëndërruar të jetë koloni e dikujt. A keni parë kështu? E megjithatë ka luftuar për lirinë e tij, gjithmonë në krah të forcës… Skënderbeu i dha tonin këtij fati…

Intervistuesi: Keni studiuar pikturë?

Mimoza Ahmeti: Jo, pikturën nuk e kam nga studimet. Vizatoja lule kur isha fëmijë. Kur dashurova, pikturoja trupin, portretin (fizionomia dhe bukuria u zgjua), pasi transmetimi shqisor u rrit jashtëzakonisht.

IntervistuesiPo atëherë, ekspozitat tuaja… “Cathexis” dhe “Potenca”…

Mimoza Ahmeti: Këto ishin dy ekspozita në valë të pikturave të mia ndër vite. E para, me punime të mbledhura gjatë kohës. Ishte një nismë e Universitetit Europian që unë ta hapja këtë ekspozitë në mbështetje të studentëve të degës së arteve vizive. Pashë se kisha pikturuar disa personazhe publike në faza të ndryshme të amplifikimit ose jo të egos së tyre nga shoqëria. Prandaj e quajta “Potencë”.
Ndërsa “Kateksis”, ekspozita e dytë në galerinë “Kalo”, ndoqi të parën, ku të gjitha ishin punime nga periudha e pandemisë. E quajta “Kateksis – (Cathexis)” sipas idesë se konfliktet dhe keqkuptimet që po rriteshin në nivel global, buronin nga formime, katetime krejt të ndryshme, qofshin dhe interesa.

Intervistuesi: Për ca kohë heshtët. U eklipsuat nga diçka e errët?

Mimoza Ahmeti: Ndoshta. Kërkoja mjete të reja dallimi për të kuptuar përse hapësira ishte e kufizuar. Dhe kur kuptova se hapësira krijohej nga pengimet e përparohej prej tyre, mbeta e çuditur me zbulimin. Por ky ishte proces sa social, aq edhe individual.
Hapësira mund të hapet së brendshmi, së jashtmi ajo është e mbyllur. Gjatë kësaj kohe, le ta quajmë disi të mugët, kam kënduar. Krijova dy albume muzikore. Transferimi në këtë zonë ishte një përjetim divin, sa akustik, aq metafizik. Punova me Genti Lakon, Florian Cangën, Valentin Marvukajn, të gjithë talente. Nuk i harroj.

Intervistuesi: Jeni rikthyer me energji të reja, me një shkëlqim të ri…

Mimoza Ahmeti: Akademia më pajisi me kuptime suplementare të jashtëzakonshme, racionale. Europa, sidomos Franca, operon organizmin e deri në detaje, për të dalluar realitetin e vet nga spekulimi. Kjo thjeshtësi e saj për ta kuptuar dekadencën e vet si fermentim universal, më ka pasuruar shumë dhe më ka dhënë kënaqësi njerëzore pa fund.

Intervistuesi: “Më jepni një iluzion dhe do t’ju jap gjithë botën” – (L’absurde Coordinatif – Absurdi Koordinativ)…

Mimoza Ahmeti: Mendohet që është e vërteta, por në fakt iluzioni e mban njeriun. E vërteta nuk mund të kapet. Integrali i saj nuk ka kuptim në subjekt, pasi subjekti është bir i qenies, “being”, dhe jo i së vërtetës, “truth”. Me një iluzion mund të ndërtosh një botë. Me një të vërtetë, vetëm mund ta gjykosh atë. Por askush nuk pëlqen të gjykohet. Sepse askush nuk lindi në kuotën e së vërtetës që të mund ta rrokë atë apo të vendosë mbi të tjerët rreth saj.

Intervistuesi: Studiuat në Sion, aty ku jetoj unë, pastaj në Vjenë e në Paris. Si ju kanë ndikuar këto përvoja?

Mimoza Ahmeti: Në Vjenë e Paris kam studiuar, ndërsa Sioni e kishte universitetin dhe profesorët këtu në Tiranë. Vjena dhe Parisi janë dy hapësira të forta rigjenerimi dhe dashurie për mua. Kultura, arti, mbi të gjitha. Vjena mbetet mister, që shkëlqen mbi turmën globale që kërkon vlerën.

Intervistuesi: Krejt energjia, mençuria dhe talenti, a do të kishin arritur ta bënin Mimoza Ahmetin që njeh publiku shqiptar, sikur ajo të mos ishte edhe një grua e bukur? Cili është roli i hijeshisë për një grua në kulturat me të cilat jeni përballur?

Mimoza Ahmeti: Faleminderit për komplimentin! Bukuria është pika kulmore e formës së investuar. Sepse ajo shpreh përsosjen përtej nevojës si mjet util. E kam parë të bukurën si hijeshi, si rrezatim, si ekuilibër me universin, njëherësh si dhuratë që do ruajtur e kultivuar. Është e vërtetë që paraqitja ime ka bërë përshtypje në Festivalin e Sanremos: kur mora trofeun e artë, isha njëherësh po aq e bukur sa dhe poezia ime “Asgjësë tërësore”.

Intervistuesi: Folëm në fillim për përmbledhjen “Bëhu i bukur”; cili libër ju fle në shpirt?

Mimoza Ahmeti: Dua të shkruaj romanin “I vogli.” Po për të po kërkoj momentin.

Intervistuesi: “Ti je dashuria dhe jo urrejtja ime, armiku im”; një varg i juaji. Kush është ky armik “i dashur” dhe ç’është koncepti juaj për urrejtjen, për armikun?

Mimoza Ahmeti: Nuk kam urryer dot asnjëherë. Nuk kam intriguar asnjëherë. Besoj se këto mungesa tregojnë diçka mbi mua…
Krijimi i armikut është një aspekt delikat… pasi e lë në një zonë mohimi përgjithmonë tjetrin, raportin. Moskomunikimi, megjithatë, është normal në kushte kur palët, qoftë edhe njëra, intrigon qëllimshëm ndaj tjetrës. Por krijimi i armikut është një shkencë për të cilën duhet shkruar.
E meqë jemi në këtë pikë, po sjell këtu poezinë time, që i kushtohet armikut tim:

Armiku im

Armiku im,
shpeshherë më fyeve në mënyrën më të dobët,
shpeshherë të fyeva në mënyrën më të cekët,
armiku im.
E ç’do të ish jeta ime pa ty
dhe e jotja pa mua?
Askush s’mund ta dijë-
(kur kushtëzimi mbaron
qenia zhduket)
Armik. Armiku im.
Prej teje rashë në gjurmë dhe përfitim
të asaj që kërkoja,
prej teje gjallëroji jeta ime, u zgjua,
u përbetua,
dhe ngashëreu,
kur vrasja shpirtrat ngërtheu.
Oh, në të vërtetë ti je dashuria
dhe urrejtja ime,
armiku im.
Pikërisht ato,
që ne zhvleftësuam
ndërsa rrugës ecëm,
që asnjëherë s’i ditëm,
s’i llogaritëm,
TURMAT,
që inerte derdhen
dhe frymë marrin
me injorim,
lanë pasojë
mbi shpirtin tënd
mbi shpirtin tim.
Shkak agresioni janë
për ne të dy.

Oh, atë ditë kur u vramë,
kur për të fundit herë u pamë,
atë ditë kur të mposhta
dhe fitova (ndoshta),
ishe tmerrësisht i bukur, i vrarë,
në fytyrë.
Dhe s’di si jeta u ndërthur
në këtë mënyrë…

Intervistuesi: Familja juaj ka edhe një tjetër artist: Sadriun, piktor e poet, që fatkeqësisht nuk jeton më. Si homazh për një njeri aq të bukur, a mund të na sillni ndonjë kujtim?

Mimoza Ahmeti: Sadriun e kam njohur e rritur, edhe pse ishte xhaxhai im. Talenti i tij u bë subjekt i politikës. Kështu dhe vuajti dënime për fjalën e lirë. Poezitë e tij kishin një gjuhë pjellore të jashtëzakonshme dhe po aq të latuar, leksiku i ngjyrshëm nga nuancat pa fund, rrethanorët dhe sqaruesit kallëzuesorë ishin aq të pasur nga gurra e shpirtit të tij. Nëse njeriu është një shenjë, Sadriu është shenja më e shumëngjyrshme që kam njohur. Nëse në vend të patriotizmit do të përdorte filozofimin, ai do të ishte poeti më poet i të gjitha kohërave.

Intervistuesi: “Kujtimet e një europiani”, por sidomos poema juaj aq e njohur për autorin e këtij libri, vuri në dukje anën njerëzore të brishtë të përkthyesit të famshëm. Si u njohët me Jusuf Vrionin?

Mimoza Ahmeti: Ishte libri “Delirium” që më njohu me të. Më kërkoi të takoheshim dhe më tha se do t’i përkthente poezitë e librit, sepse e kishte pëlqyer shumë… Unë i kërkova që ta linte për më vonë këtë punë, por pastaj ai punonte shumë për djalin e tij të sëmurë dhe nuk pati më kohë. Më edhi keq që e humba atë shans, që vjen një herë në jetë.
Për sytë e Jusufit, unë isha një kuriozitet tundues. Ai nuk ishte në gjendje të kuptonte sjelljet e mia sa ‘timide’, aq ‘apodikte’. Ishte tepër i edukuar, por guxonte… Ishte si një fëmijë në kërkim të lodrës së imagjinatës, që, megjithëse përpiqej ta gjente tek të tjerët, çuditërisht e rigjente vetëm në kozmosin e vet. Komunikonte shumicës së kohës, besoj, për zakon. Askush nuk e zotëronte gjuhën e tij. Aq më pak ne, që u rritëm me Shqipërinë e mbyllur. Besoj kjo dhe ishte plaga e tij, jeta në një univers pa univers.

Intervistuesi: Shpesh i kthehemi fëmijërisë, imazheve që na vijnë prej saj ose zgjojmë nga gjumi fëmijën brenda vetes. A keni pengje dhe mall?

Mimoza Ahmeti: Kam qenë fëmijë soditës. Besoj se ashtu do të mbetesha sikur babai, pothuajse me dhunë, të mos më fuste në fushën e riprezantimit artistik, domethënë të artit. Unë kisha mundësinë të rrija orë të tëra në një kënd, pa bërë asgjë, duke shijuar perëndinë që nuk e njihja, por e përmbaja ndërsa më mbante…

Intervistuesi: Po e mbyll këtë intervistë me ndjesinë se është fare pak nga ç’mund të zbulojmë nga universi juaj. Me dëshirën për një bisedë tjetër në të ardhmen, po ju falënderoj edhe në emër të lexuesve të revistës!

Mimoza Ahmeti: Edhe unë ju falënderoj!

(Shkëputur nga Revista Letrare – Verë 2023)

Autori
Arbër Ahmetaj
Kryeredaktor   | [email protected] | Website

Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.