Press "Enter" to skip to content

Letër në nëntor

Përkthimet e poezive të përfshira nën titullin “Letër në nëntor”, përbëjnë një antologji personale të lirikës botërore, ku mbizotëron, kryesisht, me pak përjashtime, peizazhi modern i zërave dhe traditave poetike të shekujve XX-XXI. Ideja e antologjisë është përftuar relativisht vonë, me zgjerimin e repertorit të teksteve të përkthyera përgjatë 25 viteve, derisa në një moment (gjithmonë vjen një moment i tillë), m’u dha dhe ideja e një filli lidhës që t’i mbante bashkë këto poezi në një kornizë konceptuale. Dhe nëse do t’i vija, pak a shumë, një përcaktim kësaj kornize, atëherë, sipas bindjes sime një përcaktim i përshtatshëm do të ishte “Lirika metafizike”, që është një shkrirje e vizioneve ndjesore e botëkuptimore. Për t’i dhënë një shpjegim sa më të qartë e të pangatërrueshëm termit që i dha Samuel Johnson traditës së poezisë metafizike angleze të shek. XVII (me John Donne, vëllezërit George dhe Edward Herbert, Andrew Marvell, etj.), më duhet detyrimisht të saktësoj se “lirika metafizike” nuk synon vetëdijesimin si janë gjërat për ne, por të dëshmojë se çfarë janë ato “në vetvete”. Poezia metafizike është një mjet për të kuptuar dhe shprehur “botën tjetër”. Një njeri, një subjekt lirik, na shfaqet edhe si një “gjë në vetvete”, si një qenie qiellore, edhe si një “dukuri”, si një tokësor. Njeriu është përfaqësues i dy botëve – qiellore dhe tokësore: në rastin e parë ai vepron si një “gjë në vetvete”, në të dytën – si “dukuri”, mandej secila syresh është e vërtetë, varet nga lexuesi të vendosë. Mbushullimi estetik i kësaj transhendence përbën dhe thelbin e lirikës metafizike. Gjatë leximeve të mia të përditshme të poezisë, del se, pavetëdijshëm, paskam qenë e prirur dukshëm të dua më fort këtë linjë të lirikës, tek e cila jam ndalur për të përkthyer e bashkëpjesëtuar mahninë time artistike me lexuesit e shqipes. Si çdo antologji, që në kuptimin etimologjik do të thotë “përzgjedhje lulesh” (gr, vj. ἀνθολογία), edhe kjo antologji e lirikës botërore me titullin “Letër në nëntor”, paraqet tekstet e zgjedhura që i binden idesë dhe konceptit që parashtrova më sipër. Përkthimi i poezive ka vazhduar si pjesë e pandashme e përditshmërisë sime ndaj pasionit të leximeve të ndryshme, pa një projekt përkthimor paraprak, siç kam pasur rëndom projektet e mia përkthimore me romane kryesisht. Së këndejmi, këto përkthime të përmbushura nga katër gjuhë (anglisht, spanjisht, frëngjisht dhe italisht) janë pjesë e prirjes sime personale ndaj një tipi të caktuar të poezisë, pa pretenduar aspak të bëj një paraqitje akademike të gjendjes së lirikës botërore. Është marrëdhënia ime intime me poezinë dhe poetët e kulturave të ndryshme të Lindjes dhe të Perëndimit, ajo çfarë ka qenë për mua e shtrenjtë. Edhe në ato raste kur poezitë janë sjellë nga gjuhë të largëta, të dyta, tekstet janë parë dhe krahasuar në katër gjuhë të tjera. Rimarrja dhe rishikimi i këtyre përkthimeve të kryera përgjatë shumë vitesh, ripërjetimi me tekstin dhe frymën e origjinalit më ka bërë shpesh ta harroj këtë botë, për njëfarë shkalle, dhe t’i besoj ndjeshmërisë sime gjuhësore, të krijoj një botë të re, e cila do të jetë e varur nga ajo tjetra, e mëparshmja, nga origjinali, sikundërse kujtesa e një dite varet nga po një ditë e mëparshme. Dhe për këtë kredhje, për këtë harrim të bukur nga gjuhët e mëdha në stihinë e shqipes, ndjej se më duhet ta falënderoj e t’i jem mirënjohëse gjuhës amtare.

Së shpejti, këtë antologji do ta gjeni edhe në libraritë online të gjithë botës, përfshirë edhe Amazon.

Elvana Zaimi

 

Audre Lorde

Shtëpia e Jemanxhasë

Ime më kishte dy fytyra dhe një fritezë
ku gatuante të bijat
në vajza
para se të na shtronte darkën.
Ime më kishte dy fytyra
dhe një tenxhere të prishur
ku fshihte një bijë të përkryer
që nuk isha unë
unë jam dielli dhe hëna dhe përjetësisht e untë
për sytë e saj.

Mbaj dy gra në shpinë
një të zezë e të pasur e të fshehur
nën uritë e fildishta të nënës
tjetër
e zbehtë si shtrigë
e prapë se prapë e rregullt e familjare
më vë para bukë e mnerë
në ëndrrën time
gjinjtë e saj janë spiranca të stërmëdha ngashnjyese
në shtrëngatën e mesnatës.

E gjitha kjo ka qenë
më parë
në shtratin e nënës sime
koha s’ka kuptim
nuk kam vëllezër
dhe motrat e mia janë të pashpirt.

Mama kam nevojë
mama kam nevojë
mama kam nevojë për sterrëzinë tënde tani
siç toka e gushtit lyp shiun.
Jam

dielli dhe hëna dhe përjetësisht e untë
tehu i mprehtë
ku dita dhe nata do takohen
dhe s’do të bëhen
një.

 

Lawrence Ferlinghetti

Mjerë kombi

(Sipas Khalil Gibran)

Mjerë kombi njerëzit e të cilit janë dele
dhe barinjtë e të cilit u prijnë gabim.
Mjerë kombi prijësit e të cilit janë rrenacakë,
të urtëve të të cilit ua kanë mbyllur gojën
dhe fanatikët e të cilit përndjekin valët ajrore.
Mjerë kombi që nuk e ngre zërin
përveçse kur u thur lavd pushtuesve
dhe e shpall të fortin si hero
dhe mëton të qeverisë botën
me forcë dhe torturë.
Mjerë kombi që s’di
gjuhë tjetër veç të vetës
dhe kulturë tjetër veç të vetës.
Mjerë kombi që frymëmarrje ka paranë
dhe fle gjumin e të tejngopurit.
Mjerë kombi oh mjerë njerëzit
që lejojnë t’u gërryhen të drejtat
dhe liritë e tyre t’u veniten.
O vendi im, o lotët e tu
Tokë e ëmbël e lirisë!

 

Pedro Salinas

Tek ti mbërrihet

Tek ti mbërrihet veç nëpërmjet teje.
Të pres.
Unë, e sigurt kjo, e di ku ndodhem,
qytetin tim, rrugën, emrin
që të gjithë ma thonë.
Por nuk di ku kam qenë me ty.
Atje më çove ti.
Si ta mësoja rrugën
kur të shihja vetëm ty,
se rruga ishte veç ajo ku ecje ti,
dhe fundi i saj kur u ndale ti?
Ç’tjetër gjë të kishte
më shumë se ti, që ofroje, duke më vështruar?
Por tashmë që jam larguar,
sa mall
edhe me qenë aty ku jam.
Pres, kalojnë trenat,
fatet, vështrimet.
Mund të më çonin atje ku kurrë s’kam qenë.
Por unë nuk gjakoj qiej të rinj.
Unë dua të rri ku kam qenë.
Me ty, të kthehemi prapë.
Sa risi e fortë,
të kthehesh sërish dhe një herë,
të mos përsërisësh kurrë njësoj
atë mahni të pafundme.
Dhe derikur të vish ti
do të rri në breg
të fluturimeve, ëndrrave,
yjeve, pa lëvizur.
Sepse e di që aty ku isha
nuk të çojnë as krahët, as rrotat, as velat.
Ato enden të përhumbura.
Sepse e di se aty ku qeshë me ty
shkohet vetëm me ty, nëpërmjet teje.

 

Joumana Haddad

Pemë blu

Kur sytë e tu ndeshin vetminë time
heshtja bëhet frut
dhe gjumi shndërrohet në shtrëngatë.
Çelen dyert e ndaluara
dhe uji mëson të vuajë.

Kur vetmia ime ndesh në sytë e tu,
dëshira ngjitet e zgjanohet
herë si baticë kryeneçe,
suvalë që rend pa fund,
nektar që pik bulëz pas bulëze
nektar më i përndezur se një lëngatë
fill që nuk përmbyllet kurrë.

Kur sytë e tu dhe vetmia ime ndeshen,
epem e zhveshur si shiu,
bujare si një gji i ëndërruar,
e ëmbël si hardhia që pjek dielli
shumëfish dorëzohem
gjersa të lindet pema e dashurisë tënde.
E lartë dhe kryeneçe,
e lartë dhe e imja,
shigjetë që i kthehet harkut,
palmë e kaltër kallur mes reve të mia,
qiell në rritje që asgjë s’e ndal.

 

Janis Ricos

Vetmi e vogël

Në një cep të kopshtit, mes shkumës së sapunit,
disa trëndafila janë përkulur nën peshën e aromës së tyre.
Askush nuk e ka ndjerë erëmimin e këtyre trëndafilave.

Asnjë vetmi nuk është e vogël.

 

Autori
Elvana Zaimi