O, ky nuk është një idil. Është vetëm një çast i lumtur paqeje e qetësie pas betejës, kur prijësi i madh, Gjergj Kastrioti po çlodhej e, pa e kuptuar, po ëndërronte. Ishte çliruar nga veshja e hekurt aty buzë detit e në kurriz ndjente lagështirën e shkëmbit ku ishte mbështetur. Fytyra e mprehtë e si e gdhendur dukej si një copë e atij shkëmbi me leshterikët e varur që kishte hedhur furtuna një ditë më parë. Dallgëzat me shkumën e bardhë shtriheshin në zall pranë këmbëve të tij, sikur pëshpërisnin me një fshehtësi e monotoni qetësuese : paqe, paqe. . .


