Press "Enter" to skip to content

Gruaja me fustan mëndafshi (poezi)

Gruaja me fustan

Fytyra tregon detajet
e së vërtetës tënde:
Rrudhat e holla janë gjurmët
e luftërave të tua
rrudha të forcës
faqet po të treten
nofulla krenare
është korniza e fytyrës
ku shndrisin ata sy të mprehtë prej fëmije
edhe e qeshura është feminore
por ti nuk qesh thuajse kurrë
dhe e mban sekret atë dritë
që të ndez portretin
sa herë ti buzëqesh

edhe thinjat duken qartë

dhe vetëm kur dielli i fortë i gushtit i ndriçon
lëkura e bardhë si fildishi
është harta që më drejton
për atje ku je nisur

por je lodhur
nuk përpiqesh të ma fshehësh
grua, vajzë
pastaj grua përsëri
ditët janë kokrra gruri
thinjat – krehër i bardhë i ekzistencës

e bukura grua,
ti je këtu më shumë se çdokush
e pranishme
je identiteti i vetëm i këtij qyteti
që më kot ngrihet rreth teje
më kot e zbukuron atë hapësirë
që vetëm ti arrite ta tjetërsoje

Qiell i kuq nate

Do përloten sytë tanë,
por unë do t’i mbledh lotët
dhe me to do e pikturoj qiellin,
do ta kthej në një qiell të kuq dashurie
e me aromën e atyre netëve
do t’i deh edhe engjëjt,
parajsën do e mbështjell
me parfumin që ti le pas.

Imazhi yt përplaset tek unë përsëri,
si stuhi kundër anijes.
Çfarë torture!
E vetmja gjë që shoh je ti,
o grua e veshur me mëndafsh!

Qiell i kuq nate,
të gjithë ngjyrat e natës
fshihen në atë rrobë mëndafshi.
Dëgjoj përsëri zërin tënd kur më thoshe:
– E vetmja gjë që kemi
është kjo që kemi tani!…

 

Verë e kuqe

Sepse vetëm e kuqe mund të jetë vera
e ëndërrimtarit
që ulet në një cep trotuari
e improvizon batuta
teksa pranvera
i bën muret dhe qoshet
të qeshin
mbi muret e bardha
kacavirren lulet e buta
dhe është më e lehtë
të duash më fort

Qyteti i përket ëndërrimtarit
për të parën herë
e nga kthesat e ngushta
veshët e tij
vjedhin notat e para muzikore

Edhe shpirti i tij
ai shpirt i lirë
këndon

Ëndërrimtari shëtit
dhe vazhdon këngën e tij
një këngë që askush
nuk arrin ta dëgjojë
së bashku me të
lëviz edhe qyteti

Janë të dy një film i heshtur

Autori
Eir Plasari