Press "Enter" to skip to content

Unë jam, por… – Bisedë me Rezarta Reçin

Emri i Rezarta Reçit mban dhe do të mbajë të njëjtën peshë dhe dritë edhe pas largimit të saj nga jeta. Karrierën e nisi në Radio-Tirana, por më vonë, përmes ekranit, u bë një nga zërat më të veçantë të intervistave me emisionin “Arratia e peshkut të kuq”, ku u rrëfyen personalitetet e artit, kulturës dhe jetës publike shqiptare. Shumë prej këtyre intervistave do shërbenin më vonë si një lloj tjetër “arratie” për Rezin – siç e thërrisnin njerëzit e dashur, miqtë dhe të njohurit. Rrëfimet më të bukura dhe më të ndjera të atyre që tashmë nuk i përkisnin më jetës fizike në tokë, ajo i përmblodhi në librin “Në arrati me shpirtra që nuk shuhen”, duke i përjetësuar përgjithmonë edhe përmes shkrimit.
Dy romanet, “Kolonë zanore” dhe “Zhbërja”, i shkroi dhe botoi gjatë një periudhe tepër të vështirë për të. Qe e mbrujtur me të bukurën dhe dashurinë për jetën, njerëzit, profesionin, por para disa vitesh fati e sfidoi tepër ashpër. Dhe ajo, fillimisht, vendosi ta “sfidonte” mbrapsht këtë fat me heshtje dhe dorëzim, por dashuria, që nuk e braktisi kurrë, e ktheu në luftëtare kundër kancerit të gjirit, për të cilin foli edhe publikisht, duke e shndërruar përvojën personale në thirrje për ndërgjegjësim dhe kujdes. Edhe aty mbeti e njëjta: e ëmbël, e kthjellët, e përmbajtur, por mbi të gjitha e vërtetë.
Më 1 shkurt 2026 e humbi luftën përgjithmonë, por me dinjitetin dhe integritetin e një gruaje të rrallë.
Intervista e mëposhtme na rikthen sot te një copëz jete e Rezartës së rreth katër vjetëve më parë, si një formë respekti, mirënjohjeje dhe nderimi për gjithçka na fali dhe la pas me punën, përkushtimin, veprën dhe ndikimin e saj në shoqëri.

Unë jam, por vetë Shqipëria, realiteti shqiptar të vë në shumë vështirësi nëse ti nuk ke materialisht, por ke shpirtërisht.
Kërkova të më ndihmonin të shkoja në Zvicër, ku eutanazia është e ligjshme, një fund që, të them të drejtën, akoma e parapëlqej, në vend të përballjes me një fund plot vuajtje.
Nuk i lutem zotit të më shpëtojë; kam një lutje tjetër, që e kam veç për vete e nuk dua ta ndaj me kënd.

Dritan Kiçi: Mes materiales dhe shpirtërores, ku e gjeni veten më mirë?
Rezarta Reçi: Realisht e gjej veten te shpirtërorja. Por në Shqipëri gjendesh para dilemës: të kesh, apo të jesh? Unë jam, por vetë Shqipëria, realiteti shqiptar të vë në shumë vështirësi nëse ti nuk ke materialisht, por ke shpirtërisht. Sepse e tillë është ndërtuar struktura e jetës shqiptare, e mendësisë shqiptare dhe e të jetuarit përditë në Shqipëri. Megjithatë nuk kam se si heq dorë; ndoshta dhe për shkak se kam lindur në mars dhe i takoj shenjës së peshqve dhe se prindërit kanë ndikuar në formatimin tim që të jem kjo që jam, ndaj e pranoj si pa zgjidhje këtë situatë.
Dritan Kiçi: Është pak vështirë të jetosh në Shqipëri me shpirtëroren. Kam vite që kam ikur, por është përsëri i njëjti popull i lidhur pas makinave, pas vilave, pas pushimeve… Si e ndjeni veten kur përballeni me këtë realitet, që të ndrydh me sipërfaqen e tij?
Rezarta Reçi: Realisht është pak e vështirë. Kur kam realizuar “Arratinë e peshkut të kuq”, më është dashur të shkoj nga një shtëpi në tjetrën. Ka pasur personazhe që i kam intervistuar edhe dy herë për atë që kanë sjellë. Kam parë edhe ndryshimet në shtëpitë e tyre; edhe kjo është një gjë e mirë, kur njerëzit rregullojnë mirëqenien e tyre, por i kam qëndruar larg atyre që i arrinin gjërat me një “shkop magjik” të çuditshëm apo njerëz që vlerësonin më shumë se gjithçka veshjet e tyre firmato, por që, kur hapnin gojën, të zhgënjenin me formimin që kishin. Realiteti shqiptar të vë vazhdimisht në sfida të tilla, por kam zgjedhur të bashkëjetoj me këtë realitet e të mos sfilitem. Nuk e di sa na ka ndikuar ajo që na kanë dhënë prindërit: “Mos u mbaj se ke, por mbahu se je”. Kjo është ngulitur brenda meje dhe them se ata që i kanë dhe i kanë fituar me punë të pastër janë me fat dhe e gëzofshin, por ndryshe nga bota, në Shqipëri është shuar shtresa e mesme, që mendoj se i përkas, e atyre njerëzve që jeton me të ardhurat që krijon me intelektin dhe punën e ndershme. Shohim shumë të pasur, që pasurinë e kanë vënë zakonisht me korrupsion e mashtrim dhe shumë të varfër, që nuk sigurojnë dot as bukën e gojës e të bëjnë të ndihesh keq.
Dritan Kiçi: Çfarë mendoni se lë një person pas kur ikën nga kjo botë?
Rezarta Reçi: Asgjë tjetër përveçse një emër dhe vepër të mirë. Por, në kontekstin që flasim, mund të themi: kujt i duhet emri, kujt i duhet ajo që ke kontribuar? Mendoj se shpesh, kur shoh regjistrimet e “Arratisë së peshkut të kuq”, me personazhe që kanë kontribuar për dekada si intelektualë dhe me shtëpitë e tyre të qeta që kanë mbetur ashtu siç ishin ndërtuar në kohën e komunizmit, i shoh që rrëfimet e tyre kanë mbetur me atë zjarrin e sinqertë të dikurshëm dhe me dilemat se çfarë mund të kishin bërë ndryshe në jetën e tyre. Kjo është tipikja e përballjes me realitetin shqiptar. Megjithatë jam e bindur se secili prej tyre përfaqëson një bletë punëtore, që punon pa u stepur nga ashpërsia e realitetit që ofrohet, sepse dëshiron të lërë diçka pas; të kontribuojë në të ardhmen e vendit dhe ikën nga kjo jetë me idenë se me vete merr veç emrin e mirë që ka lënë. Megjithatë, vlerën e gjithë kësaj sakrifice do ta tregojë veç koha.
Dritan Kiçi: Në punën tuaj keni intervistuar shumë nga ata që në Shqipëri i konsiderojmë “vipa”. Keni pikasur ndonjë tipar kryesor të këtyre njerëzve, që zakonisht veç shtiren? Sepse të gjithë thonë se në konkurset e letërsisë fitojnë ata që nuk dinë të shkruajnë shqip; në muzikë nuk fitojnë ata që kanë zë, por ata që kanë dy para më shumë e kështu me radhë. Keni nxjerrë ndonjë konkluzion pas këtyre qindra intervistave?
Rezarta Reçi: Kam intervistuar zakonisht njerëz me kontribute në fushat e tyre, por kam pasur raste të përballem edhe me “vipat” që thoni ju, që shisnin mend dhe pastaj nuk kishin as para të paguanin kafen e vet. Jam përpjekur t’i rri larg kësaj kategorie njerëzish. Jam lodhur shumë dhe fakti që intervistat kërkohen e shihen akoma, më bën të mendoj se ata që kam pasur të ftuar kanë qenë njerëz me vlera. Kur e mbylla emisionin, Natasha Lako më pyeti nëse po më “mbysnin” telefonatat për të më marrë në televizionet e tjera. Asnjë i thashë. Nuk kam asnjë kërkesë për punë. Natasha shtangu dhe më ngushëlloi me idenë se askush nuk do modele vlerash, por diçka të përciptë. Mendoj se gjithçka në Shqipëri po shkon drejt kësaj. Jemi një shoqëri pa modele, ku njerëzit shtyhen të mos mendojnë e të mos mësojnë se si të mendojnë.
Dritan Kiçi: Dua t’ju sfidoj pak. Këta njerëz: mjekë, regjisorë e intelektualë, që ju i konsideroni me vlera, janë në fakt ata që e kanë lënë shëndetësinë dhe artin e Shqipërisë për ibret. Këta njerëz që i konsiderojmë si liderë të fushës përkatëse; këta mjekë, arkitektë, artistë e regjisorë, për mendimin tim mbajnë fajet më të mëdha për shmangien e vlerave të vërteta, sepse vetë këta reflektojnë këto vlera jo të mira. Mendon se kjo deklaratë është e vërtetë, apo e gabuar?
Rezarta Reçi: Realisht, koha që jetojmë i ka vënë artistët, shkrimtarët dhe të gjithë në një sforco të madhe për të qenë vetvetja dhe për t’u integruar në ekonominë e tregut. Shumica jonë ishin të papërgatitur për t’u përballur me këtë transformim. Temat në Shqipëri janë gëluese; realiteti shqiptar të ofron pa fund, por varfëria materiale, që është shumë e ndjeshme, sidomos te shtresa e artistëve, ka ndikuar edhe në boshllëkun shpirtëror dhe krijimtarinë që duhet për t’u përqasur me zhvillimet mbarëbotërore ku gjithçka ka ecur, ndërsa ne habitemi e pyesim se çfarë ka ndodhur me ne. Për mua kjo është një nga arsyet se pse ne nuk arrijmë të japim shumë, në çdo fushë. Kemi pasur suksese edhe në këtë kohë, por janë shumë të pakta. Zakonisht lexoj shumë dhe shoh se jashtë njerëzit mësojnë të shkruajë, kanë një shkollim të veçantë për këtë dhe autorët dinë të shkruajnë atë që kërkon lexuesi. Bota ka kurse trajnimi dhe shkolla për këtë, kurse ne jemi të prapambetur dhe këtu fus edhe veten dhe krijuesit në përgjithësi. Megjithatë mendoj se janë shumë 30 vjet peng i kësaj padijeje dhe pazhvillimi, por brezat pas nesh do arrijnë zhvillimin e botës dhe përsosjen e cilësisë letrare.
Dritan Kiçi: Cili është shkrimtari juaj i preferuar tani?
Rezarta Reçi: Realisht jam e dashuruar me Murakamin. Nuk e di pse më pëlqen letërsia që ai bën dhe gjendja në të cilën më fut. Ia kam lexuar të gjithë librat. Më ka tronditur edhe Filip Roth, me të vërtetat e tij të jashtëzakonshme, të thëna troç. Por edhe në shqip, kur ndesh ndonjë shkrimtar të mirë, them: sa mirë që letërsia nuk ka mbaruar!
Dritan Kiçi: Në një temë më personale: vitet e fundit jeni përballur me kancerin e gjirit. Kur e mësuat herën e parë, a menduat se ky është fundi? Si u ndjetë?
Rezarta Reçi: Pata fat ta kapja shpejt, por gjithnjë kisha menduar se po të më ndodhte nuk do i nënshtrohesha kurrë kimioterapisë, sepse ata që e kanë vuajtur këtë kalvar, më kanë rrëfyer për mundimet që duheshin bërë për t’u përshtatur me të. Kjo më bëri dhe ta ndërpres emisionin dhe vendosa të strukesha në shtëpi, të lija gjithçka të rridhte ashtu si do vinte, pa luftuar. Im shoq e kuptoi se diçka nuk shkonte në shëndetin tim dhe angazhoi familjen dhe miqtë të më ndihmonin. U shpalosa të gjithëve atë që vërtet mendoja, se parapëlqeja të rroja aq sa e kisha për fat, por në mënyrë aktive. U kërkova të më ndihmonin të shkoja në Zvicër, ku eutanazia është e ligjshme, një fund që, të them të drejtën, akoma e parapëlqej, në vend të përballjes me një fund plot vuajtje. Im shoq, me të cilin kemi 30 vjet që udhëtojmë bashkë, më tha: “Nëse ti ikën, unë do vij pas teje”.
Dritan Kiçi: Shumë romantike kjo, ndonëse e dhimbshme…!
Rezarta Reçi: Ishte reale dhe qe kjo që më trembi. I thashë se duhet të bëhej i fortë e të mbante shtëpinë hapur për vajzën e për mbesat, që të mos e gjejnë derën mbyllur e të rriten edhe me kujtesën time. E rikonsiderova bindjen time kur bashkëshorti dhe vajza më thanë se nuk mund të isha kaq egoiste, por nuk më vjen aspak keq për veten, sepse kam jetuar intensivisht dhe kjo është një nga parimet e mia. Iu binda atyre dhe iu nënshtrova zhbërjes sime fizike; nëse dikur vrapoja, tani eci avash me trupin që më dhemb, helmet që më futen në organizëm dhe ndryshimin e portretit. I përshtatem këtij ndryshimi pa dëshirë dhe pa entuziazëm, por duke iu bindur shumicës, sepse kuptova se më donin më shumë sesa unë dua veten. Megjithatë kam akoma ato teoritë e mia se si gjithë kjo do përfundojë, por të shohim…
Dritan Kiçi: A besoni në një fuqi të mbinatyrshme, në një zot?
Rezarta Reçi: Nuk jam besimtare si ime motër, si Suela, që beson dhe i ngjit fjala kur e thotë. Besoj në diçka të mbinatyrshme, që ekuilibron botën dhe shpirtrat tanë. Nuk i lutem zotit të më shpëtojë. Realisht kam një lutje tjetër, që e kam veç për vete e nuk dua ta ndaj me kënd.
Dritan Kiçi: E lëmë këtu atëherë. Pas librit tuaj, “Kolona zanore”, a keni menduar të shkruani diçka tjetër? A po shkruani diçka tjetër?
Rezarta Reçi: Pas një jete me intervista me sa e sa njerëz të letrave, nuk mendoja se do hyja edhe unë në këtë fushë. Pata bërë ca prova në rrjetet sociale. “Kolona zanore” erdhi si një mjet për të më hequr nga ajo gjendje e keqe ku kisha rënë pas diagnozës. Është pritur mirë nga lexuesit, por për mua, më e rëndësishme, është ajo gjendje ekstaze që më krijoi në raport me veten dhe me atë që po më ndodhte. Për hir të kësaj dhe për respekt të lexuesit tim të parë, Shaban Muratit, vendosa ta botoj. Me këtë libër mësova ta mposht vetminë me anë të shkrimit. Po shkruaj aktualisht edhe diçka tjetër, që mund të jetë një vazhdim i “Kolonës zanore”, ku dhe kam kuptuar se shkrimi mishëron zhvillimin e shoqërisë sonë dhe paraqet atë që po ndodh. Nuk kam menduar shumë seriozisht dhe i them vetes: e ç’është zëri yt? Ka shkrimtarë e njerëz me gjëra më të rëndësishme sesa ti… apo të tjera si këto. I them vetes: janë thënë. Janë thënë të gjitha. Ti vazhdo lexo e merr nga ata; bota mund të bëjë edhe pa zërin tënd.
Dritan Kiçi: Ku mund ta gjejnë librin lexuesit e Revistës, që janë jashtë vendit?
Rezarta Reçi: Realisht nuk e kisha menduar fare. Sot më bëri të njëjtën pyetje një mikesha ime në panair, se kanë pyetur shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit: “A e ke përfshirë në Amazon?”. I thashë jo. Nuk e kam menduar fare një gjë të tillë, se interesimi i lexuesit për librin ka qenë më i shpejtë se pritshmëria ime.
Dritan Kiçi: Nëse dëshironi, “Revista Letrare” dhe “RL Books” mund t’ju ndihmojë në këtë proces.
Rezarta Reçi: Ju falënderoj! Nuk e kam pritur këtë lloj interesimi. Madje sot edhe njerëzit që kanë ardhur në stendën e autografeve, kanë konstatuar këtë që po ndodh me librin. Një njeri që e lexon dhe e pëlqen, vendos ta bëjë dhuratë; vijnë e marrin dy apo tre libra. Kjo më ka gjetur të papërgatitur për menaxhimin e librit.
Dritan Kiçi: Ju falënderoj për bisedën, Rezarta!
Rezarta Reçi: Faleminderit edhe juve që më bëtë pjesë të Revistës Letrare!

(Shkëputur nga Revista Letrare – Dimër 2021, në print. E gjeni në “Art’s Librari”, Tiranë, Amazon e në çdo librari online të botës)