Press "Enter" to skip to content

AVE (Cikël poetik)

∗∗∗

Nata është Det i Zi, i zi, i zi…
Dhe ky ar hënor që fërgëllon mbi dallgë
si kolona të një qyteti antik.
Po kjo re e dendur, e sapo ardhur nga qielli?
Ovidi të jetë ky? Në Kostancë jemi këtu?
Shtatorja e poetit të parë, të internuar
në perandorinë e…
S’ka rëndësi në cilën, njëlloj është dhuna
dhe persekutimet njëlloj… Shtang nga dhembja.
Bronz bëhem dhe unë. Dua t’i pëshpëris
bashkëvuajtësit tim
për një bashkëvuajtës tjetër,
Danten e përbotshëm. I dënuar dhe ai,
por pa pranga ndër duar
dhe s’i kishin ndaluar të shkruante.
Po si thotë ai Dantja ashtu?
Nessun maggior dolore che ricordarsi
del tempo felice nella miseria. (S’ka dhembje
më të madhe sesa të kujtosh kohën e lumtur
në mjerim) Ah, e ka gabim! Dhembja më e madhe
është të mos kesh qenë i lumtur kurrë
dhe mjerimi më i madh
të mos dish ç’është lumturia…
Tragjedia mposhtet, po të kesh qenë i lumtur,
qoftë dhe një herë…
Kur, në të shkuarën? Por koha është e pa kohë,
përsëdyt vetveten tani, pastaj, dikur,
gjithmonë, kurrë, asnjëherë, mjafton
ta dëshirosh
dhe ajo bëhet brenda teje. Është. As vjen
e as ikën. Përhapet jashtë teje si ngjarje
nëpër botë, frymë dhe ideal,
pritje dhe frymëzim, poezi dhe yll
që bie dhe djeg në dorën tënde,
dhe gishtat befas ndizen si qirinj,
e them prapë… Mezi pres udhëtimin e ri prej drite,
që nis duke vdekur në bashkim me Qiellin…

 

∗∗∗

Kisha shkruar dikur: ku e gjeni ju kohën
për t’u urryer, kur jeta nuk mjafton
për dashurinë?
Dhe dua të shtoj tani: a mjafton vdekja
për të qetësuar dhembjet e mëdha
e mallkimet që marrim në jetë?
Po vdekje s’ka, është jetë ndryshe. Dhe
unë kisha mërmëritur: Që loti yt të rrjedhë
në faqen time… Ndërsa dielli si një temjan
tundet për të larguar djallin,
që futet nëpër të plasurat
e ditës së njeriut…

 

A.V.E

Ah,
prej shiu dhe yjesh,
tinguj flauti hyjnor dhe mermer perëndish,
alfabet gjenezash të gëzimeve dhe dhembjeve,
ylber magjepsës
që lidh brigje dhe ëndrra,
kështu është prania jote, por dhe mungesa
që prapë e mbush me praninë.
Ç’errësirë hutuese
ka në sytë e çarë me hënë,
nga ku duket fillimi i parajsës!

Vallë
a të thashë që në buzët e tua
është një si psherëtimë e artë
që krijon fllade me aromat e jetës.
Po tjetër? Që duart e tua, çudi,
flasin kaq bukur
duke krijuar në ajër shkronjat e emrave tanë
dhe në zërin tënd shoh balet dëshirash.
Çlodhesh pranë meje,
ja, ashtu si një sorkadhe qyteti
me thundra ari.

Erdhe ti,
Mama e djalit më të bukur në botë, për ta sjellë,
që të na mbante prej dore të dyve. Kam thënë,
ne na rritin fëmijët tanë…
Që të luanim bashkë nëpër ëndrra
e ai t’i vazhdonte edhe pas zgjimeve
të çdo mëngjesi.

 

∗∗∗

Di që ka qenë një jetë dikur,
si e imja më duket.
Ashtu si mjegulla që mbulon një rrugë
e mbuloi dhembja pa fund.
S’dinte nga të shkonte, si dhe ku?
Mbylli sytë homerikë për të parë më mirë.
Dhe zbuloi Trojën e vetvetes,
më të pamposhtur kur s’ishte më…

 

∗∗∗

Si mund ta gdhendësh dritën?
Me ç’daltë apo me thonjtë e shpirtit
si një i burgosur?
Dua ta gdhend dritën,
dhe pas vdekjes,
por ajo më rrjedh ndër duar si uji,
si koha, si dëshirat e pendimet,
si gjaku…
Mos u mundo, është e kotë,
lëre dritën të të gdhendë ty
duke i lënë gjërat e tepërta në terr,
zëre se t’i ka hequr.
Mbetsh ai që do e që duhesh! Amen!

Romë, 26.06.2016

 

Meshë në Uashington

Po shkonim në meshën e së dielës
në kishën pranë shtëpisë sonë në Uashington.
Ecja ngadalë që të mos lëndoja
flatrat engjëllore të ajrit,
bashkë me Edën time, që asgjë nuk lëndonte,
aq e mirë, ikonë dhembjeje,
me diellin e së dielës si brerore.

U ulëm andej nga fundi i kishës,
ku rrinte dhe Presidenti Kenedi.
Këtu ai vinte para vrasjes,
por unë po vij pas vrasjes time. O Zot,
ma dëgjon lutjen, nuk kam fjalë,
veç lot.
Kori më mahnit,
kur futet dhe zëri i Edës si një rreze e re,
kraharori im befas shndërrohet në organo.
Temjani i tremb vrasësit për pak kohë,
kryqi vetëtin në gjysmë terr.
Monedhat që ka mbledhur
një i vobektë te shkallët
nuk ngjajnë me plagët e ftohta
të Presidentit të vrarë, lulet po, sytë e luleve…

Mesha mbaroi, por unë e vazhdoj me pemët
dhe dyert dhe zogjtë
rrugëve të Uashingtonit,
teksa eci në krah të Edës sime
me diellin e së dielës si brerore.

S’e kam më veten, është tretur
nën flatrën prej ajri të engjëllit tonë,
kam mbetur thjesht një psherëtimë
ashtu siç është dhe e gjithë jeta.

Uashington, 13. 08. 2017

Autori
Visar Zhiti