Press "Enter" to skip to content

Kasapi

Pandeha se ishte shaka kur më arrestuan e më thanë se kisha bërë një krim të rëndë, por nuk qe lojë. E pashë veten pas hekurave, i lidhur si qen. Tri ditë më vonë dola para gjykatës dhe një javë pas arrestimit, domethënë sot, më zgjuan herët pa dalë dielli dhe më thanë, përherë pa shaka, se trekëndëshi ishte gati. Ende përgjumësh, pre e ca ëndrrave fatzeza, që nuk u ndërprenë nga zgjimi i beftë, po ndjek gardianët ose më mirë po tërhiqem zvarrë prej tyre.
Është e diel, por këta nuk bëkan pushim as ditën që e bëri perëndia, siç thonë. Nuk është se këtë ekzekutim e kam me qejf, le ta themi siç është, por as naze nuk bëra; thjesht e dija që do ndodhte dhe nuk kisha gjë në dorë. E keqja është se do marr pjesë në shfaqje, por nuk do jem spektator, nuk do ta shijoj rrëqethjen e fortë të sekondave të para pas së gjithës. Në fakt, spektaklin makabër do e shijojnë të tjerët dhe nuk më vjen fare mirë që do i argëtoj pa marrë të paktën një shpërblim të merituar. Por si shumë heronj të historisë, gjithsesi do marr ca lëvdata pasi ta lë pas këtë botë, që vetëm së fundi ka filluar të më pëlqejë.
Le të kthehemi edhe njëherë pas, shtatë ditë, jo më larg. Isha futur në një cep. Rrija aty pa bërë gjë. Nuk e mbaj mend pse po fshihesha e as se çfarë mendoja, por dita ishte e bukur dhe kësisoj mendimet nuk besoj se i kisha të liga. Vjen drejt meje një zonjë e moshuar, plakë e shushatur, dhe fillon të bërtasë si pa të keq: “Vrasës, vrasës!”. “Dreqi e mori”, mendova, “unë i kam frikë vrasësit”, ndaj u struka edhe më tepër në hijen e cepit që pata zënë. Të them të drejtën, fillimisht nuk e kuptova, por pastaj i rashë në të se ajo e hidhte llafin për mua. “E rrjedhur fare!”, mendova, doemos. Por kur gjindja avash-avash u mblodh rreth e rrotull dhe hidhnin sy drejt meje, i thashë plakës se po më ngatërronte me tjetër njeri. Por ajo më tha emër, mbiemër, moshë e madje dhe mëmësinë, duke më lënë gojëhapur; sa çudi, për besë, por ja që rastësitë ndodhin në këtë botë. Pra ishte edhe dikush tjetër me të njëjtin identitet, për dreq një vrasës, me të cilin kishim lindur në të njëjtën ditë e, për më tepër, nga e njëjta grua, që, siç po kuptoja, ishte nëna ime. Rastësitë, kot nuk them, të lajthisin.
Vërtet atë ditë nëpër duar më kish mbetur pak gjak, po ishin të gjelit të shkretë, që ia pata hequr kokën që në mëngjes. Kur ia thashë këtë, gjykatësi më pyeti me të drejtë se pse nuk i kisha larë duart. Por, ç’të them, as vetë s’e di, ndodh ndonjëherë t’i harrosh duart pa larë. Po thosha të vërtetën dhe ata sigurisht e kuptuan sinqeritetin tim e shtuan se edhe ata harrojnë herë pas here t’u vënë një shkumë duarve. Kur më pyetën se pse mbaja revole me vete atë ditë, më bënë të qesh dhe, të them të drejtën, nuk doja të përgjigjesha, por mendova se atë copë hekuri do e merrnin si alibi, kështu u detyrova të sqarohesha që të shuaja çdo dyshim. Pisqollën e kisha gjetur në rrugë. Po, po, në rrugë, ca ditë para arrestimit dhe isha bërë gati ta dorëzoja në komisariatin më të afërt, por për ca arsye, që nuk kam si t’i mbaj mend, harrova fare, sa për nder u habita kur ma gjetën në xhep. Po kjo, thashë, nga doli?
“Nga xhepi yt”, më tha polici që më kontrollonte e shtoi: “Me siguri e ka fshehur dikush aty!”. Për këtë kam dëshmitarë të njëzet policët e pranishëm, madje u tregova me bindje se nuk e kishte fshehur askush, por e kisha harruar unë që prej ditës që e kisha gjetur. Kjo historia e pistoletës është një ngjarje kaq qesharake kur e mendon, se nuk gjejmë çdo ditë kobure rrugëve, e kur e tregova këtë në gjyq, edhe ata e kuptuan se ishte një histori gazmore dhe qeshëm të gjithë tok. Doemos. Edhe thikën e gjatë e mbaja me vete. Doemos prapë. Kisha therur gjelin atë mëngjes, si të mos e kisha thikën në xhep? Do ishte çmenduri po të mos e mbaja.
Ajo plaka, ajo e çmendura, më akuzonte se kisha vrarë gjysmën e qytetit, por sigurisht që me gjykatësin sqaruam çdo keqkuptim. Unë nuk kisha gisht në asgjë, përveçse për gjelin. Edhe ata të gjithë ma thanë këtë. Vetëm diçka mbeti e pasqaruar ose dikush, më mirë, domethënë plaka. Kur ajo bërtiste e ma bënte me gisht, unë u shqetësova për shëndetin e saj dhe shkova ta sqaroja, gjithmonë me të mirë, se po më ngatërronte me tjetër njeri. Por ajo nisi të vraponte, se kishte frikë se mos ia prisja zverkun, e unë ta ndiqja, duke kërkuar t’ia shpjegoja… ajo largohej e nuk hante pykë. Vërtet e mbaja thikën në dorë dhe këtë e shpjegoi edhe avokati, por e mbaja sepse në xhep më ngadalësonte vrapin. Me të në dorë mund të vrapoja më shpejt e kështu mund ta mbërrija e ta sqaroja njëherë e mirë këtë keqkuptim të tmerrshëm. Se nuk mund të lihej ashtu një ngatërresë e tillë! Për mua, që edhe mizat që ma pinë gjakun i fal!
Por ashtu si u tregua edhe nga dëshmitarë të shumtë, duke e ndjekur, kur thuajse e kisha mbërritur, u pengova e fare gabimisht, për një rastësi fatkeqe, thika që mbaja në dorë iu ngul pas qafe dhe e shkreta grua vdiq pa e kuptuar gabimin që po bënte. Vdekja e saj ishte vetëm një rastësi e jashtëzakonshme, një nga ato raste një në një milion dhe unë sugjerova që në gurin e saj të varrit të shkruhet: “Njeriu më i pafat që ka jetuar ndonjëherë”, sepse vdiq e pasqaruar domethënë. Dhe mendoj se ma kanë vënë veshin për këtë sugjerim. Madje gjykatësi, njeri i lezetshëm e hokatar i madh, sugjeroi që në gurin e varrit tim të shkruhet: “Njeriu më i mirë i vitit”, por me modesti refuzova, edhe pse ai ishte shpirt njeriu.
Kur i ra me çekiç tavolinës dhe tha: “Litar”, shtoi aty në mes të gjithëve se i vinte keq për mua. Mund të them, pa dashur të mohoj plot çaste prekëse të jetës sime, se në atë moment derdha lot të nxehtë. Po të më dilte koha, do i kisha bërë ndonjë dhuratë për ditëlindje apo për festat e fundvitit, por nuk ishte e thënë; më priste litari.
Ja ku jam katër ditë pas atyre lotëve, duke u tërhequr zvarrë për t’u çuar në atë vendin para syve kureshtarë. Ndoshta e vetmja gjë për të cilën jam penduar në jetë është që nuk i lava duart atë ditë që thera kaposhin. Aty lindi e gjitha. Dhe veç tani po kujtohem që unë kam punuar gjithë jetën kasap, por ata s’e kuptojnë. Sikur në botë të kishte më pak keqkuptime, s’do ndodhnin kaq shumë fatkeqësi, rastësore domethënë.

(Shkëputur nga Revista Letrare – Pranverë 2024, në print. Bashkë me të gjithë numrat e tjerë, e gjeni në librarinë tonë online këtu, në “Art’s Library”, Tiranë, në Amazon, Barnes & Noble, etj.)   

Autori
Renis Hyka