Rin lumi si im bir
Në të dyja anët,
lundrojnë brigje,
shelgje, gjethe, degë e pemë…
male, kodra, lëndina e pllaja bukuroshe,
sillen rreth e rrotull pak më tutje.
Kështjellat dhe qytetet mesjetare,
kapur dorë për dorë me këmbët në ujë,
me sytë e dritareve vocërrake,
shohin mbi ty dhe gati rrëzohen nga marramendja…
Kapilarëve të rrugëve dhe në urat përmbi,
jeta vërshon pandalur,
duke pirë në ty.
Mijëra zogj dhe shpend gjithfarësh,
bashkë me shqiponjat krahëbardha
e mbajnë qiellin me sqep që të mos bjerë!
Retë puplore me gjithfarë formash,
kalërojnë erën tej e tej
dhe dora-dorës përcjellin drejt perëndimit,
diellin e pasdites,
lagur rrezesh në ujin e kurmit tënd.
Nga një guvë zemrash buroi,
currili yt,
ushqyer me qumësht dhe mbushur me gjak,
legjendë mijëvjeçare që lëshohesh teposhtë si ortek,
duke marrë me vete copa mali,
copa jete dhe tinguj fjale.
Në hapat vërshues merr përpara,
ditën që shkoi dhe ditën që vjen,
këngën e pakënduar dhe meloditë e zanave,
tymin e prushit dhe zjarrin e pandezur,
borën e ardhshme dhe lulet e paçelura…
Jetës i shkon mes për mes si lumi,
si emri dhe biri që je,
duke lënë pas alpet dhe shtigjet e ngushta,
shkëmbinjtë majëmprehtë dhe honet e pabesa,
pllajat cicëmëdha që të mbushën shtatin,
pyjet dhe borën që mbështjell plagët,
shpellat magjistare që tymojnë mister,
jehonat e këngëve dhe vajet e bilbilave,
jetët e dikurshme dhe ato që do vijnë,
tutje ikën ti,
si lumi,
si emri
dhe biri që je,
Rin…
Mes për mes si biri,
si emri dhe lumi
që je;
jetës i shkon pa ndalur,
pa sosur…
Një mal me ujë që ikën tutje,
mes për mes ditës,
mes për mes natës,
mes për mes shtigjeve,
mes për mes tokës,
mes për mes jetës,
duke vërshuar dhe gurgulluar,
si fjalë homerike që s’ka të ndaluar.
Qëndroj pranë teje,
të sodis nga agimi në mbrëmje,
nga mbrëmja gjer në agim,
pa gjumë në sy e pa ëndërr nën jastëk;
ta shoh profilin,
brigjet t’i shoh
dhe jetën tek rrjedh aty në ty – me ty –
herë si qetësi dhe përmalli,
herë si rrëmbim e si stuhi,
herë si rrebesh e si duhi,
herë si puhi dhe qetësi,
herë si fjalë mjalti veshur flori,
herë si pickim akrepi ngjeshur në sy,
herë si ngrohje zjarri me prushin aty,
herë si kallkan zemre që nxi e vetëm nxi,
herë si këngë zogu me verën në sqep,
herë si vaj bylbyli me ditën në xhep,
herë si thirrje mali që tund shkëmb’ e shkep,
herë si fjalë e tretur që s’ka kush ta jep,
herë si vetëtimë që tremb edhe djeg,
herë si pllajë lulesh që të bëhet djep,
herë si pikë uji që të ngjall nga varri,
herë si suferinë që të hedh nga mali,
herë si dashuri që t’i fal tri jetë,
herë si gjuhënepërkë që flet e të shkret,
herë si shteg parajse mbushur plot me dritë,
herë si derë e mbyllur përplasur tek sytë,
herë si vatër zjarri ku mblidhen fëmijët,
herë si rrëpirë shpati ku të thyhen brinjët,
herë si gjeth pranvere me aromën e jetës,
herë si rrasë varri me peshën e vdekjes…
Lumi dhe emri, dhe Rini,
na lënë e dashur,
këtu në majëmalin e mallit,
ku pikëloti shpon gurin
dhe ikin tutje larg në horizont,
që shikimi ynë të mos verbohet
që syri ynë të ketë çfarë të shohë,
që dashuria për birin,
të ketë ku të rrojë…
Jon deti si im bir…
Puhiz’ e lehtë mëngjesore,
Perden e natës largoi ngadalë
Dhe drejt Udhës Qumështore,
Ikën engjëjt krahëbardhë…
Në të agur, në të zbardhur,
Seç u ça e qiellit cipë
Dhe një yll këmbëzbathur,
Midis nesh na solli dritë…
Midis jetës edhe vdekjes,
Përmes natës edhe ditës,
Dor’ e nënës kërkon gjirin,
Si burim të qumështdritës..
…E nis ditën vet’ i tretë,
Si askurrë në këtë jetë,
Bëj një hap e m’duken dhjetë;
Ec me këmbë a shkoj me fletë?
Ditët ikën dhe ti u rrite,
Det’ i kaltër plot me valë,
Nëpër stin’ e nëpër vite,
Vjen si fjal’ e shkon si mall.
Jon si bir’ e det si jetë,
Iliadë këngësh në Mesdhe,
Biri ynë, engjëll me fletë,
Je ti Jon, kudo që je!
Kënga labe ta freskon ballin,
Breg’ më breg’ e guv’ më guvë,
Sa dhe dallgët e ndalin hapin,
Melodisë t’i hapin udhë.
Iso-këngët djaloshare,
Ca me fyell, ca me dyjare,
Në mëngjes malet i tundin,
Dhe në muzg ty të përkundin…
Ikën-vjen, baticë-zbaticë,
Siç bën qengji kur pi sisë,
Vjen të puthësh këng’ e brigje,
O deti me një mijë shtigje…
Det mes detesh si asnjë tjetër,
Dikton vallen e gjith’ ujësisë,
Ulur mbret në fron me skeptër,
Jon shqiptar’ i pellazgjisë!
Det në jet’ e bir në shpirt,
Joni që vishesh plot me dritë!
Rrotull stinët kur ven’ e vijnë,
Veç ta shtojnë bukurinë!
Sa këngë e lot e fjalë,
Derdhur mbi ty si valë,
Nga të huaj e shqiptarë,
Herë tok e herë ndarë!
Thellë nën ujë, aty në gji,
Plot sekrete i mban fshehur.
E fus kokën kur do ti
Dhe sekretet shoh pa tretur.
Janë Odisea dhe Itaka,
Bashkë me kurthet e Çezarit,
Dhe shqiptarët që zuri nata,
Në Otranto, në mes kanalit…
Dhe anije, dhe qytete,
Dhe vullkane, dhe tërmete,
Dhe ca male majëmprehta
Dhe ca shtigje majëshigjeta.
Sykaltër, sydritë, sybukur,
Në ballin e jetës qëndron,
Dhe hëna që sillet si flutur,
Fshehur diellit në ty hepon…
Pa ty fushat, malet, kodrat,
As lumenjtë dhe as lëndinat,
Nuk rrinë dot pa të takuar,
Në sytë e tu – shkruar!
Të gjithë nisen drejt teje,
Përrenj e pllaja, pyje e stane,
Bashkë me tufat plot me dele,
Dhe këngët e nuses çobane.
Kur të lëndojnë dhe të trazojnë,
Kur nga tërbimi dallgë ngrihesh,
Zbres si shkëmb aty në breg,
Që të biesh e të mos vritesh…
Gjoks e zemër ku ngroh valët,
Le të mbetem unë për ty,
Gjersa toka do të ndalet,
Edhe dielli aty përmbi…
Jon dhe Rin
Njëri lum’ e tjetri det,
Mbathur me tokë,
Veshur me qiell,
Herë dritë me hënë,
Herë flakë me diell,
Hyni te njëri-tjetri,
Me krah’ ylberesh,
Kërcime ketri,
Vrapim drerësh,
Malet e brigjet
Mbani lidhur,
Guvat dhe shtigjet,
Ngjizur…
Njërën dorë
E fus në lumë,
Tjetrën dorë
e zgjas mbi det,
Që ta kap
një hënë në gjumë,
E të zë
një diell t’argjendtë…