Ëndrrat tona janë të gjitha të njëjta. Qëndrojmë në këtë ndërtesë të pafundme, të ndarë në dhoma të mëdha, organizuar sipas ëndrrave tona. Kur u futa ca vite më parë, mendoja se do kisha lirinë të lëvizja shpesh nga një kthinë në tjetrën. Nuk kishte roje te hyrja dhe mendova se duhej të prisja të plotësoja formularin. Shikimet e atyre në brendësi më ndryshuan mendim. Ndërtesa është e madhe dhe ne nuk e ndryshojmë hapësirën ku ndodhemi. Kthina e parë është për ata që duan të flenë; ata nuk kanë fjetur kurrë. Kati i tretë, ku nuk kam shkuar asnjëherë, është për ata që duan më shumë: dhoma e parë për ata që kërkojnë një shtëpi më të madhe, në tjetrën ata që lypin disa hektarë tokë, pastaj ata që ëndërrojnë një pallat personal e më tej ata që duan të kenë një copë shkretëtire dhe ta kalojnë kohën duke përpiluar ligje e strategji se si mund t’i ndajnë shkretëtirat. Në njërin nga fundet e elipsit, që përbën sipërfaqen e katit, rrinë ata që duan të përshkojnë Siberinë me një tren me tavan xhami, nga ku mund të shihet Rruga e Qumështit. Kati i tetëmbëdhjetë është për ata që mendojnë për gurin e çmuar Khurag. Guri qëndron në qendër të katit dhe vetëm një ditë në vit mund të lëvizej nga aty në një dhomë, ku pjesëtarët e dhomës mund ta studionin e të mbanin shënime. Dhomës numër 124 iu desh të priste shtatëdhjetë e dy vjet që t’i binte lotaria për ditën e gurit. U përpoqën të shkëpusnin një copë të vogël nga guri, që ta kishin përherë aty. Kjo nxiti protesta e që atëherë ata nuk kanë më të drejtë të pretendojnë kohë private me gurin e çmuar.
Ndërtesa është shumë e madhe dhe nuk e vizitojmë. Më pëlqen ta vizatoj arkitekturën e saj në murin e vjetër përbri krevatit tim. Mendoj se shumica e kateve janë në formë elipsi; nuk e di sa kate janë gjithsej. Nga njëri tek tjetri mund të ngjitesh me shkallë të brendshme, që ruhen nga ata që janë përjashtuar nga ëndrra e dhomës së tyre të mëparshme. Ata duhet të qëndrojnë midis kateve, derisa një ëndërr e re të formësohet. Për qindra vjet ose më shumë organizohemi përmes ligjeve të krijuara nga ne vetë dhe jemi pothuaj gjithnjë në paqe. Në kate të caktuara ka ashensorë mekanikë. Për t’i përdorur duhet të marrësh leje nga anëtarët e dhomës ngjitur me ashensorin, të cilët duhet të rrotullojnë manivelin e tij në korridor.
Në murin përbri krevatit tim, skicat imagjinare mbi ndarjen e dhomave ngatërrohen me njëra-tjetrën. Më pëlqen të mendoj për to. Kam frikë se po heq dorë nga ëndrra ime fillestare e, nëse e kuptojnë, do më duhet të lëviz nga kjo e të shkoj në dhomën ku ëndrra është: skica universale për arkitekturën e ndërtesës. Nuk e di ku gjendet ajo dhomë. Nuk më shqetëson fakti që më duhet ta ndryshoj, megjithëse nuk i kam parë ligjet që rregullojnë ndryshimin e dhomave; nuk më shqetëson as nëse duhet të rri ca vite midis kateve, derisa kjo ëndërr të formësohet bindshëm. Më shumë më pikon në shpirt të lë pas skicat e mia të vjetra, në murin përbri krevatit.
Dikur, kati i gurit të çmuar ishte konceptuar në formën e një përralle. Dhomat do populloheshin nga pjesëtarë që dëshironin të ishin personazhe përrallash apo edhe thjesht një kasolle në pyllin e saj ose koha e bukur që dilte pas reve në fund të rrëfenjës. Nuk e di pse ishte shmangur kjo ide fillestare, por kam menduar që ndoshta kati vërtet është konceptuar në këtë mënyrë, vetëm se njerëzit që jetojnë aty nuk e dinë.
Nuk e di ku është kati i dëshirave seksuale. Disa thonë se është i dhjeti nën tokë. Mendoj se nuk ka asgjë paragjykuese që janë vendosur aq thellë. Përveç të tjerave, renditja e kateve të dhomave është vetërregulluar nga banorët ndër vite. Ndoshta arsyeja mund të jetë lagështia e nëntokës, që provokon dëshira të çuditshme seksuale.
Kur u futa në fillim, isha kurioz për të gjitha katet, dhomat dhe dëshirat. Me kalimin e kohës, mendimet më janë ngurtësuar; i ndjej se si kthehen në baltë të tharë e krisen me zhurmë. Ndoshta kjo ndodh me të gjithë, sepse shumica i druhen lëvizjes në një dhomë tjetër, që mund të vijë si pasojë e mendimeve të thella, të cilat ndikojnë në tjetërsimin e ëndrrave.
Të rinjtë lëvizin më shpesh ndër dhoma. Prandaj gjen pak të tillë këtu. Shumica janë mbi pesëdhjetë vjeç. Nuk rekomandohet të vish këtu kur je i ri. Ky është dhe problemi më i madh që kanë të jashtmit për ndërtesën tonë. Mendojnë se kufizohesh vetëm nga një ëndërr. Ata e kanë të paqartë natyrën e saj: a duhet të jetë ajo ëndrra kryesore, rëndom e quajtur qëllimi i jetës? Apo mund të jetë një ëndërr spontane? Në formësimin e saj, a ndihmon spontaniteti, apo nevojitet një mendim shumë i thelluar? Ç’pasoja mund të ketë ndryshimi i ëndrrës brenda ndërtesës? Edhe unë i kisha këto dilema kur isha jashtë. Por çdo gjë bën kuptim kur je këtu brenda. Është vetërregulluar në qindra vjet.
Mendoj shpesh për katin e gurit të çmuar. Nuk e di a mendoj më shpesh për të apo për skicën e ndërtesës sonë. Nuk di dhe nuk mund të tregoj se çfarë bëjmë gjithë kohës që frymojmë këtu, por mund të them shkurtimisht se mendojmë për ëndrrën tonë.
Përralla (të cilën u mundova për një kohë të gjatë ta shkruaja në mur midis skicave të kateve), që ishte konceptuar fillimisht si baza e katit të tetëmbëdhjetë, ishte pak a shumë kështu: një gur i çmuar qëndronte në malin e shenjtë përbri fshatit. Prej mijëra vjetësh e adhuronin me rite, derisa tre hajdutë të mbrapshtë, me nam në fshat, e vodhën gurin, e fshehën diku dhe së bashku me personazhe të tjera misterioze e studiojnë. Kjo gjë nënkuptonte ndarje në copëza të vogla, ndoshta po aq me vlerë sa guri i madh dikur në shpellën e shenjtë, ndaj nxiti një kryengritje, që u përhap në të gjithë fshatin. Kur më në fund e gjetën gurin e masakruar dhe i dënuan grabitësit, së bashku me personazhet misterioze, fshatarët triumfues i hodhën poshtë me forcë pretendimet e rrëmbimit për qëllime të mira, për perspektiva e përfitime të reja nga guri i çmuar. U kujdesën që ato mendime të mbrapshta të mos arrinin kurrë në mendjen e të vegjëlve të fshatit. Ndërtuan rite të reja për rimëkëmbjen përkujtimore të rëndësisë së gurit në malin e shenjtë. Vendosën atje shëmbëlltyrën e tij, por nuk harruan të shtonin te ritet vjetore edhe kujtimin e periudhës së errët të rrëmbimit e masakrimit të gurit.
Nuk e di ku ndodhet dhoma e ëndrrës së skicës universale të ndërtesës. Më pëlqen të mendoj se është në katin e fundit, nuk ka rëndësi sipër apo poshtë, nën tokë. Për këto kate, zakonisht, pretendohet se janë të zëna për studimin e vargjeve të shenjta. Kjo nuk ka lidhje me historinë e gurit të çmuar, gjithashtu i shenjtë në sytë e fshatarëve.
Tiranë, 12 shkurt 2022