Irisët e egër
Në fund të dhimbjes sime
qe një derë.
Dëgjomë: ajo që ti e quan vdekje,
më kujtohet.
Përmbi kokë zhurma, degë pishash që fëshfërijnë.
Tembrama asgjë më. Dielli i mehur
regëtinte mbi sipërfaqen e thatë.
Është e tmerrshme të mbijetosh
si vetëdije
e varrosur në tokën e terrtë.
Pastaj mori fund: ajo që i druheshe, ndërsa ishe
një shpirt dhe pa mundur
të flasësh, që mbaron beftë, toka e ngurtë
që hepohet paksa. Dhe ata që m’u përhinë si
zogj mësymës në shkurrishte.
Ty, që nuk të ndërmendet
kapërcimi nga bota tjetër
të them se mund të flisja sërish: çfarëdo
të kthehet nga harresa kthehet
të gjejë një zë:
prej qendrës së jetës sime erdhi
një ujëvarë e madhe, hije blu
të thella në ujëra të kaltër deti.
Pikëllimi i Circes
Në fund, iu prezantova
gruas tënde ashtu siç
do të bënte një perëndi, në shtëpinë e saj, në
Itakë, zë
pa trup: ajo
pushoi së enduri, ktheu kokën
fillimisht në të djathtë, pastaj në të majtë
edhepsé ishte e pamundur sigurisht
t’ia mvishje atë tingull çfarëdo
burimi objektiv: s’besoj
se do t’i kthehet vegjës
me atë që mësoi tani. Kur
ta takosh sërish, thuaji
se kështu thotë lamtumirë një perëndi:
nëse mbetem në kokën e saj përgjithnjë,
mbetem në jetën tënde përgjithnjë.
Përktheu: Elvana Zaimi-Tufa
Louise Glück ka lindur në Nju Jork në vitin 1943. Konsiderohet si një prej poeteve më të talentuara amerikane dhe është e njohur për përpikërinë teknike të poezisë së saj, ndjeshmërinë dhe qëmtimin e vetmisë, marrëdhënieve familjare, divorcit dhe vdekjes. Poeti Robert Hass e ka quajtur “një prej poeteve lirike më të qashtra e të përmbushura që shkruan në ditët e sotme.”. Në vitin 2020 mori çmimin “Nobel” në letërsi “Për zërin poetik të pangatërrueshëm, që me bukuri të vrazhdë e bën universale ekzistencën individuale.”.
Louise Glück vdiq më 13 tetor 2023, në moshën 80-vjeçare.