Press "Enter" to skip to content

Përkëdhelje vajtuese

I

Sy i gruas sime, saksi e dritës sime të derdhur
Dërgo o sy, çezmë e dashurisë rrëzëllitëse
pëllumbeshën tënde të shenjtë të dëgjohet mes bletëve
të bekojë të nesërmen tonë
të peshojë flatrat e guximit tonë
i kuq dhe i çarë si shegë e ndaluar
i lëngësht e i grunjtë si drapër pune
dërgo urdhrin agullor që të të jem besnik

Orët tona të para – ujëvarë e dendur
shtatorja jote ecën zbathur
kurorëzuar nga qashtërsia e vështrimit tim
fleta e ballit tënd
ruan kujtesën e gjithë behareve të mi
sytë e tu vezullojnë si e nesërmja e njeriut që e dashurojnë

Tryeza mes nesh prej hekuri
hekur i fortë
fletët e dritares të së nesërmes prej hekuri
hekur i palëvizshëm
Të dhashë të pije gjak e gjalpë
me thikën e rrumbullakët në drurin e çarë
me pikën e verës në buzë të shishes
E kisha parë qartë udhëtimin tonë. Por fundi i javës i
gjeti duart e tua të më flasin

Zakonet që më transfuzove në gjak
u zbehën

Humba krejt detin
Humba krejt syrin

Në oqean të errët lundroj çdo natë
pa trupin tënd përbri trupit tim
Nisje e humbur
Cilën fjalë s’do ta mësojmë kurrë?

Të njoh tashmë në thellësi
(nuk të panë sytë e mi mjaftueshëm)

Mungon dhe nuk të prek
Mungon dhe nuk të shoh

Përkëdhelja që të jap është e fshehtë dhe e pafund
nuk ka dritë as errësirë
nuk ka nënkresë

Qyteti ndaloi në derën tënde të jashtme
kështjella, deti, mëhalla e trenave
të gjitha ndaluan në derën tënde

Vite të tëra
vite të tëra ky qiell
pikonte gjak në të njëjtin vend

U ngjeshën rrënojat
zhapiku nuk po gjen rrugën

Çastet
të pranishme që më parë
loznin kukafshehthi

Përshkuam një kalim këmbësorësh
si shuhen sytë e tu
si perëndojnë gjatë puthjes

II

Ndjenjat anarkiste
copëza vitrine të flijuara

Të vërtetat e vogla u dehën
(kokrra shakaje të hidhur)
Pini vajza e djem të shoqërisë sonë
pihuni mes jush

Lot të fshehur e të thellë shtegtonin pas syve të tu
Mirëmëngjesi që të thashë
i kulluar si uji i burimit tim
arrinte gjer në pasojat më të skajshme

Dorëzoj emrin tënd
mbasi kështu mishi im të prek më mirë
më qëndrueshëm
Dhe të jap vetëm emrin e vogël
sepse kështu qëndrojmë të thjeshtë në përqafimin e botës fizike
të bardhë ndërmjet të tjerëve
tek përsërisim lindjen tonë
pa frikëra qesharake

Pritja jonë – ndonëse qe ligështuar së tepërmi
u rrëmbye sërish mes diejsh sipërfaqësorë
dhe qiejsh të jashtëm

Dhjetë agime të ndrojtura

Mos e pushto gjakimin tim gjëmues

Lule femërore, shtrij dorën e të marr

Ndala fushën tonë të vogël katrore
të mbyllurën mes bebëzave të rrumbullakëta të syve të tu
brenda iridave të rrumbullakëta që përçlirojnë
e mbajnë zërat e botës sate
Gjethet e frymës tënde fëshfërijnë si një “faleminderit” mbrëmësore

Mos më thuaj dashuria ime
mos turbullo qartësinë e prekjes sime
mos përziej pastërtinë e mishit
me tema të huaja

të vish

përkëdhelja

e vogël

përkëdhelja

Si u gjende
hënë e vogël e shndritshme
e gjitha e dhënë në lëmin e shtratit tim?

Sytë e tu
dymijëvjeçarë drite epshore
të pafundme

Goja jote ka gishtërinj shqisa heshtje
Sy të përkushtuar ndaj njohjes së papërlyer
faqe puthje qëllimmirë

mos u dridh

Kyç lakuriq i dorës i së bardhës orë
Ngurruese lëvizjet që zbuloj brenda
gjinj – ankime krenare ngrohtësie të vogël

Ti kurrë nuk mbaron
kurrë nuk mbaron ti
grua e bardhë
Kurrë nuk i mbyll qiejt e tu
Je lumi
që duhet ta përshkoj shumë herë
krejt lakuriq

Bashkë mbërritëm te ky vend – s’njiheshim
Të dy mbushëm një peizazh të gjerë
U prehën nyjëzimet e gjymtyrëve tona
Uji
qarkonte shpatet me rrjedhën e tij lakuriqe
dhe na përmbushte

Kemi nevojë të prehemi të gjallë
të larë me dhe e kripë
me një farëz pëshpëritëse në pëllëmbë
dhe zërin e një fletoreje

Vështroj afër
Vështroj larg
Bota është e vërtetë tejpërtej

them ringjalljen e Afërditës së kryqëzuar

Shkëputur nga pjesa “Ardhja” e vëllimit poetik “Poezi I” (1990- 2011), Botimet Saikspirikon

Jorgos Athanasopulos lindi në Patra. Ndoqi studimet në Athinë e më pas në Paris. Ka punuar në Këshillin e Europës si përkthyes dhe jeton në Bruksel. Është themelues i revistës social – kulturore Θ.Ε.Α (Τhea).

Përktheu: Eleana Zhako