Press "Enter" to skip to content

Ridvan DIBRA: Kreusa dhe dilemat e Eneut

Ridvan DibraAfërdita iu shfaq Eneut krejt papritur (nuk ishte tamam prani fizike, por as fantazmë jo) dhe i pëshpëriti në vesh që të largohej sa më parë, se përndryshe kishte për ta pësuar keq. Troja kishte rënë përfundimisht në duart e grekëve, të cilët digjnin, dhunonin e plaçkisnin gjithçka. Eneu ngurroi për pak çaste, por shpejt e kuptoi se po të rrinte aty, edhe ai me gjithë familjen do të bëheshin pré e atij dhunimi mizor. Vendosi menjëherë që edhe kësaj radhe t’i bindej këshillës së nënës (më shumë se këshillë, kishte qenë urdhër), ashtu siç kishte bërë edhe në të gjitha rastet e tjera. Pranë kishte babën, Ankizin, djalin, Askanjin, dhe pak më tej të shoqen, Kreusën. Të tre vështirë se do të mund të dilnin jashtë qytetit, pa ndihmën e tij.
“Shpejt, nxito. Çdo çast i humbur mund të të kushtojë shtrenjtë”, tha Afërdita dhe u zhduk s’di se ku menjëherë, po aq rrufeshëm siç edhe ishte shfaqur. Eneu ndoqi me shikim fjollën e dritës që e ëma la pas (i bindur se për kaq pak kohë të humbur – nëse mund të quheshin të tillë ato dy-tri çaste – nëna Afërditë nuk do ta qortonte) dhe mblodhi rreth vetes të tijtë.
Ankizi dukej më i tremburi dhe më i lodhuri. Thua se brenda një nate qe plakur dhjetë vjet njëherësh. Gjestet i kishte të ngathëta, kurse shikimet lutëse. Asgjë prej princi nuk kishte mbetur tek ai. Eneu ndjeu Mëshirë për të atin. Askanji qe bërë i tëri sy e veshë. Nuk parandiente kurrfarë rreziku. Veçse dëshironte të shihte e të përjetonte gjithçka që po ngjiste rreth tij. I dukej se ndodhej në ndonjërën prej atyre shfaqjeve të zhurmshme, ku i ati e kishte çuar shpesh. Eneu ndjeu Dhimbsuri për të birin.
Kreusa ishte më e përhumbur se kurrë. Thua se rastësisht ndodhej aty. Qe mbështjellë e tëra me një vel të padepërtueshëm indiference e mospërfilljeje. Dukej e painteresuar për gjithçka që po ndodhte përreth. Megjithatë, përsëri ishte shumë e bukur. Eneu ndjeu DASHURI për të shoqen.

Pages: 1 2 3 4 5 6

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *