Press "Enter" to skip to content

Rranjët – poezi

Rranjët

Rranjët rriten natën me Hanë,
Mprehin majat e holla e nuhatin
Tokën e butë me gjuhë.

Pastaj ngulen pingul, e kafshojnë
Amëlsisht humusin e ligatës.

Rranjët ndahen në një mijë fije,
E tokën e përpijnë tan’ dashni,
Tuj shijue ciklin e Hanës.

Rranjët nuk ofshajnë prej qejfit, si njerëzia
As nuk qajnë me lot nën dhe të zi.

Rranjët e përmbushin ekzistencën,
Prej dashnie.

Pranverë

Unë e di se si vjen pranvera,
E mbaj mend si sot, pesë vjet i kam pas,
Në rrgajën me dushqe mbas Sukës,
Bora pa u dej’ – lara-lara.

Atë ditë, Dielli kish lshue do rreze t’arta,
E toka pat’ fillue me u shkrydhë
Dushqet e mërdhime,
Filluen me nxjerr sythat para syve të mi.

Nuk e besoni? Unë e mbaj mend,
Krejt rrugën e Diellit,
Prej rrezes parë kur zani i nanës
M’i puthte sytë.

Mali përball tana herët ka pas një ushtimë,
Që nuk e nigjojshin krejt njerëzia.
Mue ma pat’ msue baba qysh me e njoftë
Ushtimën e Malit.

Baba më tha: shikoje Malin përmidis.
Aty ku lisat rrallohen. Mos merr frymë.
E mbylli sytë.

Unë e di qysh vjen pranvera, nuk mund t’harroj.
Qysh dushqet i qitshin sythat para syve të mi.

Caku

Qysh dhembin brinjët ju nuk e dini,
Pesë centimetër nën lëkurë asht bërthama e majtë,
Prej ku nisi grima e dhimbes t’kadaltë,
Si guri nën dhe.

Herë-herë t’thekatë me spazma t’llahtarta,
Por unë nuk tutem prej ndjesive t’kota,
Që thyejnë sa’ora zemrat e dobëta.
Ndër ne.

Pastaj – kam mbledhë pak smerald t’zi
Që ndryjnë ndërveti drita t’lazdrueme,
T’mbledhuna prej fëminisë t’pikturueme,
Me fjalë.

Unë nuk tutem prej dhimbave; e vazhdoj traditën,
Me u trusë diku n’qoshen teme, pa fjalë.
Duke nxjerrë prej brinjëve pykat e saj,
Me gjenin tem idhnak.

Unë e di se jam burri i dheut,
I lindun prej pluhunit kozmik.
Që Zoti m’krijoi açik,
E më nxori në cak’.

Stacionet e qyteteve të vogla

Ajo u kthye vrik’ sa’ora u shfaq mugtina,
E në sytë e saj u ulë një flutur bore.

“Qyteti ka shumë borë, e sonte unë do bie,
Si bora e çative në prag. Polici nuk e kupton,
Se unë këtu do mbetem, bash në këto shina.”

Puliti sytë. Frymëmarrja e fundit erdhi,
E thellë si gjama e Saharasë. Pastaj,

“Ky është hapi im. Ti nuk ma refuzon dot.
Askush nuk mundet”.

E hodhi hapin e fluturat e borës
U shpërndanë si pluhur suferine.

Treni i orës 12 pa 10 nuk ndalon,
Në stacionet e qytezave të vogla.

7 Mars 2018

Shënim: Lajmet lokale folën për motin, për një kaproll të vrarë nga një kamion, si dhe për një koncert që do të mbahet në qytezën tonë nga Partia Radikale. Incidenti i ndodhur në Stacionin e Trenit, në 12 pa 10 me orën lokale, nuk u pasqyrua as në gazetën e qytetit.
Natën e mirë!

Pika e fundme

Perimetri nuk ka anë, ashtu siç mendohet rëndom,
E mendimi vështirë të konceptohet ndryshe,
Përveçse në formë të pakufizueme, përtej cakut ku mendja mund të shkojë,
Në Pikën e Fundme, ku përthiten të gjitha rrezet e Dritës.

Unë udhëtoj shumë, zakonisht nisem mbrëmjeve të vona,
Atëherë kur qetësia merr fuqi magjike;
Rregulloj flokët, vishem bukur, vë papion blu.
Marr shkopin e thanës e ia hypi fluturakut njëbrirësh.

Kam dashtë gjithmonë të jem materie e bardhë,
Në formë grimcash – ma të vogla se fotoni.
Sepse kështu mundem me hy kudo, për hatrin tem,
Pa shkaktue trazira sociale ndër udhëtimet e mia.

Nuk mjafton të kaloj nëpër grimca; unë hy brenda,
E vëzhgoj me nge limitet e pakufizueme,
Që kanë përthithë të gjitha ngjyrat
E Universit.

Grima e vogël

Në grimën e vogël të kthesës së murrme,
Me frymën e thellë të thelbit tragjik,
Lëviz mbi qerpik pak pluhur i verdhë.

Në mal bie ylli i fundit atë natë,
Pranë grimës së vogël, në malin e rrallë.

Të heshtur, pa frymë janë gurët e drurët,
Një djalë syjeshil lëkundet në degë,
Pamja trishtohet vetiu në harresë.

Nuk ka asnjë perde, koha ndalon,
As drita nuk bie, as nata nuk vjen.

Të mbushësh pesë gishtat e dorës me dhe,
Të heshtësh së mbrami si guri në varr,
Të bësh dashuri me tokën, ngadalë.

Në degët e lisit varur një emër,
Si zog i murosur këndon bukurinë,

E heshtjes së gjatë – se koha ndaloi,
E zërat nuk bien nga qielli gjithmonë.
I fundit ra ylli në malin përballë.

(Shkëputur nga cikli i plotë botuar në Revista Letrare – Verë 2023. E gjeni kudo online, si dhe në librari “Bukinisti”, në Tiranë)

Autori
Erl Kodra