S’do dua të di
Kur të kem vdekur,
e prilli i bukur mbi mua të shkundë shiun prej flokëve të tij,
ndonëse ti do të përkulesh mbi mua lotueshëm,
Unë, s’do dua të di!
Do të jem në paqe,
si degët e pemëve që përkulen nga pesha e shiut në qetësi.
Dhe do të jem më e heshtur dhe zemër-akull,
nga ç’je ti tani!
Përkujtim
Ti shkove udhës së pakthim.
Të joshën yjet e qiellit blu.
Ato gjurmë të arta si vesë zjarri,
të shpirtrave të lirë si ty.
Oh, nëse kaq shumë e deshe jetën,
si mund të ikje vallë kaq nxituar,
pa trupin e vdekshëm, tutje, matanë
vendlindjes së diellit të praruar?
Mund ta lë botën të shkojë
Oh, mund ta lë botën të shkojë,
me çdo gëzim apo andrallë.
Por, si do të mund të lija qiellin,
muzgun e mbrëmjes me yjet, vallë?
Njerëzimit mund t’i largohem.
Dokeve e zakoneve njëherë e mirë,
Por oh, i argjendi shi i verës,
që bie fushave bar-xhevahir!
Shirat e butë do të vijnë
Shirat e butë me aromën e tokës do të vijnë.
Fluturimthi dallëndyshet me të ëmblën cicërimë.
Bretkosat pellgjeve do të këndojnë,
e kumbullat do të sjellin bardhësinë.
Gushëkuqët, me zjarrin e puplave prush
mbi tela korrenti ëmbël do të këndojnë.
E askush s’do dijë ç’ishte lufta, askush.
As se si do të përfundojë.
Askush s’do të dijë, asnjë shpend a bimësi,
njerëzimi ku u zhduk ashtu, si për çudi.
As vetë pranvera kur në agim të zgjohet,
në ishim a s’ishim ne, s’do të kujtohet!
Natën
Jemi të ndarë, qyteti mes nesh heshtur rri.
Hesht ai, me qepallat që errësira ka rënduar,
Pak rrugë na ndajnë, e mbi to
rri hëna e kulluar.
A ke fjetur shpirt, apo je ende zgjuar?
Të dërgoj mendimet e mia, ti më shih në ëndërr.
Mendimet e mia fluturojnë dritares tënde,
një tufë zogjsh të egër.
Nëse do ta dinte ai
Nëse ai do ta dinte që këngët e mia janë të gjitha për të,
Ato të agimit të argjendtë apo të muzgut flori,
A nuk do të buzëqeshte me mosbesim,
Nëse do ta dinte ai?
Apo do të ngazëllehej prej gëzimit,
si përrenjtë e vrullshëm që thyejnë akujt
kur nisin bien boritë e prillit?
Por unë, oh, nuk mund të rrëfej,
Derisa i erosit pishtar ende nuk është shuar
Zoti është i hidhur: ashtu e ka shkruar!
E ndoshta, fati ynë do të dukej sonte më pak gri
Nëse do ta dinte ai…
Kodra e lartë
Duhet të kem kaluar kreshtën pak çaste më parë
dhe tash jam duke zbritur.
Çudi si e kam kaluar kreshtën, krejt pa e ditur,
me ferrat që kapeshin pas fustanit tim të ndritur.
Sa krenare duhet të jem, mendoj herë-herë
me tokën nën këmbë, me diell e me erë.
Unë që eci drejt si mbretëreshë,
ndërsa ajri i mjegullt shikimin më vesh.
Ja dhe pak dhe pothuajse arrita,
me ferrat që më çjerrin fustanin si drita.
Të kthehem mbrapa s’mendoj kurrsesi
rruga që ka mbetur, është vetëm zbritje tani…
Pluhuri
Sa gjatë e kërkova të shtrenjtin xhevahir,
që në një vend sekret ishte fshehur diku.
Kur e gjeta, fort më trembi vezullimi i tij
dhe pluhuri më mbuloi sytë.
Dikur edhe jetën do jepja,
për diçka që sot krejt është harruar.
Çudi, sa herë duhet të thyhet një zemër,
përpara se vitet ta bëjnë të zgjuar.
Përktheu: Irena Cani
(Nga libri “Lule prilli”)
Sara Teasdale (1884-1933) është një nga zërat më të njohur të poezisë lirike amerikane të fillimshekullit XX. E lindur në St. Louis, Missouri, ajo u formua në një mjedis familjar të kulturuar dhe, për shkak të shëndetit të brishtë në fëmijëri, pati një edukim të hershëm më të tërhequr dhe më introspektiv. Kjo ndjeshmëri e brendshme do të bëhej më vonë një nga tiparet themelore të poezisë së saj.
Teasdale u bë pjesë e rretheve letrare të Çikagos dhe u lidh me mjedisin e revistës “Poetry”, por zëri i saj mbeti i dallueshëm për qartësinë, muzikalitetin dhe përmbajtjen emocionale. Ajo botoi disa vëllime poetike, ndër të cilat Sonnets to Duse, and Other Poems (1907), Helen of Troy, and Other Poems (1911), Rivers to the Sea (1915), Love Songs (1917), Flame and Shadow (1920), Dark of the Moon (1926) dhe Stars To-Night (1930). Vëllimi Love Songs u vlerësua me çmimin “Pulitzer” për poezi në vitin 1918.
Poezia e saj trajton dashurinë, natyrën, vetminë, kujtesën dhe kalimin e kohës me një gjuhë të thjeshtë në dukje, por të ngarkuar me intensitet të brendshëm. Në vargjet e Teasdales, bukuria dhe dhimbja shpesh bashkëjetojnë; ndjenja nuk shprehet me patos të jashtëm, por me një qetësi që e bën poezinë edhe më prekëse. Për lexuesin shqiptar, ajo vjen si një zë i hollë lirik, ku emocioni, muzikaliteti dhe eleganca formale krijojnë një poezi të afërt, të ndjeshme dhe të qëndrueshme.













