Press "Enter" to skip to content

Përbetimi

Ministri i Punëve të Brendshme u kërkoi kokave të drejtorive më të rëndësishme të shërbimit të fshehtë të betoheshin para tij, një nga një, se gjithçka dinin për shkak të detyrës duhet ta merrnin me vete në varr. Mbi tryezën e gjatë prej mogani të fortë dhe të ri kubanes, në fund të së cilës qe ulur Adem Golemi përballë ministrit, nuk kishte asnjë fije letre; të pranishmit, në qëndrim ushtarak uniform, vetëm me lakun e duarve të veta mbi të.
As prindërit, as bashkëshortet, as fëmijët, as ndonjë vëlla a mikeshë nuk duhej të dinin asnjë fakt sado të thjeshtë e të parëndësishëm në dukje nga puna e tyre dhe sidomos asnjë shënim me shkrim e zë në çfarëdolloj forme, asnjë ditar të fshehtë qoftë dhe me alfabet personal të sajuar. Ky ishte betimi që kishin nënshkruar në kontratën e fillimit të emërimit në detyrë, por për nevojat e shtetit, në prag të prishjes së marrëdhënieve me BRSS-në, u kërkohej të ribetoheshin për së dyti në paradë para Ministrit të Punëve të Brendshme.
Tryeza. Ky objekt fare i pa rënë në sy, pjesë e arsenalit vrastar të llagëmeve shtetërore, ku vendoseshin fatet e individëve, shtetarëve të lartë apo të popujve. Një objekt bizar, gjithnjë mbështetës i makinerisë së luftës, i pagjykuar kurrë në histori, fshehur përherë pas tryezës së ngrënies dhe festave – po shëtiste mendjen Adem Golemi sa të mbaronin betimin dhe të dilnin njëri pas tjetrit vartësit më të besuar. Kushedi kur, prej moshës, edhe kjo tavolinë do vjetrohej dhe nxihej. Tani që ishte e re, e kuqërremta e saj flakëronte si gjak. Adem Golemi mbeti i fundit vetëm me Ministrin.
Pseudonimi i Adem Golemit ishte Luani i Kuq, kreu i Armës së Fshehtë dhe tagri i tij në shtetin brenda shtetit konsiderohej i barabartë me Ministrin e Punëve të Brendshme, me Ministrin e Mbrojtjes, madje dhe me atë të Kryeministrit. Ministri i Punëve të Brendshme dhe Adem Golemi këmbyen betimet para njëri-tjetrit.
Ministri i tha se do nisej menjëherë në Bejrut, me dy misione barabar të rëndësishme e më pas do kthehej pranë familjes në ambasadën e Kajros.
– Dhe për gjashtë fëmijët shqiptarë, që janë dënuar duke u pezulluar një muaj nga shkolla ruse, duhet t’u dërgoni një notë zyrtare, ku të thuhet se ata janë pionierë të Organizatës së Pionierit të Shqipërisë, jo të organizatës ruse, ndaj nuk kanë të drejtë t’i përjashtojnë ata, por organizata jonë.
– Kalamaj! Iu duk shaka! – justifikoi Adem Golemi gjashtë çunakët, mes tyre dhe dy djemtë e tij, që vizatuan një kryq të thyer nazist në dërrasën e zezë të shkollës, duke alarmuar në çast komandën e shkollës, që i mori në pyetje veç e veç për të gjetur autorin e shkeljes së rëndë. Asnjë prej tyre nuk tregoi. U përgjigjën njësoj, që nuk kishin parë asgjë. – Ke një dhuratë për çunat. Kam dëgjuar që e kanë qejf shahun dhe janë mjeshtra.
Ministri, para përcjelljes, i dhuroi  një orë shahu dyfytyrëshe, që ishte i vetmi bagazh udhëtimi i Adem Golemit kur mbërriti në aeroportin e ri të Bejrutit. Dy djemtë e tij, me një vit diferencë, dukeshin dhe visheshin si binjakë, madje ishin të dy në klasën e katërt të shkollës unike ruse, se i vogli, me aftësi të përparuara, u pranua pesë vjeç në shkollën e vetme shtatëvjeçare që ndiqnin fëmijët e tërë vendeve komuniste të lindjes, përveç Hungarisë, që u punonin prindërit në Kajro.
Një rrugë e dy punë: do ftonte të riatdhesoheshin anëtarë të thjeshtë të Ballit Kombëtar dhe tregtarë të njohur, që ishin vendosur në Bejrut në lagjen e shqiptarëve, ata të cilët nuk kishin njolla gjaku në historinë e tyre si bashkëpunëtorë të nazifashizmit – shteti po shpallte amnistinë për integrimin e tyre në Shqipëri e nuk do kishte dënime – si dhe do fillonte negociatat në emër të qeverisë shqiptare për kthimin e eshtrave të rilindasit Pashko Vasa në atdhe, varrosur në krye të varrezës osmane të pashallarëve, ku shërbeu për dhjetë vjet si Guvernator i Libanit.
Radio Londra përsëriste pa pushim në gjuhën shqipe se mërgata shqiptare e Bejrutit nuk duhet t’i besonte asnjë fjalë agjentit komunist Adem Golemi, që do mbërrinte tek ta nga ora në orë, sepse, nëse vendosnin të ktheheshin në atdhe për të përfituar nga amnistia e të kuqve, i priste o plumbi, o litari.
I njëjti tekst përsëritej për krejt mërgatën shqiptare në vende të ndryshme të botës, me emrin e agjentit të Sigurimit të Shtetit që po vinte drejt tyre.
Sektori i Radio Londrës, që mbulonte Shqipërinë dhe Evropën Lindore, drejtohej nga shkodrani NoLogus.
Në aeroport, Adem Golemin po e priste një burrë i moshuar, i cili kishte shkruar emrin e tij. Ishte Raif Elbasani, tregtari i njohur i tekstileve angleze, kushërinjve të të cilit iu sekuestrua një kamion me flori dhe diamante pas luftës. Ata morën dënimet më të rënda, se kishin bërë tregti të mallrave të luftës, si me italianët, si me gjermanët. Raif Elbasanin e kishte kapur paniku, se kish dëgjuar lajmet si po silleshin evropianët me kolaboracionistët. Ai, nëpërmjet kushërinjve, u kishte shitur ushtrive pushtuese batanijet angleze dhe për këtë ndjehej tradhtar. Pasuria e tij u rrit në shifra të pabesueshme në vitet e luftës, ndaj u largua familjarisht në Itali, pak para se të niste evakuimi i trupave gjermane.
– Vjen një ditë që nuk të thonë më asgjë qypat me flori. Dua të kthehem, të mbyll sytë e të hyj në baltën time, – i besoi Adem Golemit hallin e vet Raifi, që hiqte me shpirt të pranohej në dheun amë.
Adem Golemi i kërkoi ta çonte në varrezën e pashallarëve osmanë, të shihte varrin e Vaso Pashë Shkodranit.
Gjer sa mbërritën, rruga në të dy krahët qe përplot me limonë dhe portokaj të rënduar nga frutat e pjekura, që kishin thithur diellin mbi tropik. Vaso Pashë Shkodrani kishte një memorial madhështor mbivarror e mbi të ngrihej dhe një kapelë e sipërme guri, si ajo e një tempulli. Do t’ia shkulnin fijet e eshtrave aty ku iu tretën me gruan e dytë dhe vajzën e tyre, për t’ia mbjellë në një varr të thjeshtë në Shqipëri. Pasi me kohën harrohet gjithçka tjetër, çka mbetet është njeriu. Dhe nga Vaso Pashë Shkodrani do harrohej pjesa e gjenocidit libanez. Aq do mbahej mend, varri modest në vendlindjen e tij pa kryq përsipër dhe poemthi, i konsideruar nga brezat si himn kombëtar: O moj Shqypni, e mjera Shqypni, që bashkonte shqiptarët e gjithë religjioneve fetare.
Kur mbërritën në lagjen e shqiptarëve të Bejrutit, në restorantin ku mblidheshin përnatë, Adem Golemi ndjeu ftohtësinë e kampit tjetër gjer në hartat e ciflave të predhave dhe plumbave, që trupi i tij mori gjatë luftës.
Burri me kostum, që po të kish pasur një fat tjetër do kish qenë një fytyrë e paqtë, ishte vetë Man Kukaleshi, ish-shefi i policisë së kryeqytetit në kohën e luftës. Ai e pyeti:
– I kujt je, more djalë? Se më dukesh kaq fytyrë e njohur.
– Jam djali i Harun Zogut, – u përgjigj Adem Golemi.
Kaq mjaftoi që ai takim i zymtë të kthehej në një darkë të zakonshme shqiptarësh, që njatjetohen e kanë ç’të tregojnë për lidhjet e vjetra familjare. Harun Bej Zogu, të cilin mbreti Zog e solli nga Stambolli për të ndërtuar bashkë shtetin e ri, ishte i biri i Hadi Pashë Zogut, i njohur për bujarinë dhe si oxhak, ku kushdo nevojtar gjente ndihmë e mbështetje. Mbiemri ishte i njëjtë, por nuk kishin lidhje gjaku me mbretin e vetëshpallur të shqiptarëve.
Ahmet Zogu, me t’u shpallur mbret, i hoqi çdo familjeje shqiptare me mbiemrin Zogu të drejtën e trashëgimisë së mbiemrit. Familja e tij mbretërore do ishte e vetmja ‘Zogu’. Harun Bej Zogu nuk pranoi të merrte asnjë nga mbiemrat e përcaktuar në listën e mbretit për familjet ish-Zogu, por Adem Golemi nuk e dinte se si e rregulloi dhe pse i ati zgjodhi një mbiemër jugu.
Me Man Kukaleshin folën më vete gjatë darkës për ngjarjet e luftës. Enigmë mbetej vrasja e Qemal Stafës. Man Kukaleshi e siguroi që ishte një rastësi e keqe, madje ai i kishte njoftuar njerëzit e Qemalit, të cilëve i ati u kishte lënë amanet përkujdesjen për Qemalin, se shokët e spiunonin vazhdimisht te SIM dhe duhej të largohej, por ditën e pesë majit, rastësisht një skuadër milicësh, që po shkonin për breshka në lum, kishin parë guerrilasit te shtëpia dhe lufta ish ndezur. Kurse për vrasjen e Vojo Kushit, gjatë një aksioni të detajuar nga SIM, spiuni ishte… Adem Golemi e ndaloi ta thoshte emrin e spiunit. E dinte. Kjo ishte historia e heronjve të luftës: vrarë nga nazifashistët e të spiunuar nga shokët, a me një plumb pas krahëve nga vetë shokët e idealit.
Nga tërë oficerët që u shpërndanë nëpër botë, Adem Golemi ishte i vetmi agjent/kryeagjent zbulimi politik, që arriti të kandisë dy anëtarë të Ballit Kombëtar të ktheheshin nga Bejruti, bashkë me tregtarin e stofrave angleze Raif Elbasanin, që donte ta mbyllte jetën në mëmëdhe. Natyrisht që sa mbërritën, në vend të amnistisë së premtuar morën nga shteti komunist burgun dhe vite më pas internimin në qytezat më të humbura e më të varfra. Adem Golemi u ndje i prerë në besë dhe me peng për ta, që i ktheu në Shqipëri, gjer në fund të jetës.
Për riatdhesimin e eshtrave të Pashko Vasos, qeveria libaneze kundërshtoi kategorikisht.
Adem Golemi u kthye në Kajro.
Eprorët e shkollës unike ruse u informuan që atë çast kur dhe kush e vizatoi kryqin e thyer nazist në dërrasë të zezë, por seancat e marrjes në pyetje të gjashtë nxënësve shqiptarë u përshkallëzuan rregullisht gjithë javën. Pa u lejuar të flisnin me njëri-tjetrin, djemtë jepnin të njëjtën përgjigje kokëfortësish: nuk dinin asgjë, nuk kishin parë asgjë. I dënuan duke i përjashtuar nga organizata e pionierëve sovjetikë dhe për një muaj nga shkolla.
Çdo djalë u pyet në shtëpi me rreptësi nga babai i vet, duke i vënë fëmijës kushtin që duhej të tregonte të vërtetën në shkollë. As nënat me metodat e veta të sofistikuara ‘liro dhe shtrëngo’ nuk arritën. Ambasadori shqiptar, kur i biri pohoi se ishte ai fajtori, e urdhëroi t’ua ngecte shokëve. Djali ia ktheu kërcënimin të atit, duke i thënë se do shkonte në shkollë të tregonte se e bëri ai. Ambasadori u tremb për vdekje dhe e luti që së paku të thoshte se ishte një shaka e trashë e përbashkët me shokët. Djali ia përsëriti kushtin e tij.
Adem Golemit nuk do ia kishte marrë mendja ndonjëherë se duhej të përgjonte fëmijët e vet. Nga ata të gjashtë, kishte shumë mundësi që fajtori të ishte një nga djemtë e tij. Sidomos i vogli. Gjithmonë rebel e analist, një burrë i vogël përqeshës.
U vuri orën e shahut mbi tavolinën ku luanin. Adem Golemi pa të bijtë që shkëlqyen nga gëzimi para syve të kobrës së fshehur në orën e shahut. Kur ai, ati, u bëri një dhuratë lumturie të pabesë, po nga jeta ç’dhurata do merrnin të bijtë?! Nga kishin ngjarë që ishin fiksuar ashtu pas lojës së shahut, pa lëvizur me orë të tëra nga tryeza, sidomos tani që kishin dhe matësin e kohës së lojës. Në fisin e tyre me burra shtatlartë të pashëm shquheshin si gjahtarë, futbollistë, garues me kuaj, madje edhe si patinatorë në akull, por te kjo lojë strategjie abstrakte dhe jo fizike nuk e kuptonte çfarë kënaqësie gjenin. Më në fund e kapi pohimin e të voglit se nuk do tregonte kurrën e kurrës që djali i ambasadorit e kish vizatuar kryqin e thyer.
– As unë! – tha i madhi.
Adem Golemi dërgoi njoftimin te ministri për këtë. Komisioni hetimor i shkollës dërgoi konkluzionin në qendër të shtetit sovjet. Me rastin e Vitit të Ri 1962, të gjashtë çunakëve shqiptarë u erdhi nga një pako e madhe me lojëra, dhuratë nga Moska, nga fondi i rezervuar për fëmijët e udhëheqjes së lartë dhe FLETË NDERI me motivacion: “Për besnikërinë e pashembullt, për karakterin e pathyeshëm ndaj çdo presioni dhe shpirtin e skuadrës”.
Autori
Luljeta Dano