Press "Enter" to skip to content

Nga mitra e dheut – poezi

Nga mitra e dheut

Dhembja e ringjallur vrujon
nga mitra e dheut
Shungullojnë thellësitë:
Durim… Durim…
të mos erret udha
t’u hapë shtigje të paudhëve

Durim! Uturin thirravajshëm Nëna
Durim tej durimit
se nata është e stërgjatë
e drita e agut ka zënë diku në thua

Durim! Përbejnë ninullat
Përben Syri i Mirë
që lë shtigje të ndriçuara
t’i theqafë të pabesët

Durim! Kullon qumështi
i gjirit të gulçuar
të mos gufojë gjaku nga dejt
Nga mitra e dheut
gulon urtia:
Durimi ka kufi

Banorët e qytetit tim

Dielli mbi Pashtrik
i zjarrtë
përgjak qiellin e dridhmuar
Qytet i ndriçuar i udhëkryqeve
ç’festë feston?
Mirë e di se fitorja s’vjen
pa gjak e gjakderdhje –
thellë në tokë janë
nisma që s’u harrua kurrë
e vajtimet e nemitjet
që s’i zunë dot arkivat
Sa foshnje i ke gurthemel

Qyteti im
Sa nëna i ke varrosur
në flijim
Sa palë sy t’u mbyllën
duke jermuar ujin e Shatërvanit
që robëron shpirtin
kudo e kahdo që të jesh
Mbi çdo rrugë e rrugicë
u rrijnë mbi kokë
frymët e frymëmarrjet e kohërave
që shtrihen të shtrira
me Urti mbi supet
e gjumit të shkëmbinjve
e flauron mbi lerana
Qetë shfletohet libri i kohës
se
monumentet janë guri
dhe buka
djersa
dhe shpresa
e banorëve të qytetit tim

Sunduesit, po,
i merr furtuna
Dielli shikon në perëndim
se si vdekjen e mashtron.

Autori
Edi Shukriu