Zef Serembe (1844-1901), në opusin poetik të krijuar në gjuhën shqipe, sonetin e ka krijuar me një prirje dhe sens të dukshëm, duke e bërë këtë formë poetike si një nga shenjat identifikuese të artit poetik të tij.
Po të kihet para sysh mënyra e krijimit të poezisë nga Zef Serembe, pra, krijimi edhe ad hoc i poezive, me improvizim të atypëratyshëm të vargjeve, me shumëzimin e varianteve të së njëjtës vjershë nga rasti në rast, prirja e tij drejt sonetit duket e habitshme. Kjo për arsye se soneti është një formë shumë precize nga pikëpamja metrike, që do të thotë se kërkon një organizim shumë specifik të vargut. Krijuesit e sonetit rëndom njihen si autorë të disiplinuar, me prirje për të punuar gjatë në skalitjen e vargjeve dhe në përsosmërinë e shprehjes poetike.

