Ai ka sy ngjyrë ulliri të pjekur dhe flokë të kafenjtë, me një tufë të bardhë mbi ballin fisnik, gjë që e kundërshton legjendën që thotë se njerëzit e lindur me shenjë të bardhë në flokë janë bij të djallit në tokë.
Si fëmija i tetë i një prej familjeve të mëdha të mbimalësisë së Shkodrës, nuk ka vëmendjen e askujt. Kjo e tkurr, e ndrydh përbrenda dhe e bën të ndihet i tepërt edhe mes moshatarëve, ndaj e ka më mirë të vrapojë pas breshkave. Pas atyre indiferenteve, të strukura natyralisht në kurrizin e tyre, si një fole me këmbë që ecën pa pushim. Ato as që e çajnë kokën se nga cila pjesë e malit e ndjekin rrugën. Kur ecin afër liqenit, ai e ka të lehtë t’i ndjekë me këmbët më shumë jashtë sesa brenda këpucëve copë-copë, por nëpër shtigje të thepisura, përtyp dhembjen që i shkaktojnë gurët dhe shkurret. Gjithsesi, njësoj si breshkat, nuk ndalon, ndonëse lë pas pika gjaku, si për të mos harruar rrugën. “Të qifsha nanën”, shan si burrë. Por ama, ëndërron si fëmijë. Breshka ndalet, ndalon dhe djali. Të dy, në mënyrë instiktive, bëjnë të njëjtën lëvizje: zgjatin qafën para e mbajnë vesh nga po vjen një lloj zhurme e çuditshme, që trondit tokën. Breshka më pas e fut kokën brenda zhguallit dhe nuk lëviz më. Ai jo.
Pikërisht ato çaste i ndodh ajo trandje, që do sillte edhe arratisjen drejt një jete tjetër. Djali mbyll sytë nga frika dhe përpiqet të kuptojë se çfarë e shkakton atë zhurmë të llahtarshme. Në fillim iu kujtua vizatimi i asaj gjëje të stërmadhe, si gjarpër metalik, të cilin mësuesja e emërtoi ‘tren’. Ajo para një jave u kish treguar edhe për disa krijesa të mëdha, që kishin populluar tokën në shekujt e parë të jetës në tokë e më pas qenë zhdukur.
Kur zhurma iu qas më pranë, hapi njërin sy dhe pa të gjarpëronte nën urë një gjë të gjatë e të ndarë pjesë-pjesë: “Tren, tren!”, thirri i befasuar dhe i mrekulluar njëkohësisht. “Uau! Uau, sa i madh qenka!”. Ashtu, tërë hov e gëzim, e ndoqi me sy derisa i humbi krejt dhe vrapoi të arrinte sa më parë te shokët dhe të mburrej me trenin e tij. I tiji ishte, pasi vetëm ai e kishte parë. Por kur u afrua në fshat, ndryshoi mendje. Nuk do t’ia tregonte askujt, do e mbante vetëm për vete. Qysh nga ajo ditë, në zemrën e tij djaloshare lindi një dashuri e çuditshme për atë breshkë të shpejtë e të hekurt, që do ta vizatonte pareshtur në copa letre.
Po çfarë e lidhi aq ngushtësisht me trenin? Përgjigjen do ta merrte shumë shpejt.
Prej atij çasti fatlum, ai nisi të shkonte çdo ditë, në të njëjtën orë dhe vend, që të admironte atë përbindësh me hekura. E adhuronte si perëndinë, ndonëse këtë të fundit nuk e kish parë kurrë. Fshehurazi mori edhe qostekun e gjyshit dhe rreth një muaj të tërë stërviti veten që të kuptonte sa ishte ora pa ia hedhur sytë akrepave, por me lëvizjen e diellit. Disa muaj më vonë, nxënësit e klasës së tij nisën të ankoheshin se po u vidheshin vizoret. Mësuesja e çuditur nuk po e kuptonte arsyen se përse i duheshin dikujt gjithë ato vizore. Më shumë, zërin e ngrinte djali i brigadierit, i cili ankohej me një ton mburravec se ia kishin marrë edhe të tijën, që ishte fringo e re dhe më e gjata që kish pasur ndonjëherë ajo klasë. Por djaloshi ynë nuk e prishi terezinë; e kishte të qartë planin e tij. Kështu, grumbulloi sa më shumë vizore dhe, pasi i bashkoi për ditë me radhë, mati vendin ku i duhej të hidhej mbi tren, në momentin kur ai të gjendej pikërisht një metër larg urës. E llogariti mirë hedhjen dhe forcën që do e shtynte pak më tej, që të mos rrezikonte të binte mbi shina e të shqyhej copash. Fantazoi edhe më të keqen: trupi i tij dobët do shkërmoqej nën gjarprin e metaltë që ai dashuronte dhe, për çudi, kjo gjë iu duk ngushëlluese.
Pasditen që mbushi gjashtëmbëdhjetë vjeç, veç nënës, askush tjetër nuk u kujtua ta uronte. U nis ta festonte me dashurinë e tij. Në torbën prej cohe gri futi vetëm një fotografi të së ëmës dhe pak bukë me qepë e djathë të butë, që i mori fshehur. I dhembi kjo gjë, por atij i duheshin më shumë. Gjithashtu mori një pagurë uji prej druri, ku ish gdhendur një gjarpër, futi në torbë edhe gjithë varfërinë e viteve të fëmijërisë dhe u nis drejt ëndrrës…
Rrugës kapi breshkën më të vogël. E mbajti në pëllëmbën plot vija të thelluara, që tregonin se sa ish rritur dhe jetën e vështirë, së cilës nuk i kishin munguar as aventurat. I foli dhe qeshi me të: “Ec breshka ime e vogël në vijëzimet e dorës sime dhe më trego që do jetojmë bashkë sa jeta jote e gjatë”. Djaloshi nga dera e Camajve trashëgonte një shpirt të butë, mendjen poetike dhe trupin e fortë të një malësori.
Ethet e orës që po afronte, i paqtoi me vizoret në tokën e butë… i shtriu mbi të dhe nisi matjet. Fillimisht hedhjen. Pastaj priti me sytë nga qielli orën kur do afrohej treni. Atë natë numëroi shtatë yje të vegjël, sa motra dhe vëllezër kishte, dhe katër të mëdhenj: nëna, babai, gjyshi dhe gjyshja. U thirri në emër dhe u kërkoi të falur që po i linte pas. Do i shihte vallë përsëri? Pastaj, me zemër të thyer, vendosi breshkën në tokë dhe i tha lamtumirë. “Do të të gjej një ditë”, i tha, fotografoi me sy një shenjë në zhguallin e saj dhe qeshi me dhembje.
Zhurma trenit e zgjoi nga dremitja e lehtë që e kish rrëmbyer. U hodh përpjetë. Hoqi me të shpejtë këpucët e copëtuara, vendosi një letër brenda njërës prej tyre dhe nisi planin për të ndjekur ëndrrën e tij të arratisjes. U hodh. Në ajër, për aq pak sa zgjati, zemra i shtrëngoi në gjoks. U përplas me bark mbi hekurin e ftohtë dhe humbi ndjenjat. Pas pak minutash, ajri i ftohtë e solli në vete. Nuk lëvizi asfare, por mbajti vesh zhurmën e atij përbindëshi prej hekuri, që nxitonte duke gjarpëruar me trupin e tij sipër, sikur yjet t’i kishin hedhur një dhuratë. Aq u emocionua, sa nisi të qeshë e të qajë njëkohësisht. Atë moment e kuptoi që po arratisej. Po ku?
Kur treni ndaloi, zbriti i verdhë në fytyrë dhe i trembur për vdekje. Një mijë ndjesi e kishin mbërthyer, ndërsa frika dhe tmerri ia kishin mpinë trupin. U shtri në anë të trotuarit dhe nuk lëvizi as kur dy burra me uniformë, që nuk e kuptonte kujt vendi i përkisnin, e ngritën në këmbë. Duart e tyre e shtrënguan fort që mos të binte dhe e futën në një furgon të zi. Mbylli sytë dhe i hapi vetëm kur makina ndaloi. Burrat me uniformë të çuditshme e morën përsëri gati në krahë dhe e çuan brenda një ndërtese.
Pas disa ditësh e pyetën në cilin shtet donte të kërkonte strehim politik. U përgjigj pa mëdyshjen më të vogël: “Në Amerikë!”.
Ishte vera e vitit ‘87 dhe, për çudi, në atdheun e tij askush nuk u internua e as nuk u burgos, pasi asnjë nuk e besoi që mund të ndodhte një arratisje e tillë, mbi kurrizin e një treni, gjatë ecjes me shpejtësi poshtë një ure. Shumë pak njerëz e dinin që kalonte ai tren në atë zonë e që përfundonte në zemër të Zagrebit! Vetëm mësuesja e djaloshit u vu në kërkim të ndonjë gjurme, që mund t’i tregonin diçka për nxënësin e saj, që e kish lënë bankën bosh. Hapi të gjitha fletoret e hartimit dhe vizatimit dhe nisi t’i lexonte e shihte një për një. Ndonëse shkruante bukur, asnjë të dhënë nuk gjeti në to, por kur ndali te vizatimet, pa që në qoshen e çdo flete, si vulë e të gjitha vizatimeve që kish bërë, ishte treni. Treni me kokën e një breshke gjigande dhe ngjyrë jeshile të errët. Në çast, nëpër mend i erdhi marrja në pyetje dhe u rrëqeth. I grisi të gjitha. Duhej të ruhej edhe prej tyre… Aq u shqetësua, sa iu duk se dëgjoi zhurma jashtë klasës. Ato kohë, të gjithë në fshat kishin frikë të merrnin edhe frymë. Doli të hidhte një sy e të kontrollonte dhe, për çudi, te këmbët pa një breshkë. U përkul dhe e gërvishti lehtë mbi kurriz; ajo futi e nxori kokën ngadalë, sikur ta përshëndeste…
***
“Hekuri i atij treni m’u fut në poret e lëkurës atë natë, aq fort e përqafova, m’u fut në shpirt, aq shumë e dashurova, por po aq u tmerrova mbi shpinën e tij, në atë udhëtim të çmendur drejt botës së lirë”, më thotë, teksa rrufit kafenë.
E shoh thellë në sytë ngjyrë ulliri. Kanë kaluar shumë vite nga ajo natë çmendurie e ai djaloshi guximtar, tashmë përpara meje është një gjashtëdhjetëvjeçar që rrëfen shtruar, por me një lloj zbrazëtie, që ia lexoj në bebëza. Jemi ulur në një nga baret e tij këtu në Amerikë. Sot është një biznesmen i suksesshëm, por më habit fakti që nuk është kthyer më kurrë në vendlindje dhe se sa pak ka ngelur brenda tij nga guximi djaloshar. Por breshkën e tij nuk e ka harruar. Është munduar ta skalisë në trup formën e zhguallit të saj. Më çudit edhe kur me sportivitet ngre bluzën e ma tregon, si për të konkretizuar çdo fjalë: “Stërvitem çdo ditë nga tri orë që t’i ngjasoj breshkës sime, që e adhuroja për durimin dhe kurrizin e fortë”, më thotë, duke më lënë gojëhapur.
Si për ta marrë pak veten nga gjithë ai rrëfim emocional, rrufis edhe unë kafen e madhe amerikane, shijen e së cilës m’u desh ca kohë ta lezetoja. I ftohti i egër që ka përfshirë prej ditësh Detroitin, më duket sikur hyn brenda lokalit e më rrëqeth. Në fakt, diç tjetër ma ftoh shpirtin, që më kokrrizon edhe mishin; më gërryen enigma e madhe dhe nuk ndihem e qetë derisa e pyes:
– Përse nuk je kthyer kurrë në Shqipëri, në fshatin tënd, te familja, te breshka?
– Kam frikë të udhëtoj me balonë, – më thotë e unë për një moment shtang. Shtang për frikën. Edhe për balonën. Balonën?! Pastaj më rrëmben një gaz prej të marre, se e kuptoj që e ka fjalën për avionin.
– Ti ke frikë?! – i them mes gurgullimës së të qeshurës, që zor se më ndalet. – Po ti ke bërë aventurën më të guximshme e më të rrezikshme kur ishe ende kërthi, si ka mundësi?
– Frika qenka e çuditshme. Para se të hidhesha mbi atë tren, nuk kisha frikë. Pas asaj nate filloi të më pushtonte për të mos më lënë më. Çfarë nuk kam bërë për ta mposhtur, por e kotë. Mbase është ndëshkimi për atë arratisje pa menduar për motrat, vëllain dhe prindërit, që mund të vuanin burgun ose internimin. Ndëshkimi me frikë është më i rëndi për mua, sepse nuk po shkoj dot të shoh mamanë e sëmurë dhe as varret e të parëve të mi. As breshkat. Sikur i kam frikë edhe ato; kam frikë se më kanë marrë inat që erdha kaq larg, në një vend pa male dhe me breshka të buta.
M’u dhimbs. Ai burrë që çfarë nuk kishte kaluar në jetë derisa kish mbërritur suksesin, nuk mund të fluturonte as për të shkuar tek e ëma.
– Gjithsesi, ka plot forma dhe zgjidhje në ditët e sotme, – i thashë. – Ti duhet të shkosh të shohësh mamanë dhe breshkat. Ato të presin. Breshkat jetojnë gjatë dhe e jotja të pret, njëlloj si nëna.
– Vërtet thua? Të jetë duke më pritur, vallë?!
Figura burrërore përballë meje u shkri dhe u tret në konturet e një fëmije mbushur me mall, nostalgji, frikë dhe pikëpyetje.
– Ju të dy keni shkëmbyer shpirtrat, – i thashë, si të doja t’i mbushja mendjen pikërisht djaloshit në të cilin ish kthyer në sytë e mi, – ndaj ke frikë. Ke lënë shpirtin tënd atje dhe ke marrë të sajin, prandaj dhe stërvitesh kaq shumë e do që të jesh kaq i fortë fizikisht. Breshka të pret; ajo po pret t’i kthesh shpirtin.
– Ajo po më pret t’i kthej shpirtin! – përsëriti instinktivisht si i hutuar e me zë të ulët ai pas meje dhe e treti vështrimin pas xhamave, ku sapo kishin nisur fjollat e para të dëborës.
(Shkëputur nga “Revista Letrare – Verë 2023”, në print. E gjeni në librarinë tonë online, në “Art’s Library” – Tiranë, në Amazon, Barnes & Noble etj.)






