…në vendin ku s’kemi qenë, gurët janë metaforë jo vetëm e hamejve të dikurshëm, por edhe e mendimtarëve të tanishëm njëkohësisht, mbartin ende dhe flasin me një heshtje më të madhe se vetmia e tyre tronditëse dhe, nëse do të doje të dije diçka, të pyesje a të rrëfeje, ti, i ardhuri nga larg, ndieje se të kapte një si ngërç në nofull, i pëlqyeshëm, që shndërrohej në një adhurim të thellë për gurët, në guxim dhe domosdoshmëri, se aty gjithçka është fjalë e (mos)thënë, madje të çarat janë gojë, rrudha, duar, gjeste, profile me mjekër myshku dhe bari, përvojë, ide, sy, ja, ato dy plasaritjet atje vazhdojnë të jenë puthje dhe uji përsipër është plot me pamje, ti sheh jo vetëm ç’ka ndodhur, por edhe ç’mund të ndodhë, si e qysh ngjarjet përsëritin njëra-tjetrën, veçse ndryshon këndvështrimi për to dhe bindesh se vetë shekujt kanë pranuar të pësojnë metamorfozën e shkëmbinjve, është lënda e kohës e shndërruar në mur kështjelle, urë a kalldrëm rruge, piedestal a varr dhe s’ka fare rëndësi që ty t’u kujtua sentenca ose e ribëre në çast që, kur di shumë, fatkeqësisht nuk di asgjë, ose dhe e kundërta, kur s’di asgjë, i thua të gjitha, sidomos në vendin ku s’kemi qenë, ku, me të mbërritur, ndesh një pllakë mermeri me një emër, që e njeh, është yti…
Gurët e një kohe

Autori