Press "Enter" to skip to content

Ishulli i kërpudhave

As largohesha, as binte shi. Sikur unë e shiu prisnim kush do ta hidhte hapin i pari. Dhe as e bëra unë, as e bëri shiu. E bëri Timi! Sot, ai i thirri të gjithë, jo vetëm banorët e ishullit, por dhe ata që ishin larguar qëkur. Doli para turmës së pafundme e tha:

“Prisni, se shi do të bjerë!”.

Asnjë fjalë më shumë dhe iku! Asnjë kundërshtim! Asnjë dyshim! Çile gur gojën!

Si ndaj askujt tjetër në ishull, të gjithë vrapuan pas tij! Të gjithë thërrisnin emrin e tij. Të gjithë betoheshin në kokën e tij! Edhe unë u mundova t’i afrohesha, ta kisha afër ose, të paktën, ta prekja qoftë edhe në sup, që të ndihesha pjesë e atij momenti historik! Por, ai u largua, po aq shpejt sa dhe erdhi. Edhe me aq mbeta i kënaqur. Vendosa, përfundimisht, të qëndroja në ishull. I thashë edhe Idës. Ajo e priti disi me dyshim.

”Mendon se do bjerë shi dhe do ketë kërpudha?”, pyeti Ida, duke u mundur ta fshihte dyshimin.

“A e dëgjove çfarë tha?”, ia ktheva edhe unë përgjigjen më me peshë të mbarë ishullit, për këdo që mundohej ta vinte në dyshim fjalimin e Timit.

Nuk foli më, por m’u duk sikur nuk e hoqi dyshimin.

Pazari filloi të vlonte nga njerëzia. Vraponin me tezga në krahë, duke i vendosur gjithandej, sa as këmbën nuk mund ta vije kund. Ata që nuk kishin siguruar tezga, zinin vendet duke vendosur mbishkrimin ”Rezervuar”. Aty ku përfundonte pazari dhe fillonin magazinat, filluan të vendosnin tabelat me emrat e kompanive të reja. Rrugëve rreth e përqark ishullit zhurmonin kamionët, duke reklamuar emrat e kompanive të reja të transportit. Anijet me vela, me logot e kompanive të sapokrijuara, ndalonin për pak kohë pranë portit dhe pastaj, plot madhështi, largoheshin deri sa humbnin prej syve për ta përshkuar ishullin rreth e përqark. Ndërsa, para dyerve të regjistrimit të bizneseve, njerëzit vazhdonin të prisnin në radhë. Ata që regjistronin bizneset e tyre, shpallnin se kërkonin punëtorë. U mbushën shtyllat, muret, qoshet me shpallje të tilla.

Të gjithë kërkonin punëtorë!

Në muret e ndërtesave të larta në ishull filluan të shpaloseshin portretet gjigante të Timit. Portretet e tij të porositura, që u sollën po atë ditë, u shitën ende pa kaluar as edhe një orë dhe u vendosën në çdo shtëpi. Debatet e pafundme televizive për fjalimin e Timit zgjasnin me orë të tëra. Madhështor, historik, vizionar – ishte konstatimi i të gjithëve, pa përjashtim. Televizionet shtuan me dy të tretat kohën televizive për reklama. Veç një gjë ra në sy të pakkujt, por që askush nuk e zuri në gojë: meteorologët, që kishin kohë të gjatë televizive, nuk u dëgjuan më! Edhe nëpër gazeta nuk po shkruhej më për parashikimin e motit!

Mbeta pa punë!

Kisha humbur në gjithë këtë pakuptimësi që më përshkoi aq shpejt e papritur, kur një burrë, i cili u prezantua si ish-banor, larguar nga ishulli para disa vitesh, më tha:

“A je banor i Ishullit të Kërpudhave?”.

Ishte hera e parë që dëgjova që dikush e quajti “Ishulli i Kërpudhave”. Ndoshta kështu quhej.

“Po”, ia ktheva.

“Unë po kërkoj shtëpi me qira”, tha burri.

Tashmë nuk kishte mbetur banesë pa qiraxhi në ishull. E fundit ishte shtëpia ime. I thashë se së pari duhet të pyesja gruan e pastaj mund të flisnim. Sa për qiraxhi, as Ida nuk kundërshtoi, por kërkoi që pagesa e qirasë të bëhej menjëherë, për një muaj. Burri që tha se quhej Dedë, jo vetëm që bëri pagesën, por mbeti tejet i kënaqur.

“Ta blejmë edhe ne një kënd në pazar me paratë e qirasë?”, pyeta Idën.

“Jo!”, tha dhe nuk foli më.

Duke pritur shiun, erdhi taksambledhësi.

“Taksat për katin që keni lëshuar me qiraxhi”, tha dhe më lëshoi në dorë fletëpagesën.

U shtua edhe një taksë më shumë, pos taksës për shiun, për kërpudhat, për tezgat, për shtëpitë, për parashikimin e motit… “Shyqyr që nuk iu kujtua dikujt të nxjerrë edhe taksë për diellin a për hënën”, mendova me vete, derisa shlyeja pagesën.

Shi nuk ra, por Timi erdhi përsëri edhe këtë të premte dhe vazhdoi ritualin e tij me frazën e famshme: “Prisni se shi do të bjerë!”. Ngrita sytë nga qielli, por re nuk pashë askund. U bëra gati ta pyesja se kur pritej të binte shi dhe a do të kishte kërpudha, kur tre burra, veshur me të zeza, më shtynë dhe sa çel e mshel sytë e pashë vetën në fund të turmës.

“Ky qenka i çmendur”, tha njëri.

“Nuk jam çmendur”, desha të mbrohesha, por zëri nuk më doli.

Të tjerët më panë dhe heshtën. U ndjeva shumë më keq sesa të më kishin shkelmuar të gjithë me radhë. Sa shumë do të doja të më qëllonin atë çast, me çfarë e ku të mundnin, pa mëshirë. U luta të më binte të fikët! Të mos shihja askënd, të mos dëgjoja asgjë. Si nuk më shtynë të rrëzohesha, të më shkelnin, të më thyheshin brinjët, të më shtypej koka, të më thyheshin këmbët. Të më mbysin! Më mirë të më mbysnin sesa të më quanin ”i çmendur!”. Pastaj më erdhi të bërtisja, të ulërija aq fort sa të më shteronte zëri, të mos mundesha të flisja më, të më shurdhoheshin veshët.

Isha ende aty në fund të turmës e më dukej se mbeta këndej dhe turma në anën tjetër. Për një çast, gjithçka më doli duarsh! Nuk e di a iknin prej meje apo vraponin pas Timit. Ika edhe unë! Ikja prej turmës, a prej vetes?!

Në shtëpi, Deda, që po mblidhte rraqet e veta, tha: “Nuk jetohet nën një kulm me një të çmendur!”.

Lajmi tanimë kishte marrë dhenë. Ndërsa Ida më pa me dyshimin e fillimit dhe sikur deshi të më thoshte se kishte pasur gjithmonë një parandjenjë të keqe.

“Ikim edhe ne”, tha, duke më rikujtuar dyshimin e saj.

“Ndoshta… ndoshta jo”, ia ktheva.

Nuk e di a e mendova vërtet atë që thashë. Gjithmonë më kanë impresionuar gjërat që kurrë nuk kanë ndodhur. Shumë-shumë tri ditë i ka çuda, pastaj harrohet. Këtë ia thashë edhe Idës. Ajo më vështroi dhe më tha:

“Mendon se ka gjëra që kurrë nuk kanë ndodhur dhe ti i di?”.

Ida u largua, Deda iku, por nuk mbeta vetëm. Nëse dikush më kishte përcjellë apo më kishte pritur, nuk e di si, por praninë e ‘dikushit’ po e ndieja ato çaste.

“A më ke përcjellë, apo më ke pritur?!”, mbase e çudita edhe atë se si po ia ndieja praninë, edhe pse vërtet nuk pashë askënd.

“As të përcolla, as të kam pritur! Dola nga e vërteta ime dhe nga vegimet e mendjes sate. Duket interesante të dalësh jashtë e të komandosh brenda!”, ma ktheu zëri, por u shfaq askund.

“Vërtet ata më konsideruan të çmendur, por të garantoj që nuk jam i tillë, edhe pse do doja të isha”, ia ktheva me një farë bindjeje, gati bizare.

“Për çfarë të vërtete po flet Istref? E vërteta nuk ekziston pa mua ose e vërtetë është vetëm ajo që unë them se është e vërtetë!”, tha zëri, që ishte një lloj përzierjeje mes turmës dhe fuqisë mbi turmën.

Nuk pyeta se kush ishte dhe a ishte i vërtetë, meqë nuk po e shihja. Nuk kishte as kuptim të dyshoja në vërtetësinë e asaj që po dëgjoja, sepse unë po e dëgjoja. Që ishte një zë, ishte një zë dhe që po e dëgjoja, po e dëgjoja, pra ai duhet të ishte i vërtetë ose është i vërtetë.

“Timi tha se shi do binte; a po bie shi Istref?”, tha zëri.

“Jo”, ia ktheva.

“Gabim, tepër gabim!”, tha ai dhe pata ndjesinë se vështroi prapa. Pastaj turma, e cila nuk u pa prej kah doli, u turr mbi mua duke më shkelur me atë turrin prej kaut të tërbuar. Shkelnin mbi mua, shkelmonin ku mundnin për të shkaktuar dhimbje, por jo vdekje. E pata kërkuar vetë disa çaste më herët dhe ja ku më erdhi.

“Istref, tani a po bie shi?”, tha përsëri zëri, që pa fije dyshimi ishte i njëjti.

Sytë më ishin turbulluar, eshtrat sikur më ishin shkapërderdhur sa andej sa këndej dhe po mundohesha t’i mblidhja, por shiun as po e shihja, as po e ndieja.

“Nuk po e ndiej”, ia ktheva.

“Shumë gabim, jashtëzakonisht gabim!”, tha dhe përsëri bëri me shenjë nga turma, e cila u kthye përsëri.

Dhe përsëri më shkelën, më sakatuan, më shkaktuan dhimbje të padurueshme, por nuk më vranë. Pika si të shiut m’u shfaqën në sy e trupi sikur po m’i ndiente ato pika.

“Po tani, a po bie shi?”, pyeti sërish zëri.

“Shi!”, thashë, por nuk pohova apo mohova. As zëri nuk insistoi më tutje.

Sytë vazhdonin të më shfaqnin pika shiu, trupi sikur i mblodhi eshtrat pa e ditur a ishin thyer, a ishin në gjendje për ta mbajtur mishin. Fillova t’i harroja dhimbjet, t’i kthehem të vërtetës. Ta pranoj se mendimi për të ikur ishte i gabuar dhe ngjante me të “çmendurin!”. Fillova të kuptoja që dyshimi ndaj Timit ishte krejtësisht i tmerrshëm. Ata ose ai ishin shpëtimtarët e mi. U ngrita duke e mundur dhimbjen dhe fillova t’i falënderoj të gjithë me radhë dhe një nga një. Ashtu siç duhet falënderuar ai që të ka krijuar. Dëshiroja që edhe një herë të kthehej turma, sepse doja ta largoja përfundimisht dyshimin se mos ish vetëm një ëndërr. Iu luta edhe zërit:

“Kthejeni edhe një herë turmën, le të më shkelë, le të më shkelmojë për vdekje!”.

“Jo, nuk jemi të interesuar të vrasim, sepse si i vdekur mund të krijosh një të vërtetë tjetër, që nuk është e jona. Nuk jemi të interesuar të të bëjmë hero. Veç heronjtë nuk janë e vërteta që ne kemi krijuar”, tha zëri.

“Heronjtë, të vdekurit!”, thashë me gjysmë zëri, “Sikur të isha edhe unë!”.

“Ideja e kundërshtimit edhe kur është e papushtetshme është e rrezikshme!”, tha përsëri ai, që për herë të parë nuk e konsiderova më zë.

“Po ti, a do të më vrasësh?”, pyeta më shumë për kureshtje, por isha i sigurt se nuk donte që unë të bëhesha hero. Ai ishte vetë hero.

“Jo pa qenë fare i pastër nga dyshimet që ke pasur. Së pari duhet të të heqim çdo dyshim për Timin, për të vërtetën… pastaj edhe mund të të vrasim!”, tha ai.

Isha i sigurt se nuk do të largohej aq lehtë nga unë, ndonëse pranova që Timi kishte të drejtë, kisha gabuar që kisha vënë në dyshim madhështinë e fjalimit të tij.

“Pra, a po bie shi tani, Istref?”, më pyeti.

“Po!”, thashë, pa krijuar kurrfarë dyshimi tek ai.

“A ka kërpudha?”.

“Po!”.

“Siç e sheh Istref, Timi nuk ka qenë i çmendur! Ti po!”, tha ai.

Ai fliste. Ia ndjeja praninë, por nuk e shihja. Po fshihej, apo thjesht unë nuk mund ta shquaja? Pastaj fillova t’i krijoja portretin, pamjen dhe qëndrimin – rrafsh, si secili banor i mundshëm i ishullit, mendova me vete, por sigurisht që po gabohesha. Në një moment ndjeva se i vinte era kërpudha. Mbase ai kish mbledhur kërpudha, sepse ai nuk kishte dyshime për shiun, sikur unë. Mbase për të kish rënë shi, kishin dalë kërpudhat, i kish mbledhur, madje mund edhe t’i kish shitur.

“Ti, a je i vërtetë, sikurse unë?”, e pyeta duke menduar për praninë e tij fizike, sepse, sa për atë që thoshte, nuk kisha kurrfarë dyshimi.

“Po, i vërtetë, por jo si ti, sepse ti nuk je i vërtetë, Istef!”, tha ai.

Jo që binte shi, por binte aq shumë, sa rrugët e ishullit ishin kthyer në lumenj. Lundronin tezga, tabelat me logo të kompanive, peshore, arka fiskale, vela anijesh, sëndukë plastikë, thasë, makina llogaritëse, por nuk pashë njerëz të vraponin për të shpëtuar ndonjë gjë! Ata kishin marrë kodrat për të shpëtuar veten. Vraponin pa kthyer kokën prapa. Edhe pleqtë e të sëmurët. Madje, shpesh ata u prinin të tjerëve. “A ishin këta që më shkelën?”, mendova me vete kur më kaluan afër, pa më vënë re fare. Disa kishin ngarkuar ushqime në shpinë, por as që e ndienin fare peshën e tyre.

Ishte edhe plaku Sheqë, i cili, deri para një jave, kish lënguar për muaj të tërë në shtrat, por tani ecte në krye të kolonës. Edhe Deda ishte atje. Kishte marrë me vete portretin e madh të Timit, të cilin, sapo kishte hyrë me qira në shtëpinë tonë, e kishte vendosur përballë derës kryesore.

“Ata po vrapojnë të gjejnë veten e tyre në të ardhmen!”, tha ai, që ose kishte qenë gjithë kohën me mua, ose ende po më vëzhgonte. Ndoshta ende nuk qe bindur për ndershmërinë time ndaj së vërtetës dhe Timit.

“Po ti pse nuk shkon me ta?”, e pyeta, por mendjen e kisha ende te dyshimet e tij për mua.

“Sepse ata, sapo ta gjejnë veten, do vijnë ta dorëzojnë tek unë!”, ma ktheu.

“Po kërpudha do mbledhin dhe do t’i dorëzojnë ty?!”.

“Jo, Istref, pasuria nuk do të thotë absolutisht asgjë. Ata që janë të pasur s’do të thotë se mund të jenë të lumtur nëse nuk janë me ne! Ndërsa të varfrit afër nesh shtiren si të lumtur edhe pse nuk janë. Askush nuk është i lumtur, Istref, por kjo nuk ka kurrfarë rëndësie! Aq më bën nëse ata janë të pasur apo të varfër. A i ke parë? Të gjithë vetëm për ne flasin! Kjo është e rëndësishme, Istref! Nëse janë të pasur, mund të pasurohen edhe më shumë, nëse janë të varfër le të varfërohen edhe më shumë, kjo nuk ka pikë rëndësie. Të vërtetë janë ata që presin hiç më shumë se një fjalë prej nesh, edhe pa marrë asnjë kompensim, të uritur e pa një qindarkë në xhep. Këta janë të vërtetët! Jo vetëm kaq, Istref: të vërtetët tanë janë në gjendje edhe të vrasin për ne, edhe të vdesin për ne. Edhe kur të vdesin, ata do flasin veç për ne, se si ishim të papërsëritshëm! Janë gati të flijohen për ne!”, tha ai.

Thashë të provoja si janë ata të vërtetët:

“Më thuaj çfarë të bëj dhe do ta bëj, por nuk dua të jem i pavërtetë në këtë ishull”.

“Jo, Istref, mos ki frikë, ti nuk je ndryshe të tjerëve. Askush në këtë ishull nuk është tjetër lloj, sepse unë jam mendja juaj! Unë jua kontrolloj mendjen. Prandaj nuk është e nevojshme të bëni asgjë, sepse unë jam mendimi juaj. A e ke vënë re si i harroni të gjitha, por jo mua?”, tha ai.

“Tim, ti je?!”, gati më ra të fikët. A mund të ishte Timi ai që po fliste me mua?!

“Nuk ka rëndësi kjo, Istref. E rëndësishme është se ty nuk të kujtohet asgjë para meje, hiç asgjë, dhe hiç asgjë tjetër nuk do të të kujtohet edhe pas vdekjes sime! Asgjë! Ti do të flasësh veç për mua gjithmonë!”, tha Timi ose që mund të ishte Timi.

Timi kishte të drejtë! Shiu ra sepse Timi tha, kërpudhat dolën sepse ai tha, pazaret u bënë sepse ai tha, turma më shpëtoi nga të qenit i çmendur sepse Timi u tha dhe… pra ajo që asnjëherë nuk ka ndodhur nuk po ndodhte ende ose nuk do të ndodhë kurrë! Mundet që Timi dëshiron të ndodhë gjithçka, pastaj askush nuk beson në atë që asnjëherë nuk ka ndodhë.

I vetmi njeri që kishte një kërpudhë në ishull isha unë. Timi ma dha. U bëra me kërpudhë, por e humba aftësinë për të qenë i vetmi njeri që i mban mend gjërat që asnjëherë nuk kanë ndodhur. Edhe për këtë, Timi kishte vendosur!

Ajo që asnjëherë nuk ka ndodhur, nuk e di a do të ndodhë, a mund të ndodhë?!

A u kthye turma, ej?

Autori
Sevdail Zejnullahu
Mësues | [email protected]

Zejnullahu, poet kosovar me banim në Malmö, Suedi, ka studiuar Letērsi dhe Gjuhē Shqipe në Universitetin e Prishtinēs. Ka botuar vëllimin poetik "Çelēsin varur ne qafē". Është vlerësuar disa herë si fitues në festivalin e poezisë dhe muzikës në Malmö.